E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE: Nuk rritet çmimi i energjisë

08/12/2010  Bie kërkesa e kompanive KESH-it, OST-së dhe “CEZ”

Kush konsumon më shumë se 300 kilovat orë do të paguajë 13.5 lekë për kilovat orë

Çmimi i energjisë nuk do të rritet vitin e ardhshëm. Konsumatorët familjarë do të paguajnë mesatarisht 9.53 lekë për kilovat orë duke nisur prej datës 1 janar 2011. Për ata klientë të “CEZ Shpërndarje” që konsumojnë deri në 300 kilovat orë energji në muaj çmimi do të mbetet i pandryshuar prej 7.7 lekë për kilovat orë. Ndërsa ata që shpenzojnë më shumë se 300 kilovat orë do të paguajnë 13.5 lekë për kilovat orë. Enti Rregullator i Energjisë ka lënë të pandryshuar çmimet edhe për pagesën fikse, prej 200 lekë në muaj për faturën për abonentët familjarë. Gjithashtu nuk ka ndryshuar as çmimi i energjisë për bizneset dhe institucionet shtetërore, në varësi të linjave prej nga ku furnizohen. Bizneset e vogla dhe të mesme furnizohen kryesisht nga linjat e tensionit të ulët. Kështu, për industrinë që merr energjinë nga kjo linjë çmimi është 10.5 lekë për kilovat orë, për bizneset në tregti dhe shërbime çmimi është 12.2 lekë për kilovat orë, për furrat e bukës dhe prodhuesit e miellit tarifa që do të paguajnë është 7.6 lekë për kilovat orë, për subjektet që operojnë në sektorin e bujqësisë çmimi është 10.5 lekë për kilovat orë, për bizneset e tjera tarifa është 12 lekë për kilovat orë, ndërsa për institucionet buxhetore është 14 lekë për kilovat orë.

Vendimi

Bordi i Komisionerëve të ERE-s hodhi poshtë kërkesën e tre kompanive, KESH-it, OST-së dhe CEZ Shpërndarje për rritje të tarifave me 12 për qind. Ata kanë vendosur të lënë në 9.53 për qind çmimin mesatar të energjisë elektrike, ndërkohë që në fuqi do të jetë edhe niveli i konsumit prej 300 kilovat orë. “U miratuan çmimet për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Dëshiroj të theksoj se Bordi i Komisionerëve të ERE-s, pas aplikimeve të bëra nga kompanitë, u njoh me një analizë shumë e hollësishme nga ekipi i punës pranë Entit Rregullator dhe arriti në përfundimin që të riskedulojë eksportet e energjisë, në mënyrë që një pjesë e eksporteve të shkojë në favor të konsumatorëve tariforë dhe të mos ndryshojë çmimet për këta konsumatorë. Pra, çmimet e energjisë elektrike nuk do të kenë asnjë ndryshim vitin e ardhshëm. madje, ka ulje të tarifës në orët e pikut nga 30 për qind në 5 për qind”,- tha Bujar Nepravishta, kreu i ERE-s. Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator ka vendosur gjithashtu, që çmimi me të cilin KESH do t’ia shesë energjinë CEZ Shpërndarje të jetë 1.48 lekë për kilovat orë, ndërsa çmimi që do të aplikojë OST-së për transmetimin e energjisë në rrjet të jetë 0.6 lekë për kilovat orë.

Meta: ERE mbrojti konsumatorët

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta reagoi pas marrjes së vendimit nga Entit Rregullator i Energjisë për mosrritje të çmimit të energjisë elektrike. Në një konferencë për shtyp ai deklaroi se vendimi i ERE-s merr parasysh kërkesat e konsumatorëve familjare dhe tregon integritetin e Entit Rregullator. “Mbrojtja e interesave të konsumatorit do të vazhdojë të jetë prioritet i qeverisë”,- tha ministri Meta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›