Meshkujt, femrat dhe fjalët vulgare.
Pedagogu i famshëm rus, Makarenko, në librin e tij “Poemë Pedagogjike”, tregon se si nxënësit të ardhur nga rruga me gjithë veset e saj të këqija, arritën të edukonin djemtë e fshatit përreth kolonisë së tyre, të cilët pasi pinin, ziheshin e ofendoheshin me fjalë banale e tepër të rënda për veshët e të pranishmëve. Dhe kjo ndodhte në Rusinë e pas revolucionit, ku fshatarët e pabindur ende nuk e kishin mësuar se çfarë ishte kultura qytetare dhe cili ishte fjalori i ndaluar dhe cilat ishin fjalët që konsideroheshin si vulgare apo “të ndyra”.
Ndërkohë duket se tanimë në vitin 2010, në kohën kur vendi ynë bën hapa të rëndësishëm për të qenë pjesë e Europës së bashkuar, të rinjtë shqiptarë ende nuk e dinë se cilat janë fjalët që nuk duhen thënë në ambiente publike, bare e restorante, autobusë apo shezlone plazhi. Një çështje kjo që prej kohësh e ka bërë të vështirë frekuentimin normal të këtyre ambienteve ndërsa je në shoqërinë e miqve apo të familjarëve. Ditët e fundit të kampionatit e kanë bërë edhe më të dukshëm këtë problem, ku gjatë ndjekjes së ndeshjeve, kur shënohet gol, apo kur topi i shkon pranë portës, dëgjohen thirrjet, ulërimat dhe sharjet për futbollistët, apo arbitrin. Sharje që e kapërcejnë fjalorin normal e të pranueshëm për veshët e zonjave e të vajzave që frekuentojnë të njëjtin ambient. Por më e çuditshme është heshtja që e shoqëron këtë fenomen. Madje jo vetëm heshtje, por një indiferentizëm i pashpjegueshëm nga të gjithë të pranishmit. Askush nuk kthen kokën, e as nuk tronditet nga këto shprehje. Askush nuk ngrihet dhe t’u kërkojë këtyre njerëzve që të frenojnë sharjet dhe shpërthimet e tyre jonormale. Por ky fenomen ka arritur në një nivel tjetër, që mund të quhet tronditës, sepse tashmë ka prekur masivisht jo vetëm meshkujt, por edhe femrat, sidomos një farë moshe nga katërmbëdhjetë deri në tridhjetë vjeç.
Dëgjon femra, të cilat në emër të së drejtës për t’u shprehur lirshëm, arrijnë ta banalizojnë të folurën e përditshme, duke arritur në nivele të pahijshme e të fëlliqura. Kjo bëhet në emër të lirisë, të emancipimit, “se kështu bëjnë edhe europianët”, “se kështu shajnë edhe amerikanët”, apo se edhe në filma i thonë sharjet të plota dhe nuk e kufizojnë veten e tyre.
Madje ka edhe prej atyre femrave që këtë e quajnë një proces normal, që shoqëria shqiptare, pas një shtrëngimi pesëdhjetë vjeçar, duhet ta kalojë duke arritur kulmin e fenomenit negativ, ku njerëzit të jenë të lirë të shajnë e ofendojnë “larë e palarë”, dhe më pas të plotësuar nga kjo shfryrje, do t’i shtrëngojnë frerët e do të kthehen në normalitet. Një teori e cila nuk gjen plotësisht mbështetje në fenomenin që flasim. Sepse femrat dhe meshkujt që e kanë shthurur gjuhën, nuk kanë qenë pre e sistemit shtrëngues komunist, por më shumë janë bij të prindërve që kanë jetuar nën atë sistem. Po kështu pjesë e këtij sistemi janë mësuesit.
Pyes. Ku po edukohen këta fëmijë e të rinj? Kështu flasin në shtëpitë e tyre? Me nënat? Me motrat? Po këto vajza kështu flasin në sy të prindërve? Po këta prindër e mësues, a nuk u kanë shpjeguar vallë se sharjet dhe ofendimet nuk lejohen në ambiente publike? Po këto femra bukuroshe, të cilat kujdesen në mënyrë të veçantë për të gjithë pamjen e tyre të jashtme, duke filluar që nga maja e thoit, e deri te maja e flokut, nuk e kuptojnë se ndërsa flasin e shprehen me një harbutëri rrugësh, nuk bëjnë gjë tjetër veçse zhvoshkin çdo hijeshi të paraqitjes së tyre?
Po si ka mundësi që këto bukuri femërore nuk arrijnë të dallojnë, se edhe në filmat më ekstremistë amerikanë, ka një vend ku fjalori i shthurur mund të përdoret, ka një çast inati ku shfryrja mund të kuptohet e justifikohet, e këto lloj shprehjesh nuk janë pjesë e kafesë dhe e drekës së përditshme, madje jo vetëm kaq, por në shumë prej këtyre filmave që aspirojnë lirinë e fjalës, ka shembuj të pafund ku baballarët (meshkujt që fjalorin “e pistë” e kanë si buka që hanë), apo nëna (që jetojnë mes shthurjes morale), nuk lejojnë që në sy të fëmijëve të tyre të flitet me një fjalor të pahijshëm.
Se di se çfarë shpjegimi mund t’i japë një nënë fëmijës trevjeçar teksa dëgjon “tetën” përballë që i ulërin të dashurit të saj një breshëri fjalësh tepër të rënda.
Se di se kush do ta luajë rolin e nxënësve të Makarenkos këtu në Shqipërinë tonë të “pas revolucionit”, por uroj që një pjesë e shoqërisë sonë, sidomos ajo femërore, të kuptojë se shprehjet e pahijshme e vulgare nuk na bëjnë më të bukura, nuk na bëjnë më të forta, as nuk na bëjnë të ndihemi më të barabarta me meshkujt. Uroj që femrat të jenë të afta të kuptojnë se vetëm ato mund t’i vënë fre revanshit të pamend që ka pushtuar rininë tonë, duke e filluar këtë ndalesë nga vetja e tyre, e më pas duke ua imponuar edhe meshkujve që kanë përballë.
#