E Diel, 1 Nëntor 2026

ETO'O, kamerunasi i shndërruar në hero kombëtar

Vjen nga një vend i largët dhe i varfër, por duke besuar në realizimin e ëndrrës së tij ka arritur majat e futbollit. Eto, ndryshe nga shumë të tjerë, e ka fituar çdo qindarkë që merr me shumë mund dhe sakrifica

Italia, që do të mbajë kupën e botës edhe për disa ditë deri në shpalljen e skuadrës së re kampione të botës, është një vend ku kupa e botës merret shumë seriozisht. Ky vend është i mbushur me klube legjendare, që e kanë shndërruar lojën në një biznes fitimprurës dhe në një nga pikat më të forta. Këto klube janë në pronësinë e manjatëve ekstravagantë, të cilët i kanë kaluar 50 vitet e fundit, duke ndjellë dhe joshur me para të madhe lojtarët më të mirë të të gjithë globit dhe duke mbajtur gjallë një nga kampionatet më të shtrenjtë dhe më të bukur në botë. Po nga cili vend është sot lojtari më i paguar i Italisë? Ai nuk është nga Brazili apo nga Argjentina, që janë edhe vendet ku ndodhen “plantacionet” e talenteve futbollistike, madje as nga Franca, Gjermania apo Spanja, vende me traditë dhe teknologji të lartë për sa i përket futbollit. Lojtari me pagesën më të madhe në klubet italiane është një djalosh nga Kameruni me emrin Samuel Eto. Ndrysh nga shumë persona që janë pjesë e botës së egër e lakmitare të parasë së madhe futbollistike, Eto e ka fituar me djersën e ballit çdo qindarkë. Për tri herë rresht është shpallur lojtari më i mirë afrikan i vitit dhe në këtë kupë bote që po zhvillohet në kontinentin e tij ai ka ardhur si kapiteni dhe “mbreti” i pashpallur i Kamerunit dhe i armatosur me statistika të cilat vetëm ai i posedon: Eto është lojtari i parë që ka arritur të fitojë Ligën Kombëtare, Kupën Kombëtare dhe Kupën e Kampioneve me dy skuadra të ndryshme, duke e arritur një gjë të tillë një stinë pas tjetrës. Ky botëror është shansi që i jepet këtij lojtari me këmbë të arta që të shpalosë vlerat e tij të mëdha edhe në arenën e botërorit, në skenën më të madhe të planetit dhe të mendosh që futbolli tashmë është një lojë e përmasave të tilla sa shpesh konsiderohet si “feja ateiste”. Në botë, 30% e popullatës e konsiderojnë veten të krishterë, 20% myslimanë, por ata që i janë kushtuar futbollit, pasionit të kësaj loje me mish e me shpirt, janë njerëz që vijnë nga raca, kontinente dhe gjuhë të ndryshme. Kupa e Botës në Afrikën e Jugut është loja që bën bashkë më shumë njerëz se të gjitha rrjetet sociale të marra së bashku “Twitter”, “Facebook" e të tjera dhe ka gozhduar para ekranit miliarda vetë përmes transmetimit të 400 kanaleve televizive në 208 vende të ndryshme të botës. Kjo është shifra më e lartë e ndjekësve të kësaj loje në tërë historinë e deritanishme të kampionateve të futbollit. Kupa e Botës e 4 viteve më parë që u organizua në Gjermani pati një audiencë të ndeshjeve, në total, prej 26 miliardësh, sipas shifrave të FIFA-s. Por le t’i rikthehemi yllit të Kamerunit, që është një nga personazhet që e ka shndërruar këtë botëror në një shfaqje kaq të ndjekur. Historia e tij, sikundër edhe ajo e Didier Drogbasë nga Bregu i Fildishtë dhe i disa të tjerëve, është historia e një ndryshimi të madh të një njeriu që vjen nga një shtresë e ulët e varfëri e madhe dhe arrin të prekë majat e futbollit, famës dhe parave. Kur flet me një djalë si Eto befasohesh nga shpeshtësia me të cilën ai përmend fjalën “ëndërr”. “E gjithë jeta ime është një ëndërr, një ëndërr e bërë realitet, një ëndërr që do të përfundojë vetëm kur të mos luaj më futboll”, ka thënë në një intervistë të fundit.

