E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE: Në janar 2012 kontrata e re konsumator-CEZ

TIRANE- Kontrata e re mes konsumatorëve jo familjarë dhe familjarë me kompaninë e Shpërndarjes së Energjisë CEZ, që hyn në fuqi në vitin 2012, parashikon ndryshime të mëdha nga ajo ekzistuese.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) prezantoi sot, në takimin e Këshillit Kombëtar të Punës, projektin e ri të kontratës së energjisë elektrike mes konsumatorëve dhe CEZ, e cila parashikon mbrojtje të konsumatorëve në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shërbimit në furnizimin me energji elektrike.

Komisionerja e ERE-s, Entela Ciku, bëri të ditur se këto ditë Enti do të miratojë kontratën e re, pas një procesi të nisur që në këtë fillimviti, ku përveç adoptimit të modeleve nga vende të përparuara, është në përputhje me kriteret e Traktatit të Energjisë së BE-së. Për njohjen e kontratës së re, Enti u konsultua përgjatë vitit me grupet e interesit në disa qytete kryesore.
Kontrata e re ndryshon nga kontrata e parë e vitit 2005, kur OSSH ishte kompani publike dhe përfshin marrëdhënie të reja mes kompanisë private CEZ me konsumatorët.

Ciku vlerësoi si më kryesoret në kontratën e re detyrimet për cilësi të lartë në furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike nga CEZ, mbrojtja e të dhënave personale të klientit, caktimi i datave fiks në leximin e energjisë së konsumuar dhe në prani të konsumatorit, ndëshkime për CEZ-in në se shkel kushtet e përcaktuara në kontratë, etj.

Kontrolli i matësave nuk do të bëhet më nga CEZ-i, por nga një subjekt i specializuar dhe i lejuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë.

Në kontratë janë përfshirë elementët që do të ketë fatura e re e energjisë, si detyrimet, mënyrat e pagesave të faturave të energjisë, të cilat do të bëhen në Postë, Banka, apo zyrat e CEZ-it, kujdesi për klientin, etj.

Për herë të parë në kontratë janë përfshirë bashkë me ankesat nga konsumatorët e ndryshëm, dhe rregullorja e re e shërbimit.

CEZ detyrohet që brenda 10 ditëve të rregullojë anomalitë që i krijohen çdo konsumatori si pasojë e mbifaturimit dhe faturimit abuziv dhe detyrohet që brenda 10 ditëve, të verifikojë dhe korigjojë gabimin e vet, që ndikon në xhepin e konsumatorit.
Në kontratë janë vendosur norma dhe ndëshkime në rastet e ndërprerjes së energjisë nga CEZ për debitorët, të cilët pas pagesës, detyrimisht do të rifitojnë lidhjen e energjisë jo më vonë se 48 orë.
Gjithashtu, është parashikuar pezullimi i përkohshëm i kontratës sipas kërkesës së konsumatorit, që për një arsye ose tjetër, mund të largohet për një kohë nga banesa, një formë që shmang pagesën e tarifës mujore që shkon në favor të arkës CEZ-it.
Kontrata e re, që hyn në fuqi në 2012, përfshin dy tipe për familjarët dhe bizneset. Bizneset do të kenë disa përfitime nga kontrata e re, e cila do të jetë e ndryshme nga familjarët.
Duke nisur nga Janari 2012 dhe deri në fund të tij, CEZ detyrohet të vendosë në bokse mbulesa të dukshme, ndërsa për familjarët, do të jetë viti 2015 afati fundor, pasi kërkohen investime të mëdha.
"Në kontratën e re pas ankesave nga bizneset, është ulur norma e kamatë-vonesave nga 0,5% në ditë, në 0,1% në ditë për çdo ditë vonesë nga klientët", tha Ciku.
Për herë të parë, kontrata me konsumatorët jo familjarë, ku përfshihen kryesisht bizneset, parashikon futjen e garancisë bankare për dy muaj pagesë të barabartë me dy muaj konsum të energjisë, si një masë që detyron bizneset që të paguajnë rregullisht faturat e energjisë.
Për herë të parë, në kontratë është përfshirë standardi i BE-së për furnizimin dhe ndërprerjen e energjisë në zonat urbane dhe rurale me ndëshkimet përkatëse. Kështu kontrata e re ka të përcaktuar normat për nivelin e luhatjes së tensionit të energjisë, ku për zonat urbane nuk do të lejohet më shumë se 5% dhe për ato urbane, 15%.
Për çdo shkelje, CEZ do të ketë masat ndëshkuese, që janë të përcaktuara në kontratën e re.
Përfaqësues të shoqatës së Ndërtimit, biznesit, etj, kërkuan që ERE të përcaktojë në kontratë rolin si vëzhgues, pasi, sipas tyre, raportet me CEZ-in kanë qënë të vështira dhe me dëme financiare në aktivitetet e tyre.

(d.b/ATA/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ankesat e konsumatorëve, CEZ nis fotografimin e matësave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›