Publicistika letrare në gazetarinë e sotme
Prof.dr. FLORESHA DADO
A kanë llojet e publicistikës letrare rolin e tyre në sfondin e përgjithshëm të gazetarisë së sotme? Kjo pyetje nuk ka të bëjë thjesht me preferenca të një lexuesi, por, në thelb, lidhet me dy çështje të rëndësishme: Së pari, me specifikën e strukturës së tyre përmbajtjesore dhe artistike, me pozicionin ndërmjetës që kanë midis krijimit letrar dhe shkrimit publicistik. Së dyti, kjo pyetje ka të bëjë edhe me faktin se lidhja midis autorit të shkrimit dhe botës shpirtërore e mendore të lexuesit të sotëm kalon përmes një mënyre të veçantë ndërkomunikimi. Nisur nga këto dy aspekte të thelbit dhe funksionit të publicistikës letrare, do të thoja se ky lloj paraqet, ndoshta, një problem në shtypin e sotëm shqiptar. Prej vitesh lloje të ndryshme, si fejtoni, reportazhi letrar, përshkrimi, skica etj., janë gjithnjë e më të rrallë në gazetarinë tonë. Pse ndodh kështu? A është kjo dukuri thjesht çështje parapëlqimi nga gazetarët, sidomos e një grupi që sot është vazhdimisht aktiv në shtypin e përditshëm? Për mendimin tim kjo dukuri, më shumë se sa parapëlqim, reflekton një problematikë më të gjerë: e para, ndoshta ka të bëjë me mosnjohjen, apo mosvlerësimin e thelbit të llojeve të publicistikës letrare dhe, e dyta, lidhet me përgatitjen profesionale, me aftësitë dhe shkallën e intuitës krijuese të gazetarit të sotëm. Shkurtimisht, le të ndalemi në këto dy aspekte themelore.
Ç’përfaqëson publicistika letrare, në sfondin e gazetarisë sonë?
E vendosur midis Letërsisë dhe Gazetarisë së mirëfilltë, publicistika letrare mbetet lëvrimi më specifik dhe më interesant, por, njëkohësisht edhe më problemori, për sa i përket ruajtjes së kufijve me letërsinë, nga njëra anë, dhe me llojet e tjera gazetareske, nga ana tjetër. Dihet se letërsia, si arti i fjalës, ka poetikën e vet, që ka në themel parimet estetike të ndërtimit të një vepre letrare, që e dallojnë atë nga gjithë format e tjera të krijimtarisë fjalore. Në literaturën teorike është pranuar lidhja midis poetikës së letërsisë dhe poetikës së publicistikës letrare. Kjo vlen për të njohur si ngjashmëritë, ashtu edhe tiparet dalluese midis tyre. Kjo vlen edhe për të patur përfytyrime të sakta mbi strukturën përmbajtjesore dhe estetike të llojeve të publicistikës letrare. Kjo vlen për ta afruar atë me letërsinë, brenda dimensioneve që nuk cenojnë identitetin e saj, por gjithashtu, edhe thelbin social, mënyrën specifike të shprehjes së mendimit në këto lloje publicistike.
Problemi qëndron në raportin që duhet të ekzistojë midis së vërtetës reale dhe trillimit artistik, midis së përgjithshmes dhe individuales, midis gjuhës gazetareske dhe gjuhës figurative-emocionale etj. Në këto raporte shprehet veçanësia e llojeve letrare të publicistikës, të dallueshme nga një krijim letrar-artistik. Pikërisht në specifikën që kanë llojet e publicistikës letrare, për sa i përket intuitës artistike dhe intuitës së ruajtjes së raportit me dukurinë reale, mund të shohim jo thjesht vështirësinë, për ndoshta ndrojtjen e gazetarëve tanë për lëvrimin e kësaj publicistike.
Shumë dekada më parë publicistika jonë letrare shkëlqente në pendat e autorëve të shquar të viteve ’20 e ’30, të cilët ishin mjeshtra të trillimit dhe të fjalës artistike. Në këtë periudhë ngarkesa emocionale e llojeve të tilla, si fejtoni apo skica, ishin pothuaj të së njëjtës rëndësi me tregimet e skicat letrare të kohës. Ndikimi te lexuesi i ngjante shumë ndikimit që luante letërsia tek ai. Gjithashtu edhe në ½ e dytë të shekullit që sapo lamë pas, lloje të ndryshme të publicistikës letrare ishin krijimet më të bukura dhe më interesante të gazetarisë sonë. Në të vërtetë lëvrues më të suksesshëm ishin krijues, romancierë apo tregimtarë. Emra të tillë, që vinë deri në ditët e sotme, si Ymer Minxhozi, (i shquar për lëvrimin e fejtonit dhe pamfletit), të Mitro Çelës (në skica të shkurtra që i afroheshin fejtonit, me stilin e përafërt me Nonda Bulkën, që i shkon shumë për shtat tematikës sociale), Xh.Spahiu (i shquar në lëvrimin e reportazhit letrar, ku elementet e letërsisë shpesh mbizotëronin dukshëm mbi stilin publicistik) etj., janë bërë gjithnjë e më të rrallë në gazetarinë e ditës. Sigurisht emra të veçantë shfaqen herë pas here në shtypin, sidomos në organet e spikatura humoristike, por duket sikur po shuhet një traditë gazetarie, që e bën shtypin e përditshëm më të këndshëm, që zbut, sado pak sfondin monoton, ndonjëherë përsëritës të gazetave me ngjarje, analiza thellësisht dhe vetëm politike. Nëse ndër emrat e suksesshëm të ditëve tona në lëvrimin e reportazhit spikat F.Baxhaku, kjo ndodh sepse shkrimet e tij nuk japin thjesht informacion, por me intuitën e krijuesit letrar ndërtojnë tipa, karaktere interesante, krijojnë imazhe të gjalla për mjedise të caktuara, afrojnë emocionalisht lexuesin, jo vetëm te fakti jetësor, por edhe te mënyra se si e përjeton këtë fakt emocionalisht vetë gazetari. Sepse shpesh në këto reportazhe figura reale merr ngjyresa dhe emocione të figurës së letërsisë.
Pse këto lloje të publicistikës letrare e kanë humbur shkëlqimin dhe vendin e duhur në sfondin e gazetarisë shqiptare?. Pse lëvruesit e fjalës artistike, që kanë jo vetëm intuitën e gjetjes së faktit apo dukurisë njerëzore, por edhe mjeshtërinë e trillimit letrar, i janë larguar lëvrimit të këtyre llojeve? Sepse modeli i gazetarisë së sotme shqiptare është formatuar, për fat të keq, kryesisht dhe vetëm në lloje të tilla të gazetarisë si lajmi, analiza, opinioni etj. Sepse jeta intelektuale dhe shpirtërore është formatuar në mënyrë të skajshme drejt politikës dhe lajmit sensacional. Sepse “emër” të madh sot bëjnë vetëm ata gazetarë që analizojnë lëvizjet, dallaveret e partive, apo të individëve “vipa”, qofshin këta të jetës politike apo dhe skenës, pothuajse të degraduar estetikisht dhe moralisht. Sepse koncepti i gazetarisë së sotme ka sjellë, për fat të keq, një unifikim tejngopës të llojeve e zhanreve publicistike. Sepse lëvrimi i publicistikës letrare kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por, mbi të gjitha, kulturën e rrokjes dhe trajtimit të temës, kërkon një talent në ndërtimin e sistemit të ligjërimit, të ndërtimit të figurës apo skenës së sotme. Sepse të jesh i suksesshëm në lëvrimin p.sh. të fejtonit, do të thotë të njohësh mirë vlerat e fjalës artistike, thelbin metaforik të saj, do të thotë të zotërosh me intuitë krijuese mekanizmin e ndërtimit të ironisë, apo të sarkazmës, do të thotë të jesh i vetëdijshëm se një ligjërim i drejtpërdrejtë (siç përdoret p.sh. në analiza apo opinione) nuk e ka kurrë forcën e shprehjes që ka ligjërimi i tërthortë, figurativ, artistik, i ndërtuar me mjeshtëri në llojet e publicistikës letrare. Pozicioni i ndërmjetëm, që kanë llojet e saj midis trillimit dhe pasqyrimit besnik të realitetit, u jep, në strukturën e brendshme të tyre, superioritetin estetik në raport me zhanre të tjera që lëvrohen sot në gazetarinë tonë. Kjo do të thotë që lëvrimi i tyre nuk mund të konceptohet si një shkrim i zakonshëm gazetaresk dhe nga kushdo që merr penën të shkruajë.
Prandaj, nëse në gazetarinë e sotme llojet e publicistikës letrare janë të varfra kjo lidhet edhe me mungesën e aftësisë për të hyrë në këtë fushë, që kërkon jo thjesht dhe vetëm profesionalizëm, por mbi të gjitha intuitë krijuese. Kjo kërkon njohjen e poetikës së këtyre llojeve, që kanë në strukturën kuptimore të tyre si aspektin njohës-përgjithësues, ashtu dhe aspektin trillues-figurativ-emocional. Lloje të tilla, si p.sh. fejtoni, të realizuara në formën më të mirë të tyre, e çojnë publicistin patjetër në sferën e trillimit të artit të fjalës, por, po aq ngushtë e detyrojnë të mos bjerë plotësisht në kurthin e trillimit, çka do ta nxirrte jashtë sferës së gazetarisë. Atëherë, natyrshëm lind pyetja: është pikërisht kjo vështirësi e llojeve letrare të publicistikës një ndër arsyet e moslëvrimit, nga shumë gazetarë, të kësaj publicistike, kufijtë e së cilës shtyhen deri në pragun e letërsisë?. Problemi është se, nga njera anë kjo lloj publicistike po braktiset gjithnjë e më shumë nga shkrimtarët, ose nga gazetarë që kanë talentin dhe intuitën përkatëse, nën presionin e gazetarisë së drejtpërdrejtë politike apo sociale, që sot duket se ka marrë kryet e vendit.
Pse vlerat e veçanta dhe roli që ajo mund të luajë sot në jetën shpirtërore të shoqërisë sonë, e dallojnë nga zhanret e tjera të publicistikës?
Sepse, në gazetari qëllimi thelbësor nuk është thjesht dhe vetëm përcjellja e faktit, apo e opinionit për një ngjarje apo person të jetës reale. Ndonëse REALJA është e fuqishme, dhe ndikimi te lexuesi është i drejtpërdrejtë, në llojet e publicistikës letrare ndikimi është më i tërthortë. Lexuesi shijon mënyrën se si publicisti e pasqyron REALEN, ai shijon gjuhën, figuracionin, trajtat e ndërtimit të rrëfimit. Në vështrim të parë duket sikur këto lloje, si fejtoni, skica, reportazhi letrar janë më paqësore, më të këndshme, ndonjëherë edhe me tone gazmore. Në to nuk kemi komunikimin e drejtpërdrejtë që ndërton një opinionist me lexuesin; përkundrazi gazetarit i pëlqen të jetë sado pak si shkrimtari, të ndërtojë një ligjërim të ngjashëm me atë artistik, të përfytyrojë në mënyrë të lirë trajta dhe tipare të dukurisë që paraqet, të ndërtojë një komunikim më special me lexuesin e vet. Pikërisht në këtë dukje “letrare” fshihet një qëndrim që, në formën e vet, e bën për vete lexuesin, e kënaq për ta tronditur, e qetëson për ta shqetësuar, ja bën ligjërimin e këndshëm për ta komplikuar thelbin e asaj që synohet të shprehë dhe bashkpërjetimin ndaj dukurisë për të cilën shkruhet. Pra, ka në dukje, një mospërputhje midis tonit “gazmor”, herë komik e herë sarkastik dhe thelbit kritik, demaskues të shkrimit, që përshkon lloje të tilla si p.sh fejtonin. Pikërisht në këtë “kundërvënie”, që realizon publicisti midis reales dhe ligjërimit publicistik të skicës, apo portretit, apo reportazhit letrar, qëndron suksesi dhe roli i veçantë që kanë llojet e publicistikës letrare. Nëse