E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen pengesat për pensionet e ushtarakëve

08/12/2010   Pogaçi: Nëse qeveria nuk ka likuiditetet e nevojshme financiare, duhet të diskutojë me ne,e jo të cenoj ligjin

Revolta e Shoqatës, ndërkombëtarët vihen në dijeni për shkeljet, gati protestat

Thellohet edhe më shumë konflikti ndërmjet dikasterit qeveritar dhe përfaqësuesve të ushtarakëve në rezervë. Sipas përcaktimeve të bëra tashmë, ndryshimet mbi kushtet e llogaritjes së pensioneve, pas miratimit të aktit normativ të qeverisë në Komisionin e Ligjeve, duket se do të ketë të njëjtin fat edhe në seancën e ditës së nesërme që do të zhvillojë Parlamenti. Kundrejt situatës problematike të krijuar, drejtuesit e Shoqatës së Ushtarakëve shprehen të shqetësuar dhe revoltuar për miratimin e Aktit Normativ nga ana e Komisionit të Ligjeve të Parlamentit, i cili vë në rrezik përfitimet e mijëra rezervistëve. Bordi Ekzekutiv i Shoqatës i kërkon edhe një herë Parlamentit dhe parlamentarëve shqiptarë, ashtu siç është theksuar në peticionin e tyre, që të mos e miratojnë këtë akt antikushtetues, antiligjor dhe antihuman. “Në qoftë se qeveria nuk ka likuiditetet e nevojshme financiare, nuk duhet të cenojë ligjin, por të kërkojë edhe ndihmën e bashkëpunimin e shoqatës sonë, si përfaqësuese e grupit të interesit, për të gjetur një zgjidhje adekuate për palët”. Tashmë shoqata ua ka bërë me dije këtë fakt shqetësues të gjitha përfaqësive ndërkombëtare të NATO-s, BE-së, OSBE-së dhe përfaqësive diplomatike të vendeve anëtare të tyre të akredituara në Tiranë, të cilave u është kërkuar ndërhyrja që të mos lejohet miratimi i aktit. Po gjatë ditës së nesërme, ushtarakët do të protestojnë para Parlamentit, ku do të kërkojnë që të mos aprovohet shkelja e ligjit dhe penalizimet që po u bëhen këtyre shtresave.

Veprimi i bërë, sipas përfaqësuesve të shoqatës, tregon se komisioni në fjalë, ashtu si dhe Qeveria, është dakord që të cenohet siguria juridike e ushtarakëve dhe kategorive të tjera të përfshira në ligjin nr. 10142. “Është rënë dakord që të shkelet Kushtetuta, ligjet e miratuara me parë për këtë qëllim, si dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky është shteti ligjor dhe shteti i së drejtës”, thuhet në reagimin e tyre zyrtar. Ndërkohë që kanë bërë me dije se do të ishte më mirë që të kursehej kohë dhe qeveria ti miratonte dhe zbatonte vetë ligjet, për aq kohë sa komisioni është gjithmonë i të njëjtit mendim me Këshillin e Ministrave. Megjithatë, ushtarakët bëjnë me dije se Komisioni i Ligjeve, po ashtu edhe Parlamenti, duhet ta kenë të qartë se ky ligj dhe veçanërisht ky akt normativ penalizon rëndë të nesërmen e ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të punonjësve të Shërbimit Informativ dhe të punonjësve të të gjitha kategorive të përfshira në ligjin përkatës. Ndërkohë që theksohet më tej se miratimi i këtij akti do të njollosë më tej ligjvënësit tanë në drejtim të shkeljes së vazhdueshme të ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Përkeqësimi i të drejtave të ushtarakëve nga viti 2005 e në vazhdim ka qenë një konstante e qeverisë aktuale, gjë e cila cenon edhe ndjeshmërinë e ushtarakëve ndaj këtyre organizmave ndërkombëtare.

Shkurtimi i pensioneve

Në këto kushte gjithçka do të nisë nga e para, sipas përcaktimeve të reja të bëra mbi përdorimin në llogaritje jo më të pagës referuese po asaj referuese neto, nga e cila do të hiqen të gjitha kontributet e detyrueshme shoqërore e shëndetësore, si dhe tatimet e të ardhurave. Kjo e fundit ul ndjeshëm masën e pagës mbi të cilën do të bazohet përllogaritja e re. Po ashtu, të gjitha shtesat që duhej të përmblidheshin në pagën referuese nuk njihen më nga ndryshimet e bëra në aktin e ri normativ.

Gjithashtu, sipas ushtarakëve, problematike mbetet edhe ulja e masës që do të pësojë pensioni për vitet e shërbimit, duke qenë se zbritet nga 2 për qind që është përcaktuar në pikën 2 të nenit 14 të ligjit, në masën e re prej 1.5 për qind që është përcaktuar në vendimin e dy ditëve më parë. Të gjitha këto ndryshime, sipas kreut të shoqatës, do të sjellin ulje të theksuar të masës së pensionit që do të përfitojnë kjo kategori, ulje e cila do të jetë e theksuar edhe te pensionet e parakohshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›