E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE dhe OSSH, në gjyq për çmimin e energjisë

Duke nisur nga data 1 janar 2010, çmimi i energjisë ka nisur të faturohet me një çmim të ri prej 13 për qind më të lartë se një vit më parë. Tarifat e reja u miratuan në 15 dhjetor të vitit të kaluar nga Enti Rregullator i Energjisë, pas kërkesës së bërë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Por çmimi i miratuar nga ERE është kundërshtuar nga OSSH-ja, e cila ka çuar në gjykatë vendimin e ERE-s, duke e kundërshtuar atë. Në fakt, OSSH ka kërkuar një rritje prej afro 44 për qind të çmimit të energjisë, i cili do të zbatohet në dy vjet, 2010-2011, por ERE vlerësoi se çmimi duhet të rritet vetëm 13 për qind. Në fakt, kjo është një rritje shumë më e vogël se ajo që ka kërkuar OSSH pranë ERE-s, pasi çekët kërkuan për vitin 2010 të bëhej një rritje prej 23 për qind. ERE është munduar të jetë sa më afër njerëzve në nevojë me vendimin e saj, duke lënë kështu në fuqi tarifimin e energjisë me dy nivele, duke hedhur poshtë kërkesën e OSSH-së për të pasur një çmim të njëjtë për të gjitha kategoritë dhe duke nisur nga kWh i parë. Në bazë të tarifimit të dyfishtë, ERE vendoi dje që qytetarët që konsumojnë deri në 300 kWh, nga 7 do të paguajë 7.7 lekë, ndërsa mbi këtë konsum tarifa arrin nga 12 në 13.5 lekë, pa tatimin mbi vlerën e shtuar. Drejtuesit e ERE-së dje deklaruan se këto tarifa të miratuara i krijojnë mundësi kompanisë që të krijojë të ardhurat e nevojshme për të furnizuar popullatën me energji. Madje, një nga arsyetimet e Entit në përcaktimin e tarifave është edhe mbrojtja e konsumatorit nga veprimi monopol i kompanisë OSSH në treg. ERE ka miratuar edhe rritjen e çmimit të kërkuar nga Korporata Elektroenergjitike, nga 1.6 lekë aktualisht në 2.03 lekë për kilovat orë, si edhe çmimin e shumicës së Operatorit të Sistemit të Transmetimit nga 0.5 në 0.6 lekë për kilovat/orë. Enti Rregullator ka vendosur uljen e tarifave të energjisë për furrat e bukës nga 8 në 7.6 lekë për kilovat/orë.
Nga procesi gjyqësor OSSH kërkon të hedhë poshtë vendimin e ERE-së për rritjen e prej 13 për qind. Seanca e parë pritet të zhvillohet në datën 10 shkurt 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›