do t’i referoheshim letërsisë e dimë se efekti që krijon shkrimtari te lexuesi është shumë më i fuqishëm se njohja e së njëjtës dukuri që ekziston në jetën reale, sado tronditëse të jetë ajo. Ky është thelbi i artit. Këtë tipar të letërsisë publicistika letrare e ka bërë pjesë të vetën, më shumë se çdo lloj tjetër i zhanreve gazetareske. Mënyra se si ajo lidhet me lexuesin është e një lloji më të veçantë, sepse ajo duket sikur e josh atë për ta dëfryer, për t’i dhënë kënaqësi estetike. Në natyrën e vet lexuesi priret më shumë nga e këndshmja, humori, i pëlqen stili që ka elemente të figuracionit, të trillimit, sepse ka nevojë të çlodhet, të emocionohet, të shijojë batutën, humorin, befasinë e kuptimit të një personazhi apo dukurie të jetës së tij, të ndjekë ngjarje, vende, personazhe me përfytyrimet që i ngjall fjala e zgjedhur me mjeshtëri etj… Dhe, i futur në grackën që i krijon publicistika letrare, ai ndjen dhe përjeton thellë problemin, shqetësimin për atë dukuri sociale, politike e çfarëdo lloj që trajtohet. Për këtë arsye lidhja që krijojnë llojet e publicistikës letrare me lexuesin e sotëm, të lodhur, të mbingarkuar me analiza e opinione për ngjarje, që në fund të fundit ai i sheh me sytë e vet çdo ditë, është e një lloji të veçantë.
Sigurisht kur flitet për thelbin e publicistikës letrare, rolin që ajo mund të luajë në jetën tonë, të ngarkuar në mënyrë të tejskajshme, duhet të kemi parasysh se po aq delikate është ruajtja e kufijve, që mund ta kapërcejnë gazetarin ose drejt trillimit artistik, ose drejt shkrimit të karakterit të mirëfilltë publicistik.
Se sa interesante janë këto lloje të publicistikës letrare duket edhe në faktin se në letërsinë tonë bashkëkohore, postmoderniste, vihet re dukuria e depërtimit të elementeve të publicistikës. Kjo tregon se trajta të ngurosura nuk mund të ketë as në letërsi, as në gazetari. Por, nëse qëndrojmë në fushën e gazetarisë, lexuesi i sotëm ka shumë nevojë për larmi shkrimesh, pra dhe për ato lloje që i sigurojnë një dëfrim të mençur, që e bëjnë të mendojë dhe të përjetojë emocionalisht problemet e realitetit të sotëm.
Kjo çështje sigurisht i përket gjithë gazetarisë shqiptare, por ajo mund të diskutohet, në radhë të pare, në mjediset akademike të fakulteteve që përgatisin gazetarë, për të nxitur dhe kualifikuar ata studentë që e duan letërsinë, që kanë prirje krijuese. Ata duhen mësuar, nga specialistët e publicistikës letrare, të ushqejnë talentin e tyre në lloje të tilla si fejtoni, skica, përshkrimi, portreti, reportazhi letrar, etj. ku elementi i vëzhgimit, i faktit krijon një marrëdhënie të veçantë me fjalën dhe mendimin e figurshëm. Në qendër të vëmendjes duhet të kemi bindjen se gazetaria është një aktivitet edhe intelektual, edhe shpirtëror dhe se ndikim, që kanë te lexuesi llojet e publicistikës letrare, shpesh, është shumë më i fuqishëm se shkrime të karakterit të drejtpërdrejtë politik, social etj.