E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësimi i Kosovës si fluturimi i shqiponjës

Ambasadori amerikan John Withers

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs II përmendi vargjet e një poeti shqiptar për të simbolizuar pavarësimin e Kosovës me fluturimin e shqiponjës...

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs II përmendi vargjet e një poeti shqiptar për të simbolizuar pavarësimin e Kosovës me fluturimin e shqiponjës. Ai shprehu mbështetjen e Uashingtonit jo vetëm për pavarësinë ndaj Kosovës. Uidhërs II i bëri komentet në konferencën e organizuar sot në kujdesin e presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi dhe një grupi botues italian, me temë “Kosova dhe sfidat e saj të pavarësisë”. “Disa ditë më parë, pasi pamë festimet për pavarësinë, në Kosovë, në Shqipëri dhe në qytetet të ndryshme të Shqipërisë, më erdhi ndërmend një poezi e shkruar nga një poet shqiptar. Dhe nëse i mbaj mend siç duhet fjalët, mendoj se diçka të tillë kishte në poezi: “Qëkur fillon stuhia, zogjtë e vegjël bëhet kruspull. Por vetëm shqiponja është ai zog që i hap krahët dhe i drejtohet furtunës”. Dhe mendoj se të gjithë javën që shkoi, shqiponjat kishin dalë në qiell. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara nuk përfundon me arritjen e pavarësisë”, -u shpreh ai. Presidenti Topi nga ana tjetër, paraqiti një të ashtuquajtur “plan”, mbi të cilin duhet të veprohet për njohjen e plotë të shtetit të ri të Kosovës. “Njohja e shpejtë e shtetit të Kosovës do të shkurtonte ndjeshëm kohën e shtrirjes së NATO-s në rajon dhe do të lejonte integrimin e vendeve të rajonit në strukturat euroatlantike. Përmbyllja e procesit të njohjes së Kosovës është në interes të Kosovës, Shqipërisë, rajonit dhe Evropës. Për këtë Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj diplomatik në interes të njohjes globale të pavarësisë”, tha presidenti shqiptar i Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shprehu angazhimin për marrëdhënie të mira me të gjithë, përfshi Serbinë. “Republika e Kosovës është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përfshi Serbinë. Sidoqoftë zhvillimet në Serbi nuk mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë”, u shpreh ai. Të gjithë pjesëmarrësit në tubimin konferencial thanë se pavarësia ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë çështjen. Analistë serbë thanë se Perëndimi duhet të mbështesë presidentin Boris Tadiç dhe se nuk ka dallim nga partia e kryeministrit Voisllav Koshtunica dhe nga radikalët e Tomislav Nikoliçit. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Ali Ahmeti, tha se pavarësia e Kosovës ka ndikuar dhe do të ndikojë shumë mirë në vendin fqinj, në forcimin e qëndrueshmërisë e paqes në rajon. Ish-kryeministri i Shqipërisë gjatë luftës së Kosovës, Pandeli Majko, vërejti se pavarësia i gjeti të papërgatitur shqiptarët, fqinjët, një pjesë evropianësh si dhe ata që i quajti “kundërshtarët tanë serbë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›