Eto, 29 vjeç, është rritur në qytetin bregdetar të Doualës, ku jetonte me prindërit dhe 5 vëllezërit dhe motrat në kushte mjaft modeste, edhe pse shumë nga fqinjët e tij jetonin edhe më keq. Kur ishte ende i vogël i ati e humbi vendin e punës si llogaritar dhe e ëma atëherë çohej çdo ditë në 3 të mëngjesit për të blerë peshk në port dhe për ta shitur më pas në rrugë. Si çdo fëmijë tjetër afrikan, edhe Eto luante gjatë gjithë fëmijërisë futboll me këmbët e zbathura dhe topat e leckës. Ai ka një trup të lidhur mirë, por kur e sheh përballë duket më i hollë nga sa të krijon përshtypjen në ekran. Ai është i famshëm kryesisht si golashënues. Gjatë 5 viteve me Barcelonën u shndërrua në golashënuesin më të famshëm që kishte pasur ndonjëherë klubi katalanas. Por ka edhe nga ata që e vlerësojnë për aftësitë e tij në mbrojtje. Vetë lojtari thotë se kërkon që të jetë më i miri në të gjitha pozicionet e mundshme. Për të suksesi është një çështje zemre. Edhe pse fiton jashtëzakonisht shumë, ai nuk është subjekt zilish te shokët e skuadrës dhe ka gjithmonë një sjellje modeste. Ka karakter, vetëbesim dhe një sërë cilësish që e bëjnë të jetë ai që është edhe jashtë fushës. Për të arritur aty ku është sot e ka pasur shumë të vështirë, si gjithë djemtë e tjerë që vijnë nga Afrika. Ata që kanë fat të përzgjidhen nga trajnerët për të bërë një stërvitje më të kualifikuar kalojnë më pas një sërë presionesh të jashtëzakonshme fizike e psikologjike dhe kur arrijnë në majë presioni i madh vazhdon që të jetë gjithmonë i pranishëm, sepse ata që kanë paguar shuma të mëdha duan të shohin edhe rezultate. Ndryshimi i madh për Eto erdhi kur ishte 12 vjeç. Një akademi sportive, e quajtur Shkolla e Futbollit, vuri re potencialin e tij dhe e mori nën kujdesje. Prej andej ai u diplomua në shkollat më të mira sportive të vendit dhe përfaqësoi vendin e tij në kombëtaren e moshës nën 16 vjeç dhe pikërisht në këtë turne Real Madridi e vuri re talentin e ri dhe e thirri në Spanjë për një provë. Në moshën 14-vjeçare nënshkroi një kontratë dhe një vit më pas nisi jetën madrilene me të tjerë futbollistë të moshës së tij të rekrutuar nga Real Madridi. Biografitë e lojtarëve të famshëm janë të mbushura me rrëfime të trishta, të mallit për shtëpinë gjatë periudhës së adoleshencës dhe fazave të para të karrierës. Eto nuk e njihte gjuhën dhe as kulturën e vendit të ri, por çuditërisht nuk kishte aspak mall për familjen. “Unë kisha ëndrrën time dhe kur më erdhi rasti shkova për ta realizuar atë”, thotë lojtari. Malli për familjen do t’i kishte prishur punë në betejën e tij të përditshme për t’u trajnuar dhe për të ardhur në formën e duhur për një skuadër më të madhe. Frustrimi u shtua shumë, kur edhe pas dy vitesh stërvitjeje ai nuk kishte arritur që të dilte në skuadrën e parë të Realit. Eto u la në dispozicion të një klubi të quajtur Leganes dhe prej andej u zhvendos edhe në Majorka. Por më në fund ai iu shit Barcelonës. Ky ishte një gabim i madh i Realit, por kur e kuptoi ishte tepër vonë.

Sporti, e veçanërisht futbolli, është i mbushur me të papritura, me çudi. Por për sa i përket gjykimit të keq që Reali i bëri Eto gjithçka i doli për mbarë Barcelonës, që në fakt kishte bërë marrëveshjen më të rëndësishme të disa sezoneve. Skuadra katalanase fitoi Kupën e Spanjës në sezonin e parë pjesëmarrës të Eto dhe më pas ata fituan edhe Ligën Nacionale dhe Kupën e Kampioneve. Në 5 stinë futbollistike te Barcelona, Eto fitoi Ligën Spanjolle tri herë rresht dhe Kupën e Kampioneve dy herë. Më pas edhe Barcelona bëri një gabim, të cilin do ta qante shumë, kur la Eto që të shkonte tek ekipi i Milanit. Pikërisht kjo skuadër e nxori Barcelonën jashtë gjysmëfinales së Kupës së Kampionëve. Eto luante gjatë gjithë kohës sikur të ishte në luftë, gjë e cila i solli fitoren.
Për lojtarin afrikan kjo ishte një periudhë e mrekullueshme triumfi, suksesi dhe pasurie. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një sukses në fushën e blertë, por edhe jashtë saj. Lojtarë si Eto, Messi apo Kristiano Ronaldo janë lojtarë që ngjallin admirim kudo. Eto, Maradona, Drogba Pele, Rooney janë shndërruar në emblema të prestigjit kombëtar, duke luajtur rolin e gjeneralëve të mëdhenj, apo mbretërve që ishin njëherë e një kohë. Ata madje kanë marrë më shumë pushtet dhe vëmendje edhe se yjet e kinemasë. Shpesh detajet e jetës private të Bekamit janë më të rëndësishme se ato të Brad Pitt. Të paktën për sa i përket Eto, kjo është më se e vërtetë, duke qenë se në Kamerun ai është shndërruar në një magjistar të papërsëritshëm të fushës së blertë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›