E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX dhe UNMIK sfidojnë Prishtinën, pretendime për rol primar



Megjithëse tejet e reduktuar në përbërje administrata e OKB-së në Kosovë, por edhe misioni i Bashkimit Europian, EULEX vazhdojë t’i shohin mandatet e tyre si tepër të rëndësishëm, duke sfiduar në këtë mënyrë Prishtinën zyrtare. UNMIK-u, thotë se detyra kryesore mbetet raportimi në Këshillin e Sigurimit edhe pse tashmë me një numër të reduktuar. Por ky nuk do të jetë roli i vetëm i këtij misioni, pasi UNMIK, pretendon të mbajë akoma rol primar në disa nivele dhe faktorë brenda dhe jashtë Kosovës, me Beogradin dhe me organizata të ndryshme ndërkombëtare. Indiferentë ndaj thirrjes së autoriteteve kosovare për transferimin e përgjegjësive ekzekutive mbetet edhe Zyra Civile Ndërkombëtare dhe EULEX-i.
Thirrjet e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, që misionet ndërkombëtare në vend të heqin dorë nga roli ekzekutiv dhe të përqendrohen në atë këshillues dhe lehtësues, u bënë të zëshme sidomos pas prezantimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. Por, zëdhënësi i ICO-së, Kai Mueller-Berner, tha se përparimi i institucioneve vendore në zbatimin e Planit Ahtisari do të përcaktojë ndryshimet e ardhshme në këtë mision. “Aktivitetet dhe struktura jonë nuk u përgjigjen pasqyrave të diktuara kohore, por përparimit të bërë në zbatimin e planit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, Planit të Ahtisarit, nga institucionet kosovare. Natyrisht që është përmbushur një pjesë e konsiderueshme e Planit të Ahtisarit, por kanë mbetur fusha të tjera si ajo e decentralizimit, veçanërisht në veriun e Kosovës”, tha Mueller-Berner, duke theksuar se ndryshimet eventuale në mandatin e misionit të ICO-së varen nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën. Në EULEX thonë se transferimi i kompetencave ekzekutive tek autoritetet vendore në fushat e sundimit të ligjit do të shkojë paralelisht me përmirësimin e gjendjes në gjyqësi, polici dhe në dogana. Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, sqaroi: “EULEX-i mund të largohet nga Kosova dhe t’i transferojë në mënyrë graduale funksionet e tij ekzekutive. Kjo do të thotë që sa më shpejt të përmirësohet puna e policisë, gjyqësisë dhe e doganave, aq më shpejt EULEX-i do t’i transferojë kompetencat ekzekutive”. Krasniqi tha se EULEX-i është i ftuar nga institucionet e Kosovës për të operuar në Kosovë me mandatin e dhënë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Mandati, i cili e përcakton EULEX-in si mision teknik me rol mbikëqyrës, ndihmues dhe këshillues me, siç thuhet, fuqi të kufizuar ekzekutive në fushën e sundimit të ligjit, u zgjat pa modifikime për dy vjet shtesë. Korniza vepruese e EULEX-it, sipas Krasniqit, mbetet në kuadër të këtij mandati.

Maqedoni, Ahmeti: “13 gushti të shpallet festë shtetërore”

Ditën e djeshme, më 13 gusht u mbushën nëntë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, që i dha fund konfliktit të armatosur mes forcave qeveritare maqedonase të sigurisë dhe guerilasve shqiptarë. Me ketë rast, Ali Ahmeti, kryetar i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, që në vitin 2001 ishte në ballë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, tha se kjo forcë politike kërkon që 13 gushti të shpallet festë shtetërore. "Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një pamflet politik apo një trakt për qëllime ditore propagandistike, por është një dokument me vlera historike dhe u arrit në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme të luftës së UÇK-së. Është e vetmja marrëveshje politike paqësore që ka arritur me sukses të avancohet dhe jetësohet brenda kësaj periudhe”, tha Ahmeti. Si arritje ai përmendi ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë dhe ndryshimin e statusit juridiko-politik të shqiptarëve në këtë vend. Kreu i BDI-së tha se pret që ndërkohë të hiqet nga rendi çështja e përdorimit zyrtar në shkallë vendi edhe të gjuhës shqipe, por edhe që të rritet ajo që ai e quajti mirëbesim mes dy komuniteteve më të mëdha, maqedonasve dhe shqiptarëve: “Është më se e vërtetë që nga institucionet drejtuese të vendit, siç është Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme e kështu me radhë, nuk drejtohen nga shqiptarë dhe është domosdoshmëri që për të patur besimin reciprok” - tha Ahmeti.

Serbi
Borxhi shtetëror kap shifra alarmante

Borxhi shtetëror në Serbi ka kapur shifra alarmante duke arritur në 10.8 miliardë euro në muajin qershor. Sipas të dhënave të publikuara nga Dhoma Ekonomike në Beograd, borxhi në fjalë është 953 milionë euro më shumë krahasuar me 31 dhjetorin e vitit të kaluar. Ndërkohë, raporti mes borxhit shtetëror dhe GDP-së është 32.7 për qind konkretisht 31.3 për qind më shumë nga sa ishte deri më 31 dhjetor të vitit 2009. Autoritetet në vend janë shprehur të shqetësuar në lidhje me këto shifra, duke pretenduar ndryshim të situatës.

Sarajevë
Akuza për gjenocid për katër serbë të Bosnjës

Katër ish-pjesëtarë të forcave speciale të serbëve të Bosnjës, janë akuzuar për gjenocid nga autoritetet e Bosnjë Hercegovinës, për përfshirjen e tyre të dyshuar në ekzekutimin e 800 myslimanëve në Srebrenicë, në vitin 1995. Në deklaratën e prokurorisë thuhet se personat Frank Kos, Stanko Kojiç, Vllastimir Golijan dhe Zoran Goronja, janë akuzuar për “pjesëmarrje direkte në ekzekutimin e më se 800 burrave dhe djemve myslimanë pas rënies “ së Srebrenicës në korrik të vitit 1995. Viktimat ishin ekzekutuar në një fermë në veri të Srebrenicës.

Greqi
Virusi i Nilit infekton edhe fëmijët

Mes të infektuarve nga virusi "Nili Perëndimor" në Greqi është edhe një fëmijë, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore greke.
Ky është rasti i parë i një fëmije, për të cilin laboratorikisht është vërtetuar se është infektuar nga virusi "nili perëndimor" i cili transmetohet kryesisht nga kafshimi i mushkonjave. Gjendja e fëmijës dhe e pacientëve të tjerë, të cilët kurohen nga ethet e nilit është e mirë. Autoritetet greke deri tani kanë konfirmuar 32 raste të etheve të “nilit” në vend, ndërsa dy prej tyre kanë vdekur javën e kaluar.

14 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›