Krasniqi: Kosova ka nevojë për Shqipërinë
Presidenti Bamir Topi tha dje në takimin me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi...
Presidenti Bamir Topi tha dje në takimin me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, se është në detyrimin e të gjithëve, që opinioni botëror të furnizohet me argumentet e natyrshëm, të cilët do t’i shërbejnë vijimit të procesit të njohjes së shtetit të Kosovës nga të gjithë vendet, si shteti më i ri në botë. Topi tha gjithashtu, se Kosovën e pret një e ardhme e shkëlqyer dhe se retorikat e Rusisë dhe të Beogradit sa vijnë e do të bien, pasi shkëputja e Kosovës ka nisur që në vitin 1999. Ai vlerësoi moderimin e politikës së Kosovës përkundër kritikave e reagimeve në Beograd, për të cilat tha se “janë të papranueshme”. Krasniqi vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve në Tiranë në të mirë të kurorëzimit të pavarësisë, sidomos nëpërmjet diplomacisë, dhe shtoi se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në fazën e forcimit të shtetit të ri. Krasniqi u prit edhe nga kryeministri Sali Berisha. Kryeministri deklaroi se pavarësia e Kosovës është investim mbinjerëzor i qytetarëve të saj dhe se shpallja e pavarësisë ishte akt madhor në historinë e kombit shqiptar, “ndoshta liria e vërtetë për kombin tonë”. Krasniqi shtoi se pavarësia e koordinuar erdhi pas kontributit tejet të çmuar të Shqipërisë dhe politikës së saj, pasi bashkarish është realizuar pjesa më e madhe e rrugës drejt pavarësisë..