Konfindustria: Me lekun po spekulohet fort, të ndërhyjë Banka e Shqipërisë

Tiranë, 31 Janar NOA/Rajmonda Lajthia - Konfindustria
shpreh shqetësimin e saj lidhur me kahjen e dukshme zhvleftësuese të ditëve të
fundit të monedhës kombëtare Lek kundrejt Euro-s dhe Dollarit dhe i kërkon
Bankës së Shqipërisë të ndërhyj pa vonesë në të gjithë rastet kur gjykohet se
ndeshemi me arsye subjektive të natyrës psikologjike dhe spekulative.
Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i
Konfindustria duke folur sot me agjencinë NOA tha se përafrimi me shpejtësi i
normës së këmbimit të Lekut me Euron në shkallën mesatare të këmbimit prej 140
lek/euro do të thotë, se po arrijmë në zhvleftësim vjetor të ndjeshëm prej afër
15 për qind.
Konfindustria, gjykon se zhvleftësimi i vazhdueshëm
i Lekut në ditët e fundit nuk ka arsye të qëndrueshme për të ndodhur.
Viti mjaft i mirë energjetik në vazhdim ka
balancuar rënien e të ardhurave të emigrantëve, ndërsa rënia e ndjeshme e çmimeve
të importeve bazë si karburantet, hekuri, drithërat, etj. ka zvogëluar ndjeshëm
pasojat e rënies së eksporteve shqiptare, kur dihet se deficiti tregtar i
vendit është historikisht mjaft i thellë në favor të importeve.
Këto fakte sipas Buxhukut, tregojnë se
zhvleftësimi i lekut i nënshtrohet më tepër shkaqeve psikologjike dhe spekuluese,
që e bëjnë të detyrueshme ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë.
Njëkohësisht ai kërkon nga ekzekutivi shqiptar
ti përmbahet me rreptësi ruajtjes së parametrave të deficitit buxhetor të
planifikuar, duke treguar kujdes në sigurimin e të ardhurave dhe në realizimin
e shpenzimeve në grafikun kohor të përcaktuar.
Konfindustria, mbështetur në të dhënat e
vazhdueshme të ardhura pranë saj, vlerëson se vazhdimi i zhvleftësimit të
shpejtë të lekut do të ketë pasoja të rënda dhe të drejtpërdrejta sidomos në
industritë, që nuk kanë cikël të mbyllur përpunimi në vend dhe lëndët e para të
të cilëve sigurohen në tregjet ndërkombëtare si p.sh industria mekanike,
industria e përpunimit të mishit, industria e përpunimit të grurit, etj..
Më të mbrojtura nga zhvleftësimi i monedhës
kombëtare janë sektorët industrialë, që punojnë me cikël të mbyllur si p.sh
industria e përpunimit të qumështit.
Zhvleftësimi i lekut prek ndjeshëm importin e
teknologjisë, makinerive dhe pajisjeve industriale, që do të japi ndikim
negativ në afatgjatë në prodhimin vendor
dhe që zeron ndikimin pozitiv në çkurajimin e importeve të prodhimeve të
gatshme, që ndodh objektivisht në rastin e mësipërm.
Norma e fitimit në industritë e mësipërme
gjate gjithë vitit 2009 është ulur ndjeshëm për të mos prekur çmimet e shitjes
dhe për të qenë konkurrues me prodhimet e importit, por vlerësohet se veprimi i
mësipërm nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë në rast se zhvleftësimi i
monedhës kombëtare vazhdon, - paralajmëroi Administratori i Përgjithshëm i
Konfindustria, Gjergj Buxhuku.
e.r/NOA