E Shtunë, 31 Tetor 2026

I shpëtoi vetëvrasjes: Mos u kujdesni, do ta bëj prapë

01/11/2011  Pas vetëvrasjes së gruas, vazhdon tmerri i familjes Marku dhe pas vdekjes të të birit

LUSHNJE- Vazhdon tmerri i familjes Marku në fshatin Këmishtaj në Lushnjë. Gruaja 43-vjeçare varroset pranë varrit të të birit 19-vjeçar, ndërsa bashkëshorti i saj nuk dëshiron të luftojë për t’i shpëtuar vdekjes. Ai ka kërcënuar mjekët dhe të afërmit e paktë që i kanë mbetur se edhe po e shpëtuan ai sërish do të kryejë aktin e vetëhelmimit, se tashmë ka humbur jo vetëm të birin, por edhe bashkëshorten, dhe sipas tij nuk ka me vlerë jeta e tij. Nuk e kanë përballuar dot dhimbjen e rëndë të humbjes së jetës në kulm të moshës së djalit të tyre të vetëm 19-vjeçar.

“Kërcënimi”

“Më lini të vdes, dua t’i bashkohem familjes në botën tjetër”. Kështu u është drejtuar mjekëve bashkëshorti i gruas që humbi jetën në mënyrë të dhimbshme një ditë më parë në fshatin Këmishtaj të rrethit të Lushnjës. Kryefamiljar 45-vjeçar sapo ka dalë nga gjendja kritike u ka kërkuar mjekëve ta lënë të shkojë në botën e përtejme për t’u bashkuar me të birin dhe gruan. Momentalisht ai vazhdon të jetë në reanimacion, në gjendje të rëndë, por mjekët shprehen se tashmë rreziku ka kaluar. Në orët e paradites së djeshme mjekët kanë vijuar ta mbajnë nën kontroll situatën, ndërsa mësohet se po në mëngjes ka shkuar edhe grupi i hetimit. Burime nga ky grup bëjnë me dije se i kanë kërkuar burrit 45-vjeçar që të jetë i qetë dhe t’u mundësoj atyre një dëshmi rreth ngjarjes, por mesa duket Pandeli Marku ka qenë i prerë. “Mos më mjekoni ,mos u kujdesni se unë prapë do ta bëj këtë që bëra. Unë nuk jetoj dot pa familjen time” , kështu mësohet të ketë thënë me zërin e shuar Marku. Ky i fundit do të vazhdojë të jetë nën kontrollin e mjekëve derisa gjendja shëndetësore të përmirësohet.

Amaneti dhe varrimi i gruas

Ndërkohë dje në orën 11.00, familjarë dhe të afërm kanë përcjellë për në banesën e fundit gruan 43-vjeçare, e cila humbi jetën 2 ditë më parë. Mësohet se varri i gruas është pranë djalit të ikur, duke respektuar kështu edhe një letër që ajo kishte lënë në dhomën e gjumit: Më varrosni pranë varrit të djalit. Burime nga të afërmit e tyre kanë zbuluar edhe përmbajtjen e letrës së fundit të gruas: “Unë po vdes. Piva helm, pasi helm ishte e tërë jeta ime pas vdekjes së djalit. Nuk e duroj dot humbjen e tij. Kush e merr në dorë këtë letër, të zbatojë edhe amanetin tim të fundit. Me varrosni pranë varrit të djalit”. Kaq kishte shkruar gruaja fatkeqe, ndoshta edhe pasi kishte pirë helmin, pasi letra kishte një shkrim që mezi lexohej. Burrë dhe grua u vetëhelmuan një ditë më parë pas dhimbjes për humbjen e djalit të vetëm në një aksident rrugor një vit më parë. Tragjedia familjare ka shokuar gjithë të afërmit e familjes, si dhe rrethin e Lushnjës, ndërkohë që policia deklaroi se vetëfljimi erdhi si shkak i depresionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›