Skemë kursimi
Energjia, ja si të paguash 134 mijë lekë më pak. Termoizolimi, 24 mijë lekë më pak në vit
Kryeqytetasit duhet të shikojnë si ndërhyrjen më emergjente në banesat e tyre përmirësimin e fasadave. Kësaj radhe jo mbi një shqetësim të mundshëm të fasadës, por sepse kjo do të sillte që çdo familje të ulte koston e konsumit të energjisë. Por kjo mund të realizohet nëpërmjet termoizolimit dhe kryesisht të banesave të ndërtuara para viteve ‘90. Sipas studimit të kryer nga “Coplan”, nëpërmjet termoizolimit të jashtëm, për një familje që jeton në këtë apartament, përfitimet në kursimin e energjisë do të jenë deri në 24 000 lekë në vit. Drejtuesi i “Coplan” (Instituti për Zhvillimin e Habitatit), Dritan Shutima, shpjegoi në një intervistë për “Korrierin”, se një investim i tillë e shlyen veten pas 4 vitesh, ndërkohë që përfitimet janë të mëdha. Sipas Shutimës, shifrat mbi kursimin e energjisë vijnë pas një studimi të plotë, ku të parët të cilët duhet të nxisin këtë iniciativë janë qeveria dhe pushteti lokal. “Pushteti qendror dhe ai lokal po bëjnë një hap, pasi po kërkojnë me të drejtë që ka ardhur një moment që duhet të futet edhe kjo në ligjin e bashkëpronësisë. Pra, gjithashtu duhet të ngrihen instrumentet që të angazhojnë të gjithë këto në mënyrë sa konstruktive”, u shpreh Shutima. Por nga ana e tij ofrohen dy mënyra për realizimin e termoizolimit të banesave të pasuvatuara. Fillimisht, Bashkia e Tiranës mund të përdorë të ardhurat e saj, por nga ana tjetër të stimulojë banorët për këtë sipërmarrje. Në këto të ardhura, drejtuesit e “Coplan” përjashtojnë taksën e pasurisë, pasi ajo paguhet për shërbime të tjera që ofron bashkia. “Pushteti vendor mund të përdorë të ardhurat e tij për të stimuluar bashkëveprimin që njerëzit të angazhohen në këtë sipërmarrje, por duhet të jetë dhe një vetërregullim i banorëve, i rregulluar nga niveli lokal dhe qendror”, vijon Shutima, duke shtuar se studimi kontribuon në mënyrë të qenësishme në diskutimin aktual që po bëhet në projektligjin e bashkëpronësisë. Një element tjetër i rëndësishëm në lidhje me kursimin e energjisë në ndërtesat e vjetra janë edhe dritaret. Pra, vendosja e dritareve me dopio xham do t’i kursente një familjeje 20 000 lekë të ardhura në vit. Në rast se do të kryhet një investim i dytë, ku dritarja do të jetë duralumini, dopio xham dhe do të shoqërohet edhe me grila mbrojtëse nga jashtë, do të sillte kursim prej 24.000 lekësh në vit. Po ashtu, sipas studimit të “Coplan”, llogaritet që vetëm në ndërhyrjet që mund të kryhet në banesat e ndërtuara para viteve ‘90 në qoftë se ndërhyhet për zëvendësimin e eficencës, atëherë do të kishim në vit rreth 500 megavat energji të kursyera, që është sa gjysma e prodhimit të një termocentrali. Nga llambat, 60 mijë lekë kursim energji në vitNjë mënyrë tjetër e kursimit të energjisë është vetëm zëvendësimi i një llambe të thjeshtë me një eficente. Por e gjitha kjo sipas llogaritjeve që vijnë nga “Coplan” do të bënte që çdo familje të kursente 6 mijë lekë energji. Po të supozojmë që një banesë ka mesatarisht 5 deri në 10 llamba, rrjedhimisht për një familje kursimi do të ishte 30 mijë deri në 60 mijë lekë në vit. Po të vazhdojmë analizën në terma energjetikë, atëherë duhet të pranojmë që një lambë eficente konsumon 3 deri në 5 herë më pak energji se një llambë e thjeshtë. Pra, nëse një llambë e thjeshtë konsumon mesatarisht 183 kwh në vit, zëvendësimi i saj me një llambë ekonomike do të zbriste 55 kwh nga konsumi vjetor. Duke pranuar një shpërndarje të banesave të rajonit të Tiranës dhe duke u nisur nga numri i llambave të instaluara në to, mund të kursehet 180 gwh/vit. Përdorimi i gazit, 50 mijë lekë kursim në vit Një tjetër mënyrë e kursimit të energjisë është edhe përdorimi i lëndëve të tjera për ngrohje. Sipas studimit të kryer nga “Coplan”, një familje e cila përdor ngrohje individuale me energji elektrike, paguan një kosto shumë herë më të lartë se një ngrohje me gaz. Kështu, kostoja për një familje e cila përdor energjinë si ngrohje është 70.000 lekë në vit. Pra, bëhet fjalë për një banesë rreth 150 metra katrorë. Por në rast se për këtë banesë përdoret ngrohja me gaz, kostoja vjetore e llogaritur sipas këtij studimi është 30.000 mijë lekë në muaj. Pra, nga kjo mënyrë ngrohjeje, një familje mund të kursejë 50.000 lekë në vit. Po ashtu, kosto të tjera llogariten në bazë të sipërfaqes së banesës. Kështu, për një banesë me sipërfaqe prej 125 m2, përdorimi i energjisë për ngrohje do të sillte që të paguhen 60 mijë lekë në vit, kurse përdorimi i gazit do të sillte të paguheshin 30.000 lekë. Pra, në këtë rast, një familje do të kursente 30.000 mijë lekë në vit për energjinë.