E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr për parakalimin, rrihet kreu i patrullës

Një kapriçio për parakalimin në rrugë ka përfunduar me dhunë çnjerëzore ndaj shefit të seksionit policor të patrullës së përgjithshme në qytetin e Fierit, Hysen Korçari. Policia ka arrestuar agresorin, ndërkohë që i dhunuari gjendet ende në spitalin rajonal të Fierit në kujdesin e mjekëve. Ngjarja është shënuar mbrëmjen e së dielës në rrugën kombëtare Fier-Ballsh, pranë vendit të quajtur "Çezma e Mbyetit". Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë Fier bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se 43-vjeçari Gëzim Kajolli, banor i lagjes "15 Tetori" në qytetin e Fierit, ka qenë duke udhëtuar me automjetin personal të tipit "Ford Fiesta" me targa të Fierit nga Ballshi në drejtim të Fierit. Disa kilometra para hyrjes për në qytet, ai ka dashur të parakalojë të gjitha automjetet që udhëtonin në segmentin rrugor që po përshkonte. Por, në vendin e quajtur "Çezma e Mbyetit" edhe pse kthesë, Gëzim Kajolli ka tentuar të parakalojë, ndonëse rruga i është ndërprerë nga makina me të cilën po udhëtonte shefi i patrullës së përgjithshme të qytetit të Fierit, Hysen Korçari. Fatmirësisht automjetet e Kajollit dhe Korçarit nuk janë përplasur. Drejtuesit kanë ndalur makinat dhe kanë nisur të grinden me fjalë. Burimet policore pohojnë se ky ka qenë momenti kur 43-vjeçari Gëzim Kajolli, i cili pasi ka sharë e fyer në drejtim të shefit të patrullës së përgjithshme, nuk ka ngurruar edhe ta godasë me grushte dhe shqelma. Ai ka marrë edhe gurë e mjete të forta që ka gjetur në rrugë dhe ka goditur mbi Korçarin. Drejtuesit e mjeteve që kalonin rastësisht kanë njoftuar policinë me telefon. Dhuna ndaj shefit të patrullës së përgjithshme, i cili mësohet se nuk është vetëmbrojtur, ka zgjatur afro 30 minuta, ndërkohë që agresori është larguar sërish pa i dhënë asnjë ndihmë. Policia ka marrë kolegun e saj të plagosur dhe e ka transportuar për në spitalin rajonal të Fierit. Ndërkohë shefi i krimeve në Komisariatin e Fierit, Pandi Gjoni, në një prononcim për gazetën "Shqip" ka thënë se gjendja e Hysen Korçarit ka qenë e rëndë edhe paraditen e së hënës. "Ai ka pasur mjaft hematoma të rënda në trup dhe në fytyrë, ndërsa është transportuar për në spital pa ndjenja", ka deklaruar shefi i krimeve, Pandi Gjoni.

E ndërsa Korçari është transportuar për në spital, policia ka nisur operacionin për arrestimin e agresorit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Fierit, 43-vjeçari Kajolli është arrestuar rreth dy orë pas ngjarjes në lagjen "15 Tetori". Për prangosjen e tij janë angazhuar më shumë se 50 uniforma blu të policisë së rendit si dhe asaj të krimeve. Pas shoqërimit për në mjediset e komisariatit të policisë, atij i janë komunikuar akuzat që rëndojnë mbi të: "plagosje e rëndë me dashje", "fyerje për shkak të detyrës së një punonjësi policie" si dhe "kanosje për shkak të detyrës". Mësohet se Gëzim Kajolli nuk ka pranuar asnjë nga akuzat dhe madje as dhunën e ushtruar ndaj shefit të patrullës së përgjithshme. Ndërkohë që ky i fundit, dje paradite ka firmosur denoncimin nga mjediset spitalore. Mësohet se ngjarja është marrë në hetim edhe nga seksioni i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, me qëllim zbardhjen e të gjithë përplasjes mes Gëzim Kajollit dhe Hysen Korçarit. Burime nga SHKB-ja pohojnë se dyshohet se këta dy persona kanë pasur debate të mëparshme, të cilat janë acaruar mbrëmjen e së dielës. Megjithatë, hetimet e mëtejshme do të hedhin dritë mbi këtë ngjarje. Kujtojmë se dy javët e fundit uniformat blu të Fierit janë kthyer në objekt dhune nga personat problematikë me rendin dhe qetësinë publike. Të shtunën e kaluar, dy vëllezër nga Fieri kanë dhunuar disa policë, ndërkohë që pak ditë më parë një person i cili ishte marrë për të dëshmuar në komisariat ka fyer, dhunuar e kanosur oficerin e policisë gjyqësore dhe tre policë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›