E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre të rinj vrasin 86-vjeçaren për t’i marrë lekët e varrimit

01/11/2011  Policia arreston autorët e ngjarjes makabër

DEVOLL- Një grua e moshuar 86-vjeçare, Emine Rota, u gjet e vdekur në banesën e saj në fshatin Poloskë të rrethit Devoll, ku prej disa vitesh jetonte e vetme, pasi bashkëshorti i saj ishte ndarë nga jeta, ndërsa nga martesa mes tyre nuk kishin pasur fëmijë. Të vetmit njerëz që kujdeseshin për të ishin nipërit e saj, sepse përveç pensionit, kjo grua në moshë të thyer, nuk kishte pasur asnjë të ardhur tjetër, por nipërit e saj, fatkeqësisht, nuk u ndodhën në banesën e hallës së tyre, në çastin e duhur, për të ndalur vdekjen e saj. Tre të rinj mundën të vrisnin atë duke e qëlluar me mjete të forta në kokë, madje pasi i kishin vjedhur atë çka kishin gjetur në banesën e saj. Tre të rinj: E. Rushitaj, 18 vjeç, i dënuar edhe më parë për veprën penale të vjedhjes; Majkëll K., 17 vjeç, i padënuar më parë, si dhe T. Muka, 19 vjeç, i padënuar më parë, që të tre banues në fshatin Hoçisht të rrethit Devoll, kishin hyrë në banesën e 86- vjeçares, me qëllim për ta vjedhur atë. Secili prej tyre e dinte që në atë shtëpi nuk mund të gjenin shumë lekë, sepse e moshuara nuk kishte pasur mundësi të tjera financiare, por mesa duket kishin shkuar me shpresën se diku në sëndukun e saj do të gjenin lekët e varrimit, ashtu siç bëjnë të gjithë pleqtë, të cilët kujdesen për varrimin e tyre. “Gjithë shtëpinë e të moshuarës” e kishin kthyer përmbys”, së paku kështu deklaruan për gazetën “Metropol”, bashkëfshatarët e viktimës, por kudo që kishin kërkuar nuk kishin mundur të gjendnin asgjë, qoftë edhe një qindarkë. I kishin kërkuar 86- vjeçares, Eminesë, që të tregonte vendin ku i kishte fshehur lekët, por ndërkohë ajo i kishte njohur tre të rinjtë që kishin hyrë në banesën e saj. Ky fakt i kishte tmerruar tre vjedhësit. Pikërisht në këtë kohë, kur kishin përvetësuar atë çka kishin gjetur aty, ata e kishin qëlluar me mjete të forta, që ajo të mos kishte mundësi të denonconte. Pas kësaj, e moshuara do të mbetej e shtrirë, e ndarë nga jeta përfundimisht, përmes një vrasjeje tejet tragjike. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›