E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nënë Tereza i përket Indisë

Kryeministri Sali Berisha "kthen pllakën" për çështjen e eshtrave të Nënë Terezës. Duke ndryshuar kursin e deklaratave të disa ditëve më parë, kreu i qeverisë theksoi dje se Nënë Tereza është e Kalkutës dhe Indisë, duke shmangur me këtë rast provokimet mes diplomacisë shqiptare dhe asaj të Indisë.
Debati për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Tiranë ka "pushtuar" edhe mediat ndërkombëtare, të cilat e cilësonin këtë çështje si përplasje mes Shqipërisë dhe Indisë. "Gonxhe Bojaxhi u bë Nënë Tereza në Kalkuta të Indisë dhe ajo meriton më shumë se çdo gjë tjetër të quhet Nënë Tereza e Kalkutës. Nga ky qytet dhe nga ky vend i madh ajo u shndërrua në një shenjtore të gjallë të mbarë njerëzimit dhe nuk ka diskutim që i përket Indisë, i përket Kalkutës, që e bën atë Nënë të njerëzimit", u shpreh dje Berisha.
Lidhur me deklaratat e lëshuara disa ditë më parë, kreu i qeverisë theksoi se kërkesa e tij ishte thjesht njerëzore. "Kam bindjen se, në fund të fundit, çdo njeri, çdo vajzë do të dëshironte, po të kishte mundur të prehej pranë eshtrave të nënës dhe motrës së saj", tha Berisha. Kryeministri i parapriu edhe përplasjes mes dy vendeve, duke thënë se "nuk mund të them se do të ketë një vendim pozitiv nga autoritetet indiane, sepse ky është një vendim i vështirë". Kjo, vijoi Berisha, është një temë dialogu dhe dua të theksoj se një simbol kaq i madh dhe i çmuar që bashkon dy kombet tona nuk mund të jetë gjë tjetër veçse i tillë, nuk mund të shndërrohet në një kundërshti midis dy kombeve dhe dy vendeve tona.
Në Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, Kryeministri Berisha, së bashku me bashkëshorten, vizitoi misionin e motrave të Urdhrit të Nënë Terezës në Tiranë, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar dhe të mbarë njerëzimit. Në këtë mision strehohen 50 persona në nevojë apo me aftësi të kufizuara, të moshuara, gra dhe fëmijë. Misioni u vjen në ndihmë edhe 100 familjeve shqiptare në nevojë. Në ndihmë të punës së tyre, këtij misioni iu dhuruan ndihma ushqimore dhe në veshmbathje nga Kryeministri dhe nga fondacioni "Fëmijët shqiptare". "Erdha t‘i siguroj motrat e Urdhrit në Nënë Terezës se qeveria do të bashkëpunojë me to, në lehtësimin e dhimbjes dhe vuajtjeve të qytetarëve shqiptarë", u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se qeveria është e vendosur në luftën e saj kundër varfërisë dhe në këtë qëllim, do të vendosë një bashkëpunim jo vetëm me Urdhrin e Nënë Terezës, por edhe me organizata të tjera në mënyrë që në Shqipëri të mos ketë familje që jeton në mjerim.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›