E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të angazhuar për standarde në arsim”

07/03/2010 Festa e 7 Marsit, Presidenti Bamir Topi viziton universitetin "Eqerem Çabej"

“Gjirokastra pasuri botërore, por është detyra e institucioneve që të mos lejojnë dëmtimin”

Gjirokastër - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi të premten nga Universiteti i Gjirokastrës, se "ky universitet ka një rol të veçantë në arsimin shqiptar, me prirjen e tij kryesore për të përgatitur mësues. Misioni fisnik i mësuesit sot merr një rëndësi të veçantë”, tha Presidenti Topi, duke shtuar se "ata po përgatisin” evropianët e rinj shqiptarë". Universiteti "Eqrem Çabej" diplomon edhe arsimtarët e shkollave të minoritetit, ndaj në këtë drejtim, kreu i shtetit u shpreh se "ata janë ndërlidhësit më të mirë midis kulturave tona dhe punëtorët e devotshëm të harmonisë e bashkëjetesës etnike, të miqësisë historike ndërmjet popujve tanë". Duke i konsideruar universitetet si një pasuri të madhe kombëtare, Presidenti Topi u shpreh se "aty është vendi ku thellohen konceptet e demokracisë dhe qytetarisë, të respektit ndaj ligjit, shtetit dhe shoqërisë, si dhe vendi ku sanksionohet vokacioni atdhetar e evropian". Këto deklarata erdhën nga Presidenti i vendit në prag të Ditës ndërkombëtare të Mësuesit. Zhvillimi shoqëror dhe proceset integruese të vendit, sipas Presidentit Topi, "kërkojnë edhe integrimin e studentëve të diplomuar jashtë vendit". "Infrastruktura arsimore e universiteteve duhet të modernizohet, duke pasur si model vendet e Bashkimit Evropian, si dhe duke forcuar karakterin e tyre publik, ku të kenë mundësi për të kontribuar edhe pushteti vendor, edhe institucionet financiare e komuniteti në përgjithësi", tha Presidenti. Duke u bërë apel të gjitha institucioneve shtetërore, lokale e qendrore që të ruajnë trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, zoti Topi u shpreh se "Gjirokastra është konsideruar pasuri botërore e certifikuar nga UNESCO-ja, por është detyra e institucioneve që të mos lejojnë që kjo pasuri unike të dëmtohet dhe tjetërsohet". "Gjirokastra është qyteti i njerëzve të mëdhenj, që i kanë dhënë shumë këtij kombi përgjatë historisë që nga Rilindja, me Koto Hoxhin apo luftërat për pavarësi, me Bajo e Çerciz Topullin, me poetin e rilindësin Andon Zako Çajupi. Panteoni shqiptar do të ishte i gjymtuar pa kontributin e dijetarëve, gjuhëtarëve si Çabej, të shkrimtarëve martirë si Musine Kokalari, të kulturologëve e përkthyesve të shumtë si Kokona, Fico, Selfo e Kasaruho, etj", tha Presidenti. Gjirokastra, sipas tij, "është një qytet i njohur edhe nga vepra e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të botës në të gjitha kohërat Ismail Kadare".

E. Molla

Presidenti Topi dekoron 7 mësues

Presidenti Bamir Topi dekoroi dje shtatë mësues dhe personalitete në fushën e arsimit në qytetin e Gjirokastrës, me rastin e 7 marsit, Festës së Mësuesit. Kreu i shtetit nderoi me "Medaljen e Mirënjohjes" Adelina Barxon, Jorgo Karamanon, Liljana Kaçin, Mihal Zhulatin, me titullin “Naim Frashëri i Artë” Viktor Terpo (pas vdekjes), Vasil Bilushi (pas vdekjes). Presidenti Topi dekoroi gjithashtu me Medaljen "Për Merita të Veçanta Civile" Vjollca Kokalarin, si dhe Ksanthipi Kabili, me motivacionin "Për kontribut të veçantë në zhvillimin e arsimit në zonën e Gjirokastrës dhe më gjerë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›