E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE do të ndryshojë çmimin e energjisë më 2011-n

07/03/2010 Depozitohet në Kuvend raporti vjetor. Problem niveli i ulët i arkëtimit dhe matësit

Çmimi i energjisë elektrike pritet të ndryshojë sërish në vitin e ardhshëm. Kjo, pasi Enti Rregullator i Energjisë do të bëjë korrigjimet përkatëse në çmimet dhe tarifat e 2011-ës, pasi të bëjë verifikimet përkatëse dhe të vlerësojë efektet e mbifaturimit që OSSH-ja kishte bërë gjatë vitit 2008 dhe 2009, me synim zvogëlimin artificialisht të nivelit të humbjeve në shpërndarje. Në vendimin e saj për çmime dhe tarifat e vitit 2010, nuk dispononte të dhënat e mjaftueshme për vlerësimin e mbifaturimit, prandaj kjo dukuri mbeti e pakonsideruar prej saj. Konkluzionet janë prezantuar në raportin vjetor të ERE-s që kreu i tij, Bujar Nepravishta ka depozituar në Kuvend. Në raportin prej 120 faqesh janë trajtuar arritjet dhe problematikat, si dhe rekomandimet për rritjen e efeciencës së konsumimit të energjisë.

Konsumimi i energjisë

ERE fajëson OSSH-në për sa i takon efeciencës së ulët të konsumimit të energjisë, si dhe të nivelit të ulët të arkëtimeve gjatë vitit të shkuar. “Efecienca e ulët në konsumimin e energjisë elektrike vjen si pasojë e një menaxhimi të dobët të sektorit të shpërndarjes nga ana e OSSH-së. Privatizimi i OSSH-së deri tani nuk ka reflektuar akoma ndonjë kthesë në mirëmenaxhimin, përkundrazi niveli i arkëtimeve për vitin 2009 është përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme në krahasim me një vit më parë”, thuhet në raport. Humbjet e përgjithshme të energjisë elektrike prej 35.3 % dhe niveli i arkëtimeve prej 76 .4 % gjatë vitit 2009, po sipas tij, janë tregues të një efecience shumë të ulët të konsumit të energjisë elektrike, e cila vlerësohet me 49 .4 %. Zonat me treguesit më të ulët janë Kukësi, ku arkëtohet vetëm 9.5 % e energjisë së faturuar dhe pas tij Shkodra dhe Burreli me përkatësisht 31.2 % dhe 39.6 % arkëtime të energjisë së faturuar. Por peshën specifike më të madhe në nivelin e efektivitetit të konsumit të energjisë elektrike e kanë zonat e Tiranës, Durrësit, Fierit dhe Shkodrës. Por ERE shpreh besimin se kompania “CEZ”, e cila ka privatizuar OSSH-në, do të realizojë rritjen e efeciencës së konsumit të energjisë në vijim.

Matësit

Në shkallë vendi rezultojnë pa matje 7.6 % e konsumatorëve tariforë ose 83,973 konsumatorë. Afati i faturimit aforfe skadon deri më 30 prill 2010, kohë kur OSSH-ja duhet të ketë përfunduar plotësimin e konsumatorëve me matës. ERE e konsideron këtë një objektiv me shumë rëndësi që ndikon pozitivisht në zvogëlimin e përdorimit pa limit të energjisë elektrike në rritjen e arkëtimeve, zvogëlimin e humbjeve joteknike dhe zvogëlimin e kërkesës për energji. Siguria e furnizimit

Hapa të rëndësishëm në rritjen e sigurisë së furnizimit të vendit me energji elektrike janë edhe zhvillimi i linjës ajrore të interkoneksionit Elbasan-Tiranë-Podgoricë, si dhe do të fillojë menjëherë me financime të qeverisë gjermane linja e interkoneksionit Tiranë-Prizren-Prishtinë. Në vijim parashikohet të ndërtohet edhe linja e interkoneksionit me Maqedoninë. Privatizimi i OSSH-së pritet të ketë një impakt të rëndësishëm pozitiv gjatë periudhës rregullatore 2010-2014, në rritje të efeciencës së konsumit të energjisë elektrike me të paktën 21 %, gjë që i shërben gjithashtu rritjes së sigurisë së furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike.

Detyrat e OSSH-s për 2010-ën

Arritja e objektivave të përcaktuara në Deklaratën Rregullatore:

Zbatimi i planit të investimeve.

Përfundimi i studimit të humbjeve teknike në sistemin e shpërndarjes.

Përcaktimi dhe zbatimi i treguesve të cilësisë së shërbimit.

Plotësimi me matës i të gjithë klientëve dhe eliminimi i faturimit amorfe.

Zbatimi i rregullave të tregut.

Zbatimi i kodit të shpërndarjes.

Zbatimi i kodit të matjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›