E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERT lajmëron lejen e 4-t celulare

Tregut të telefonisë celulare në vend pritet t’i shtohet edhe një kompani tjetër. 

Në një prononcim për “Deutsche Welle”, Ilir Shehu drejtues i Entit Rregullator të Telekomunikacioneve, ka thënë se brenda 2008-ës do të përgatitet i gjithë dokumentacioni që do të hapë tenderin legal për hyrjen dhe të një operatori të katërt. Sipas tij, dhënia e lejes së katërt celulare do të përcillet me një efekt konkret në uljen e çmimeve të telefonisë celulare në Shqipëri. Aktualisht në tregun vendas operojnë tre kompani celulare. Në muajin mars lëshoi sinjalin e parë edhe kompania më e re celulare, Eagle Mobile. Frekuencat e këtij operatori shtrihen në 95 për qind të territorit të vendit.
Tarifat
Çmimet e bisedave telefonike në Shqipëri janë më të kripura se në çdo vend tjetër. Pikërisht për të zgjidhur këtë problem, qeveria ka miratuar metodologjinë e rregullimit të tarifave të operatorëve të telefonisë celulare dhe Albtelekom, duke vendosur çmime tavan për kompanitë. Në këtë mënyrë është hapur drita jeshile për uljen e çmimit të impulseve telefonike. Ky është një lajm i mirë për të gjithë konsumatorët, pasi me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të bisedosh nëpërmjet telefonisë celulare do të kushtojë më pak. Metodologjitë e miratuara nga Këshilli i Ministrave parashikojnë reduktimin e shpenzimeve të konsumatorëve me 20 për qind brenda vitit 2008 dhe një reduktim mesatar të mëtejshëm me 20 për qind brenda vitit të ardhshëm. Kjo do të sjellë një ulje mesatare në total, prej 36 për qind në vitin 2009 në krahasim me shpenzimet aktuale. Me anë të këtyre vendimeve synohet që tarifat e vendosura nga operatorët me fuqi të ndjeshme në treg (Albtelekom, Vodafone Albania, AMC) të jenë të orientuara drejt kostos, të jenë transparente, të mos jenë diskriminuese dhe të garantojnë trajtim të barabartë për operatorët dhe pajtimtarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›