E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX, Limdal: Vetëm një sistem të sundimit të ligjit

EULEX-i zotohet se do të ketë vetëm një sistem të sundimit të ligjit, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë vend për strukturat paralele serbe të vendosura në veri dhe enklava serbe, të krijuara prej nëntë vjetesh.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal ka thënë se "për EULEX-in është e qartë se duhet të ketë vetëm një sistem të sundimit të ligjit funksional në Kosovë”.

“...ne po punojmë drejt arritjes së kësaj. Kjo do të arrihet duke punuar me institucionet kosovare të sundimit të ligjit. Ne do të sigurojmë se do të përmirësojmë sistemin aktual në Kosovë dhe kjo nënkupton se do të punojmë për interesin e të gjithë njerëzve në Kosovë", ka thënë Limdal.

Limdal nuk përjashton mundësinë e dialogut me serbët, në mënyrë që të arrihet qëllimi kryesor. "Nuk mund të arrini askund nëse nuk përfshihen në dialog dhe kjo është mënyra se si punon këtu EULEX-i. Kjo është rruga për të arritur qëllimin”, thotë Limdal, por duke potencuar se megjithatë EULEX-i nuk ka mandat që të nisë negociata për këtë qëllim.

Ndryshe, përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës tashmë kanë shprehur qëndrimin e tyre ndaj misionit evropian për sundimin e ligjit - nuk do të përleshen me ta, por do t’i injorojnë ata. Për serbët në veri, mision i vetëm legal mbetet edhe më tej UNMIK-u.

EULEX nuk jep ndonjë afat kohor se kur do të mund të krijohet një sistem i vetëm i sundimit të ligjit në Kosovë. Por, kanë shpresa të mëdha. /REL/Telegrafi/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›