E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX Do te vazhdojme perkrahjen e Kosoves

Misioni i Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi EULEX do të vazhdojë të përkrahë institucionet e Kosovës, në mënyrë që të ketë përparime në fushën e sundimit të ligjit. Këto garanci i ka dhënë shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, pas takimit njohës që pati me Presidentin Behgjet Pacolli.
 
“Kam ardhur këtu t’ju siguroj që EULEX-i është i dedikuar të promovojë sundimin e ligjit në Kosovë dhe që jemi ngushtë të lidhur në fushën e politikës, sidomos t’i mbështesim institucionet e Kosovës  në fushës e sundimit të ligjit”, tha Xavier Bout de Marnhac, Shef i EULEX-it.
 
Presidenti Pacolli shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucioneve të Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in. “Konkluduam se bashkëpunimi duhet të jetë intensiv. Problemet janë evidente dhe mund të trajtohen vetëm nëse ato njihen dhe për këtë jemi dakord me z. De Marnhac që të bashkëpunojmë dhe një bashkëpunim që ka qenë do të jetë në të ardhmen edhe më intensiv”, tha Behgjet Pacolli, President i Kosovës.
 
Presidenti Pacolli ka zhvilluar një takim edhe me ambasadorin e Gjermanisë Hans Dieter-Steinbah me të cilin krahas tjerash ka biseduar edhe për dialogun që pritet të filloi shpejt me Serbinë. Ambasadori Steinbah ka shpehur qëndrimin e qartë të Gjermanisë se statusi i Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk do të jenë tema që do të diskutohen.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›