Rreziku i penalizimit, Berisha takon shefat e CEZ
CEZ kërkon kompensim rreth 7.9 miliardë lekë, në rast se nuk merret parasysh kërkesa për rritjen e çmimit të dritave në masën 44 për qind. Kushti është rritja me 23 për qind, plus shuma si kompensim, sikurse e parashikon marrëveshja e privatizimit. Edhe nëse rritet me 23 për qind fatura e energjisë elektrike, qeveria duhet të kryejë një tjetër kompensim, kësaj here për 270 mijë familje me të ardhura nën 35 mijë lekë në muaj. Në këtë pikë, Kryeministri Berisha ndodhet në një situatë të vështirë, për zgjidhjen e së cilës ka menduar të ftojë në takim krerët e CEZ. Biseda e zhvilluar dje mes Kryeministrit dhe nënkryetarit të bordit të drejtorëve të CEZ, Tomas Pleskac, nxori në dritë planin për të investuar në dy vite rreth 8 miliardë lekë në sistemin shpërndarës të energjisë. Peskac i tha Berishës se, qëllimi i veprimtarisë së CEZ-it në Shqipëri zhvillohet sipas parimit të përfitimit të dyanshëm të konsumatorëve shqiptarë dhe kompanisë. Në këtë kontekst, kompania ka një plan investimesh për vitin 2009-2010, rreth 8 miliardë lekë. Por më parë nevojitet që planin ta miratojë ERE, mbi bazën e së cilës do të vlerësohet rritja e çmimit. Kryeministri shprehu besimin se bashkëpunimi i qeverisë shqiptare dhe i Entit Rregullator do të jetë gjithmonë transparent, profesional dhe në përfitim dypalësh. Sa i takon rritjes së propozuar me 44%, nuk u mësua se çfarë pikëpamje ndanë palët, pasi takimi u zhvillua me dyer të mbyllura.