Ndryshimet në qeveri, Berisha i premton PDU-së marrëveshje për bashkëqeverisje
Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje një takim me dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizin dhe Dashamir Tahirin më të cilët ka rënë dakord të nënshkruaj një marrëveshje bashkëpunimi në të ardhmen. Ky takim duket se i paraprinë ndryshimeve të ardhshme në qeveri. Sipas burimeve kreu i qeverisë pritet t’i japë një post ministri dhe disa poste të niveleve të tjera dytësore Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Gjatë takimit të djeshëm bashkëbiseduesit kanë rënë dakord për zgjidhjen e çështjës çame pa ndryshuar kufijtë me Greqinë si dhe për rritjen e përfaqësimit të komunitetit çam në administratën shtetërore.
Takimi
Të dy përfaqësuesit e PDU-së i paraqitën kryeministrit Berisha programin dhe aktivitetet e kryera nga kjo parti që nga formimi i saj. Ata e informuan gjithashtu për përpjekjet që po bëjnë për sensibilizimin dhe zgjidhjen e problemit të çamëve, duke e konsideruar atë si çështje e të drejtave të njeriut ku problemi i pronës është konform të gjitha ligjeve dhe konventave ndërkombëtare. Kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi i paraqiti nismat e ndërmarra nga PDU-ja për zgjidhjen e kësaj çështjeje, si kontraktimi i një studioje ligjore britanike, më e njohura në fushën e së drejtës evropiane për të drejtat e njeriut, për të zgjidhur ligjërisht çështjen çame në gjykatat ndërkombëtare. Kryeministri Berisha theksoi se vlerëson qëndrimin e PDU-së në Parlament në mbështetje të mazhorancës. “Mazhoranca i përmbahet parimit se sot ideali më i mirë kombëtar i shqiptarëve është ideali evropian , i integrimit të shqiptarëve në evropë dhe i trajtimit të të gjitha problemeve në përputhje me normat evropiane”, - është shprehur Berisha. Në këtë kontekst, theksoi kryeministri, qeveria mendon se problemi çam nuk përbën kategorikisht një çështje të ndryshimit të kufijve apo pretendimesh territoriale. “Problematika e tij duhet të trajtohet në përputhje me traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit që ekziston midis 2 vendeve tona”, - ka bërë të ditur kreu i qeverisë. Ndërsa për sa i përket një pike tjetër të ngritur nga përfaqësuesit e PDU-së siç është ai i integrimit të komunitetit çam në administratën shqiptare, kryeministri Berisha u shpreh i hapur për të ndërmarrë hapa konkretë për integrimin e këtij komuniteti pa asnjë lloj diskriminimi në administratë. Kryeministri Berisha u shpreh i hapur edhe ndaj kërkesave të tjera të parashtruara nga përfaqësuesit e PDU-së siç ishte ngritja e një komiteti kombëtar të diasporës, ringritja e shtëpisë muze të rilindasit Hasan Tasimi si dhe ndërtimi i varrezës së Kllogjerit në përkujtim të 2700 viktimave çame. Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha njëherazi kryetar i Partisë Demokratike dhe përfaqësuesit e PDU-së ranë dakord që të elaborojnë një marrëveshje kuadër për bashkëpunimin e ardhshëm midis dy forcave politike, duke nënkuptuar përfshirjen e PDU-së në koalicionin bashkëqeverisës.
Ndryshimet
Gazeta Albania në datën 30 korrik ka njoftuar për mundësinë e një takimi mes Berishës dhe Idrizit dhe për përfshirjen e kësaj partie në qeverisje. Burimet kanë bërë të ditur për gazetën se kreu i qeverisë pritet të bëjë së shpejti ndryshime në qeveri duke i dhënë një post PDU-së. Sipas burimeve, reformatimi i qeverisë është i diktuar, jo vetëm nga performanca e disa ministrave, por edhe nga nevoja për ruajtjen e maxhorancës prej 71 votash në parlament. Pikërisht, për të siguruar një maxhorancë solide prej 71 votash, kryetarit të Partisë Demokratike i duhet të “gostisë” të gjithë aleatët, në mënyrë që maxhoranca e tij të mos varet nga “oreksi” i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas burimeve të informacionit, kryeministri Berisha pritet të afrojë në qeverisje, Partinë për Drejtësi dhe Unitet që përfaqëson kryesisht interesat e komunitetit çam. Duke i dhënë PDU-së një post ministror dhe disa poste të nivelit të dytë dhe të tretë, atëherë, Berisha siguron dy vota për maxhorancën e tij, duke e çuar pikërisht në 71 vota të sigurta, duke mos numëruar katër votat e LSI-së, parti kjo, që ka vendosur të ruaj identitetin e saj të majtë, në disa raste. Me afrimin e PDU-së në qeverisje Berisha arrin të krijojë një frymëmarrje për qeverisjen e tij, duke garantuar numrin e mjaftueshëm të votave për të kaluar ligjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë, ashtu sikurse kërkon dhe projektligji i shumëdebatuar për Shërbimin Informativ Shtetëror. Po kështu, kreu i qeverisë i shpëton presionit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, qëndrimi i së cilës rrezikoi maxhorancën në votimin e projektit për SHISH-in, duke bërë që Berisha ta tërheqë nga votimi këtë draft.
