E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX 1 vit në Kosovë

PRISHTINE- Misioni i BE në Kosovë kujtoi sot një vjetorin e tij. Me këtë rast shefi i Eulex Ive De Kermabo u zotua se misioni që ai drejton do të vazhdojë pa kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në një vjetorin e punës së EULEX-it, Iv De Kermabo takoi udhëheqësit e vendit, presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi të cilët vlerësuan punën një vjecare të misionit. Kermabo nga ana e tij vlerësoi se Eulex ka arritur disa suksese, por mbeten ende sfida serioze vecanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Presidenti Fatmir Sejdiu duke vlerësuar si pozitiv bashkëpunimin midis EULEX-it dhe institucioneve vendore tha se EULEX-i është mirëpritur
nga qytetarët e Kosovës.

Mirëpo, qytetarët e Kosovës shprehen më kritikë. Ata thonë se janë të pakënaqur me punën e EULEX-it në Kosovë. Sipas tyre, ky mision ka premtuar më shumë se ka realizuar. EULEX-i është misioni më i madh i Bashkimit Evropian. Në këtë mision BE-ja ka angazhuar rreth 3000 punonjës, 1900 prej tyre ndërkombëtarë kryesisht policë, prokurorë, gjyqtarë dhe zyrtarë doganorë si dhe 1100 vendorë. Bashkimi Evropian për 16 muajt e parë të funksionimit të EULEX-it në Kosovë, ka akorduar rreth 205 milionë euro. Misioni i EULEX-it në Kosovë është i ndarë në tre Komponentë kryesor në atë për: Drejtësi, Polici dhe Doganë.
(m.a/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›