E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova kurrë më pjesë e Serbisë

Uashingtoni i kundërpërgjigjet deklaratave të Moskës

Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë. Ka qenë kjo përgjigja e qartë e Departamentit amerikan të Shtetit ndaj deklaratave të djeshme të kandidatit rus për president, Dmitri Medvedev. Zëdhënësi Tom Keisi tha se SHBA-të duan të bëjnë të qartë qëndrimin e tyre ndaj shtetit të ri të Kosovës, megjithëse janë të hapur për bashkëpunim me Rusinë dhe Serbinë. “Ne do të vazhdojmë të punojmë si me rusët, ashtu dhe me serbët lidhur me këtë çështje, por mendoj se të gjithë duhet ta kenë të qartë se Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë”, - tha Keisi. Deklarata e tij erdhi pikërisht pas vizitës së “trashëgimtarit” të Putinit në Beograd, i cili shpalosi hapur mbështetjen e Moskës ndaj përpjekjes së Serbisë për sovranitet mbi Kosovën. Keisi shtoi se SHBA-të, që ishin ndër vendet e para që njohën pavarësinë e Kosovës, nuk kanë asnjë problem me demonstruesit paqësorë që kundërshtojnë shtetin e ri, nëse nuk përdoret dhunë. Javën e kaluar, ambasada amerikane në Beograd u sulmua nga një pjesë e protestuesve që marshuan në kryeqytetin serb kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjes amerikane. Tri ditë më parë, sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolesa Rais, fajësoi autoritetet serbe për mosmbrojtjen e ambasadës amerikane, dhe Serbia shprehu keqardhje zyrtare për incidentin e ndodhur. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit tha se të gjitha palët duhet të ecin përpara, me implementimin e planit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, të hartuar nga Marti Ahtisari. “Ne nuk duam të izolojmë Serbinë”, - tha ai, duke shtuar se SHBA-të dëshirojnë që Beogradi të vazhdojë përpjekjet për anëtarësim në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›