E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen në banesat e lokalet e përmbytura, dëme të pallogaritshme

13/12/2010  Tërhiqet uji, ja zonat në të cilat do të fillojë mësimi

SHKODER- Përmirësimi i kushteve klimaterike dhe ulja e nivelit të shkarkimeve të hidrocentraleve të kaskadës së lumit Drin ka përmirësuar ndjeshëm situatën e përmbytjes në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës. Uji është tërhequr ndjeshëm nga brendësia e qytetit, ndërkohë që dhe niveli i tij ka rënë dukshëm, duke bërë të mundur kalimin e automjeteve të larta. Largimi i ujit ka bërë që mjaft qytetarë dhe tregtarë të nxitojnë që në orët e para të mëngjesit të së dielës për të parë dëmet e shkaktuar nëpër banesa dhe në pikat e tyre të tregtimit. Orendi shtëpiake, pajisje elektroshtëpiake, rroba tërësisht të dëmtuara ka qenë gjithë çkanë mundur të shohin me lot në sy banorët e lagjeve të përmbytura të qytetit të Shkodrës. Përveç këtyre dëmeve mjaft familje kanë parë banesat e tyre që kishin marrë plasaritje dhe çarje muresh, prej vërshimit të ujërave dhe qëndrimit brenda tyre për një kohë të gjatë. Nga ana tjetër tregtarët dhe pronarët e mjaft lokaleve dhe pikave të karburanteve, kanë konstatuar miliona e miliona lekë të shkuara dëm për shkak të dëmtimeve të mallrave e pajisjeve në bizneset e tyre, pa harruar se një infrastrukturë e tërë e njësive të shërbimit, si në njësitë tregtare dhe lokalet moderne, ashtu dhe në pikat e karburantit kishte pësuar dëmtime të konsiderueshme. E vetmja shpresë e tyre tashmë ka mbetur dëmshpërblimi, të cilin presin ta përfitojnë prej qeverisë dhe donatorëve të ndryshëm, vendas dhe të huaj. Ndërkohë shpërthimi ujërave të zeza, si nga pusetat e kanalizimeve, ashtu dhe nga gropat septike ka bërë që drejtoria e shëndetit publik, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, shoqata të ndryshme, si dhe vetë banorët, të angazhohen për klorifikimin jo vetëm të rrugëve e lagjeve të përmbytura, por edhe banesave, ku uji i liqenit të Shkodrës dhe i lumit Buna i bashkuar me ujërat e zeza qëndron ende në nivele të larta brenda shtëpive e njësive të shërbimit, duke rrezikuar përhapjen e epidemive. Nga rreth 12 mijë hektarë të përmbytura që llogariteshin ditën e shtunë, ditën e diel llogariteshin rreth 9500 hektarë të përmbytura. Pavarësisht tërheqjes së ujit numri i banesave të përmbytura dhe me prezencë uji është 3493, shifër kjo treguese se uji, brenda 24 orëve të fundit, është tërhequr nga rreth 200 banesa. Në hidrocentralin e Vaut të Dejës, nga 1030 metër kub ujë për sekondë që shkarkohej ditën e shtunë, gjatë ditës së diel është shkarkuar rreth 800 metër kub për sekondë. Ndërkohë rënia e nivelit të ujit në lagjet e përmbytura, si dhe rilargimi i plotë i ujit në pjesën pranë Harkut të Bërdicës, ka bërë që të rikthehet qarkullimi i automjeteve të larta në aksin nacional Shkodër- Tiranë e për rrjedhojë dhe lëvizja e autobusëve dhe furgonëve të pasagjerëve në këtë aks. Përmirësimi i situatës ka bërë që shtabi i emergjencave civile të vendosë për ditën e hënë rifillimin e procesit normal të mësimit në shkollat e mesme që nuk kanë konvikte, në shkollat 9-vjeçare që nuk kanë nxënës që jetojnë në lagjet e përmbytura të qytetit, si dhe në shkollat e komunave që nuk kanë pasur përmbytje. Sipas drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore të qarkut të Shkodrës, Atrida Fërketi, ditën e hënë do të fillojë procesi mësimor në 12 shkolla 9 -vjeçare dhe 6 shkolla të mesme të qytetit. Përveç tyre, mësimi do të rifillojë normalisht dhe në nëntë komunat e rrethit të Shkodrës, ku nuk ka pasur përmbytje. Mësimi nuk do të rifillojë në shkolla të mesme profesionale të qytetit të Shkodrës, pasi konviktet e tyre janë ende të zëna me familje të evakuara. Ndër fshatrat dhe komunat ku nuk të zhvillohet procesi mësimor për shkak të përmbytjeve bëjnë pjesë Oboti i komunës Ana e Malit, fshati Trushi i komunës Bërdicë, fshati Mali i Jushit dhe Hotën, të komunës së Bushatit. Nuk do të zhvillohet mësim dhe në shkollat e fshati Dajç e Velipojë. Në këto fshatra nuk ka prezencë uji, por është e pamundur lëvizja e automjeteve që transportojnë mësuesit. V. Abdyli