Berisha: “Të merren masa të rrepta kundër ndotjes së bregdetit”
Kryeministri Berisha, i cili gjatë këtyre ditëve të nxehta ka alternuar punën me pushimet, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e qeverisë, është përqëndruar pikërisht te turizmi. Ai i ka bërë thirrje të gjitha autoriteteve që të marrin masa të rrepta kundër ndotjes së bregdetit. Berisha u shpreh se shteti do të veprojë me forcën e ligjit kundër të gjithë atyre që derdhin ujërat e zeza në det. “Unë ju kërkoj, ministrit të Mjedisit, ministrit të Turizmit, ministrit të Financave, të gjithë rreptësinë e ligjit ndaj tyre. Kjo përbën krim të rëndë kundër mjedisit. Në qoftë se babëzia të shtyn në këtë verbëri, edhe shteti do të tregojë të gjithë forcën e ligjit. Ndaj zoti ministër i Mjedisit keni bërë shumë mirë që i keni evidentuar dhe ia keni dhënë edhe medias, në mënyrë që e gjithë Shqipëria ta marrë vesh se këta janë një grusht shumë i vogël njerëzish të babëzitur, pasi shumica kanë bërë përpjekjet më maksimale për ta përballuar këtë fluks të madh turistik. Ndërsa ata, të cilët kanë shkelur çdo kondicion, kanë shkelur rregullat në kundërshtim me çdo standard dhe moral, do të ndëshkohen në mënyrën më të vendosur. E ngrenë biznesin mbi ujërat e zeza, ua japin të tjerëve, vijnë nga ana e anës dhe nuk respektojnë rregullin mbi të cilin kanë ndërtuar. Mediat kanë bërë shumë mirë që kanë raportuar, por kjo situatë ekziston tek Shkëmbi i Kavajës dhe në Golem, jo në territorin e Durrësit, pasi në Durrës ka kolektor të madh e të fuqishëm”, - është shprehur kreu i qeverisë. Më tej gjatë fjalës së tij Berisha vlerësoi zhvillimin e turizmit në vend dhe premtoi me shumë investime të qeverisë në komunat bregdetare të vendit. “Vetëm në 9 ditët e para të gushtit, tunelin e rrugës Durrës-Morinë e kaluan rreth 15 mijë qytetarë më shumë se gjatë gjithë gushtit të vitit të kaluar. Pra, ka pasur një vërshim të papara dhe unë dua të përgëzoj policinë kufitare, doganat, të gjitha institucionet, agjencitë, qeveritë vendore për përkushtimin serioz që kanë dëshmuar për mbarësinë e këtij sezoni.
Turizmi është shndërruar sot, në degë kryesore të ekonomisë së vendit. Në rast se në 7 muaj pati rreth 1 miliard dollarë eksporte, të ardhurat nga turizmi janë ndjeshëm më të mëdha dhe ato kanë një shpërndarje të shkëlqyer jo vetëm tek ata që presin pushues, por edhe tek një zinxhir i tërë prodhuesish. E vërteta është se në këtë vërshim masiv të turistëve drejt Shqipërisë ka një seri faktorësh pozitivë, por ndër më themelorët është infrastruktura. Investimet në infrastrukturë janë bërë përcaktuese në këtë zhvillim të madh e të shpejtë të turizmit”, është shprehur kreu i qeverisë.
Humor qeveritar
Berisha: “Peshkaqenët kanë punë me kryeministrin”
Në fund të fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e qeverishë Berisha gjeti rastin të bëjë humor me ministrat duke i treguar për rekordin e vendosur në not. “Për ta mbyllur, dua t’ju them dy gjëra, pas lajmit që tashmë ju e dini. Së pari, rekordin që shpall, unë ndjek shembullin e Sergei Bubkës. Të jem i sinqertë me ju, e shpall gjithnjë nën atë që realizoj, sepse viti i ardhshëm më pret. E dyta, gjëja më interesante ishte se kur dola në breg për të marrë medaljen, pashë majtas veten time, pashë djathtas sërish veten time. Kjo më prishi entuziazmin. Në not nuk isha vetëm. Një prej miqve më tha e di si është puna Sali, është e çuditshme, po ty të mban uji. Me tjetrin shkova më thellë. Ai nuk pranoi, duke më thënë se nuk shkonte se mund të kishte peshkaqenë. I thashë, ç’punë ke ti me peshkaqenët, ata kanë punë me kryeministrin, jo me ty”, - është shprehur Berisha.
Baraj: “Shqipëria nuk ka “boom” turistik, Berisha mashtron”
Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj akuzoi dje kryeministrin Sali Berisha se mashtron për “boomin” turistik të vendit. Reagimi i tij vjen menjëherë pas deklaratës së kreut të Ekzekutivit në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Baraj tha se faktet e publikuara nga vetë INSTA dhe Ministria e Financave, janë në kundërshtim të hapur me deklarimet e kryeministrit. Ndërkohë që Berisha i referohet “boom”-it turistik, Baraj i është referuar të ardhurave fiskale për periudhën qershor korrik të kësaj vere, që sipas tij, krahasuar me vitin e kaluar, tregojnë qartë se fatkeqësisht “boom” nuk ka. “Duke patur parasysh dhe përllogaritur inflacionin e periudhës dymujore për të cilën flasim që është 3,3%, qershor-korriku i këtij viti i krahasuar me një vit më parë shënon rënie të të ardhurave në total, stanjacion të plotë të të ardhurave tatimore dhe doganore, rënie të të ardhurave nga tatimi i vlerës së shtuar”, - deklaroi Baraj. Sipas tij, shifra më e rëndësishme që kundërshton haptazi deklaratat e Sali Berishës është rënia drastike me 15% e të ardhurave personale në periudhën qershor-korrik krahasuar me një vit më parë. ”Është për të ardhur keq që Sali Berisha vazhdon të gënjejë shqiptarët dhe të abuzojë me shifrat. Fatkeqësisht, krahasuar me një vit më parë, shqiptarët janë sot më të papunë dhe detyrohen të mbijetojnë me më pak të ardhura. Fajtor për këtë ka vetëm një njeri, Sali Berisha”, - u shpreh deputeti Baraj.
14 Gusht 2010