E Diel, 1 Nëntor 2026

Misioni i vështirë i ministrit të ardhshëm të Jashtëm të Bashkimit Europian

Detyrat e ministrit të ardhshëm të Bashkimit Europian, sipas Traktatit të Lisbonës, duken të qarta dhe shumë të fuqishme në letër, por, sipas analistëve në Bruksel, personi që do të ketë një post të tillë duhet të jetë një "superhero" për të menaxhuar të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e parashikuara për një pozicion të tillë.
Formalisht ai njihet si Përfaqësuesi i Lartë për çështjet e jashtme të Bashkimit Europian, si dhe për çështjet e politikës së sigurisë. Me pak fjalë, në duart e një njeriu të vetëm vendoset politika e jashtme dhe disa çështje financiare. Deri më tani, këto dy drejtime janë ndarë mes shefit të politikës së jashtme Solana dhe komisionerit të marrëdhënieve me jashtë, Benita Ferrero Ëaldner. Sipas rregullave të reja institucionale, që do të hyjnë në fuqi më 1 dhjetor, ministri i Jashtëm do të drejtojë takimet e përmuajshme me palë të ndryshme, do të jetë një zëvendëspresident i Komisionit Europian dhe do të drejtojë gjithashtu edhe shërbimin diplomatik. Por me këtë post vijnë edhe detyrime të tjera, të cilat sugjerojnë se ministri i ri i Jashtëm nuk do të ketë shumë kohë për t‘u marrë me lidhje të tjera të rëndësishme, si mbikëqyrja dhe kujdesja për marrëdhëniet me Rusinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinën. "Pjesën më të madhe të muajit ai do ta ketë të fiksuar", ka deklaruar një zyrtar i lartë i BE-së, duke dashur të nënvizojë faktin se ministrit do t‘i duhet që të marrë pjesë në drejtimin e këshillave të çështjeve me jashtë, në takime dypalëshe dhe të shfaqet përpara Parlamentit Europian. Atij do t‘i duhet që të koordinojë gjithashtu komisionerët me pushtete të jashtme veprimi, si dhe të zhvillojë një politikë me fqinjët. Në muajt e parë të punës, diplomati kryesor i Bashkimit Europian duhet të jetë në një linjë edhe me shërbimin e jashtëm diplomatik, si dhe i duhet që të ngrejë skuadrën e punës, pra stafin e tij. Më pas detyrat e tij administrative do të përfshijnë marrëveshjet në lidhje me shërbimin e personelit. Në vijim të listës së punëve, ministrit të ardhshëm do t‘i duhet që të kalojë shumë kohë për të përcaktuar dhe ristrukturuar politikën e re të jashtme të BE-së. Kjo punë ka të bëjë me shumë impenjime të brendshme, me shumë para për të cilat i duhet që të vendosë se si t‘i shpenzojë dhe me shumë njerëz të cilët i duhet t‘i koordinojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›