U dëmtua rruga

Bllokohen nga shembjet 8 mijë banorë

GRAMSH- Rreth 8 mijë banorë të dy komunave në Gramsh vazhdojnë të mbeten të bllokuara për shkak të dëmtimit të rrugës dhe të përroit të rrezikshëm të Holtës. Askush nuk ka ndërhyrë për të zhbllokuar aksin e dëmtuar nga rrëshqitja e dherave në vendin e quajtur “Turbina e madhe”. Ndërkohë që burime nga prefektura bëjnë të ditur se po ndërhyhet nga pjesa e Zavalinës që të paktën komunikimi me rrugët nacionale të bëhet nëpërmjet Gjinarit. Ndërkohë që banorët e kanë gjetur një zgjidhje për të komunikuar me zonën urbane problemet më të mëdha po i kalojnë mësuesit dhe nxënësit. Ata duhet të ecin 1 orë e gjysmë rrugë në këmbë për të shkuar në shkollën e komunës Kukur, pasi lëvizja e automjeteve është tërësisht e pamundur. Autobusi i nisur nga Gramshi detyrohet të zbresë pasagjerët në vendin e quajtur “Turbina e madhe” dhe mësuesit e nxënësit duhet të ecin gati 5 km në këmbë deri sa të mbërrijnë në shkollë. Më të rriturit ndihmojnë më të vegjlit duke i marrë në krah për të kaluar pjesët më të vështira të rrugës. “Na duhen 3 orë për të shkuar në shkollë dhe për tu kthyer. Mësimi bëhet i shkurtuar për shkak të vonesës”. Banorët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit në kthimin të qarkullueshme të rrugëve për tu lidhur me qytetin. Mësohet se Drejtoria e Rrugëve Rurale ka dërguar mjetet në këtë zonë, por deri tani rruga vazhdon të jetë e papërshkueshme për mjetet. L. Lleshi

Nga qytetarët e Lushnjës

Ndihma ushqimore për të

përmbyturit shkodranë

LUSHNJE- Katër kamionë me ndihma për familjet e përmbytura të qytetit të Shkodrës janë nisur nga qyteti i Lushnjës në shenjë solidariteti ndaj vëllezërve të tyre veriorë. Ka qenë mesdita e djeshme, e cila ka startuar këtë akt human të qytetarëve lushnjarë, të cilët nuk kanë kursyer ndihmat në ushqime për të përmbyturit e qytetit të Shkodrës. Këto ndihma janë bashkuar edhe me ndihmat e qytetit të Fierit, pasi kanë gjetur mbështetje edhe nga qarku Fier. Ndërkohë që uji është tërhequr nga qyteti i Shkodrës, ende qindra shtëpi ndodhen nën pushtetin e ujit. Ajo që duhet theksuar është se nuk janë regjistruar dëme në njerëz. Ndihma e qytetarëve lushnjarë, të cilët janë mbështetur edhe nga Bashkia e Lushnjës dhe qarku Fier konsistonte në mallra ushqimorë si për shembull miell, makarona, sheqer, vaj, oriz dhe veshmbathje”. Më tepër se ndihma këto janë shenjë solidariteti ndaj vëllezërve nga Shkodra, të cilët fatkeqësia natyrore i goditi rëndë dhe në këto momente të vështira ne duhet tu qëndrojmë pranë si vëllai, vëllait, shqiptari shqiptarit”,-ka thënë kreu i Bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku. A. Damini

Kryesisht ushqime dhe veshje

PD Berat, 20 milionë lekë

ndihma drejt Shkodrës

BERAT- Paraditen e djeshme janë nisur drejt veriut të vendit ndihmat e para humanitare nga qyteti i Beratit për familjet e përmbytura. Dy maune me ndihma ushqimore kanë udhëtuar paraditen e djeshme nga qyteti i Beratit drejt Shkodrës. Ka qenë një nismë e ndërmarrë prej ditësh nga Dega e Partisë Demokratike në këtë qytet dhe Forumi Rinor i saj, i cili është finalizuar paraditen e djeshme me një dërgesë ushqimesh për familjet e përmbytura në veri të vendit. Kanë qenë dy mjete me ushqime, veshmbathje dhe ushqime për bagëtitë, të cilat janë dërguar drejt veriut të vendit. Kryetari i degës së Partisë Demokratike në këtë qytet, Arenc Berati, bëri me dije se selia blu dhe anëtarët e Forumit Rinor të kësaj partie u bënë pjesë e një fushate sensibilizuese për mbledhjen e ndihmave humantare çka realizoi dhe nisjen e ndihmave me një vlerë prej rreth 20 milionë lekësh. Berati u shpreh mesditën e djeshme pas nisjes së dy kamionëve me ndihma se nuk kish se si anëtarët dhe simpatizantët e kësaj partie të mos bashkoheshin me qytetarët e Shkodrës, të cilët janë duke kaluar momente të vështira pas përmbytjes së shkaktuar atje gjatë fundjavës së kaluar. "Kjo është një nismë humane e ndërmarrë jashtë çdo lloj pikëpamjeje politike, nismë që i bashkohet vuajtjes me të cilën po përballen banorët e Shkodrës, u shpreh kreu i demokratëve të këtij qyteti. Ne mundësuam që me donacione dhe ndihma të dhëna nga anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në këtë qytet që sot të dërgojmë drejt veriut të vendit ndihmat e para humanitare që kapin shifrën e 20 milionë lekëve. Ndihmat në ushqime, ujë, veshmbathje, por dhe ushqim për bagëtitë u nisën sot paradite drejt Shkodrës dhe do të shkojnë për ata njerëz që sot më shumë se kurrë kanë nevoja emergjente", tha Berati. S. Gorrica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›