EULEX arreston të tjerë të dyshuar për rastin "Bllaca"
Policia e EULEX-it ka arrestuar të martën një person të dyshuar për pjesëmarrje në dy tentativa vrasjeje që lidhen me rastin "Bllaca". Arrestimi është bërë me urdhër të gjykatësit të EULEX-it. Sipas një komunikate të EULEX, i arrestuari është Driton H., i cili akuzohet se ka marrë pjesë në dy tentativa për vrasje, një në nëntor të vitit 1999 në Prishtinë, dhe tjetra në qershor të vitit 2000 në Ferizaj. Driton H., është i arrestuari i dytë në rastin Bllaca, pas arrestimit të Nazim Bllacës, i cili kishte dëshmuar publikisht për vrasjet e pasluftës në Kosovë. Bllaca, nga fshati Ribar i Madh, ishte prezantuar para gazetarëve si ish-punëtor i SHIK-ut, ndërsa kishte pranuar se është autor i një vrasjeje dhe se ka marrë pjesë edhe në 17 raste të tjera që nga vrasjet, rrahjet dhe shantazhet që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë. Bllaca është në arrest shtëpie që prej 1 dhjetorit 2009. Ai akuzohet për vrasje, tentativë vrasjeje dhe krim të organizuar, ndërsa ndaj tij vazhdon masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë, me kërkesën e prokurorit të posaçëm. Ish-drejtuesit e SHIK-ut kanë hedhur poshtë rrëfimin e Bllacës, ndërsa kanë deklaruar se ai nuk ka qenë asnjëherë pjesë e kësaj strukture të sigurisë. Hetimet për këtë rast është duke i zhvilluar policia e EULEX-it, nën mbikëqyrjen e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm.