Qeveria, një kurs gjuhe për opozitën!
(Letër për Kryeministrin e vendit tim amë)
I nderuar Kryeministër i vendit tim,
Po të drejtohem me këtë letër të hapur lidhur me një shqetësim serioz jo vetëm timin, por edhe të vendit tim, që ka të bëjë me nivelin e njohurive të gjuhës angleze të kryetarit të opozitës si dhe stafit që ai drejton.
Që të jemi të qartë që në fillim, unë si një qytetar që e dua vendin tim dhe të vërtetën po të drejtohem më një kërkesë. Të lutem mblidhe Këshillin e Ministrave dhe merr një vendim si dhe akordo fondet e duhura për një kurs intensiv të gjuhës angleze për kryetarin e PS-së, Edi Rama, dhe stafin e tij që merret me përkthimin e deklaratave të Këshillit të Evropës si dhe të institucioneve ndërkombëtare. Kjo, për mendimin tim, është shumë emergjente, pasi për vite me radhë megjithëse larg vendit tim, duke ndjekur me interes politikën dhe zhvillimin e Shqipërisë kam parë në mënyrë konstante që deklaratat e BE-së si dhe të të gjitha institucioneve ndërkombëtare janë përkthyer e komentuar në mënyrë krejt skandalozë dhe në të kundërtën e atyre që realisht është thënë në to. Duke qenë i prirë të mendoj së në këtë histori nuk ka pasur dashakeqësi, gjithmonë kam thënë me vete se ky paska qenë niveli i njohurive të tyre në gjuhën angleze. Dhe si rrjedhim, Ju si kryetar i ekzekutivit shqiptar, e keni për detyrë ligjorë të bëni diçka.
Pasi dëgjoja deklaratat e BE-së dhe institucioneve të tjera shqiptare lidhur me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare, të përkthyera dhe komentuara nga PS-ja e Edi Ramës si çdo qytetar shqiptar, jam shqetësuar e meqenëse fati e solli që ta njihja gjuhën angleze, kam klikuar në internet dhe në websitet e këtyre institucioneve kam gjetur origjinalin në anglisht të këtyre deklaratave dhe, pasi i kam lexuar, aty kam parë diçka krejt tjetër ose e thënë troç, shpeshherë krejt të kundërtën e asaj çka PS dhe Rama kanë deklaruar e shpallur në mEdiat e tyre.
Këto institucione ndërkombëtare janë serioze dhe funksionojnë me rregulla e parime morale shumë të forta. Dhe pas një apo dy rasteve të tilla, pasi e kanë parë se kjo punë është bërë vijë politike e Ramës dhe PS-së, kanë marrë një vendim ashtu në heshtje të cilin besoj se ju dhe qeveria juaj e ka lexuar e mirëkuptuar. Ato kanë vendosur të mos e presin më këtë lider partie në asnjë takim dhe të mos e ftojnë në asnjë mbledhje apo konferencë, pasi ata kanë parë te ai mungesën e seriozitetit dhe një sharlatanizëm që është i papranueshëm për botën e civilizuar. Ata kaq kanë në dorë të bëjnë dhe e kanë bërë.
Tani, zoti Kryeministër i vendit tim, është radhë Juaj të bëni diçka. Dhe kjo, për mendimin tim, ka vetëm një zgjidhje. Të mblidhni urgjent Këshillin e Ministrave dhe të akordoni një fond për një kurs intensiv të gjuhës angleze për kryetarin e opozitës dhe stafin e tij të ngushtë që merret me përkthimin dhe komentimin e deklaratave të BE-së dhe të gjitha institucioneve të tjera ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Ju lutem të bëni kujdes që ky staf që do të kryejë këtë detyrë, t’ua shpjegojë me durim atyre edhe rregullat dhe seriozitetin me të cilat funksionojnë këto institucione, si dhe masat që ato marrin kur shohin se kanë të bëjnë me përkthyes e komentues sharlatanë keqdashës apo në mos ishin këto të parat, me njohuri tejet të kufizuara në gjuhën angleze.
Ky staf që do të punojë me to, duhet të ketë durimin dhe pasionin e duhur t’u shpjegojë atyre se këto institucione ndërkombëtare nuk mund të shiten apo blihen si disa mEdia në Shqipëri që i lexojnë nga 20 herë në ditë këto deklarata të përkthyera në mënyrë skandaloze e shpesh në të kundërtën e atyre që realisht është thënë në to.
Shpresoj që kjo kërkesë imja të merret në konsideratë.
*Gazetar shqiptar në Irlandë