E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitingu i PD, PS: Qeveria harxhoi 4 mln euro nga buxheti i shtetit

TIRANE- Për socialistët festa e një dite më parë e qeverisë ishte antimiting shtetëror.
“Tentativa e Sali Berishës për të realizuar një antimiting shtetëror për të mos hapur kutitë, duke shfrytëzuar një datë historike për memorien e këtij vendi, i kushtoi shqiptarëve përvec kostove marramendëse dhe një ditë të parealizuar administrative” theksoi deputeti socialist Blendi Klosi.

Depuetët e selisë rozë akuzuan kryeministrin Berisha se me organizimin e mitingut ka shkelur disa ligje të vendit, sikundër ajo për shërbimin civil, ndërsa ka bllokuar shërbimet publike për qytetarët dhe ka paralizuar funksionimin e shtetit për një ditë të tërë.

“Është përdorur prona shtetërore për organizimin e këtij mitingu, karburant, makina, banderola e deri tek trenat e shtetit u vunë dje në shërbim të Sali Berishës. Punonjësit e institucioneve janë urdhëruar dhe kërcënuar nën frikën e vendeve të punës për të marrë pjesë në këtë antimiting. Është ndërprerë mësimi në shkollat e mesme dhe 9 vjecare në mënyrë që fëmijët e organizuar nën drejtimin e mësuesve të marrin pjesë në këtë antimiting.” u shpreh Klosi.

Depuetët e majtë deklaruan se kryeministri dhe qeveria e tij shkelën dje ligjin për statusin e nënpunësit civil, atë të etikës , si dhe ligjin për arsimin parauniversitar.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›