ERE rrëzon ankesën e CEZ
Konflikti mes ERE-s dhe pronarit të OSSH-së, kompania çeke CEZ, mund të shkojë deri në gjykatë. Këtë shpjegim bën Enti Rregullator, pas rrëzimit që i bëri pak kohë më parë ankesës së OSSH-së mbi pretendimet se humbjet janë më të mëdha nga sa deklarohet. Pas privatizimit, CEZ-it i lindi e drejta të kryente një auditim për të verifikuar nivelin aktual të humbjeve të energjisë elektrike për vitin 2008. Nga auditimi doli se niveli i humbjeve ishte 35.7 për qind, rreth 3 për qind më shumë nga sa kishte deklaruar OSSH-ja para privatizimit. "Mbasi analizuam me shumë kujdes raportin, vendosëm të mos e miratonim raportin auditues të CEZ-it", pohon Nepravishta. Ndaj këtij vendimi, OSSH-ja paraqiti tek ERE një ankesë, duke e argumentuar me një sërë provash. "Pasi shqyrtuam ankesën, arritëm në përfundimin se dokumentacioni nuk i përmbushte provat materiale dhe për pasojë u la në fuqi vendimi i datës 16 tetor, për të mos njohur humbjen 35.7 për qind", argumenton ERE në raportin e paraqitur në Kuvend. Në këtë rast, në përputhje me procedurat e parashikuara, OSSH-ja mund t‘i drejtohet për ankimim Ministrisë së Financave, e cila ka hyrë garant për zgjidhje të marrëveshjes, duke bllokuar në bankë 60 milionë euro. Në rast se edhe këtu nuk gjendet zgjidhje, ERE sqaron se CEZ-i mund të apelojë vendimin te Gjykata e Tiranës.