E Diel, 1 Nëntor 2026

Himara tensionohet në kulmin e sezonit turistik, 7 të rinj në pranga



Artan CENA
HIMARË - Në kulmin e sezonit të pushimeve në Himarë, situata është tensionuar në mënyrë artificiale. Pas një aksidenti të qëllimshëm ku humbi jetën një i ri nga Himara, banorët e qytetit, kryesisht emigrantët minoritarë të ardhur nga Greqia për pushime, kanë bllokuar rrugën që nga ora 22:00 e dy ditëve më parë. Si pasojë e bllokimit, më shumë se 4 mijë makina me turistë në dy anët e rrugës nacionale Vlorë-Sarandë janë bllokuar për më shumë se 14 orë.
E gjithë historia nisi dy ditë më parë rreth orës 22:00. Tre të rinj nga Vlora janë zënë me 35-vjeçarin Aristidh Gumi nga Himara dhe më pas e kanë goditur qëllimisht me makinë duke i sjellë vdekjen. Disa banorë kanë qenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje dhe e kanë nisur me urgjencë të riun për në spital, por ai ka humbur jetën. Një orë pas kësaj ngjarjeje është bllokuar rruga kombëtare.
Arrestimet
Policia e Shtetit bëri të ditur gjatë ditës së djeshme se ka vënë në pranga shtatë persona në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Himarë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se efektivët e Policisë së qarkut Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, në sajë të hetimeve të nisura pak momentet pas aksidentit të qëllimshëm, kanë bërë të mundur që të vejnë në pranga shtatë persona dhe një i tetë është shpallur në kërkim. Është pikërisht i riu në kërkim Ilir Muka ai që ka qëlluar me makinë 35-vjeçarin Gumi, pas një sherri të ndodhur në mbrëmje. Ndërkaq, policia tha se në pranga janë vënë: Aleksandër Gjokaj, 21 vjeç, Bledar Meminaj, 22 vjeç, Andi Kotorri, 25 vjeç, Juxhin Mustafaraj, 23 vjeç, Dijon Bushi, 19 vjeç, Fabjon Jahaj, 21 vjeç dhe Endrit Salataj, 22 vjeç, të gjithë banues në Vlorë dhe të padënuar më parë. Policia tha se veç të arrestuarve është shpallur në kërkim policor Ilir Muka. Sipas të dhënave, arrestimi i këtyre personave dhe shpallja në kërkim e shtetasit Ilir Muka është bërë pasi ata akuzohen si autorë të veprave penale të “vrasjes me dashje” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Ngjarja
Dy ditë më parë, rreth orës 22:00, Aleksandër Gjokaj, Bledar Meminaj, Andi Kotorri dhe Juxhin Mustafaraj, teksa udhëtonin me një mjet tip “Audi” me ngjyrë gri, me targa angleze, me drejtues mjeti Ilir Mukën, në aksin rrugor Himarë (qytet) - Himarë (fshat), pas një debati me fjalë për motive banale me Aristidh Gumën, banor i fshatit Himarë, i cili po udhëtonte me motoçikletë në të njëjtën rrugë, në vendin e quajtur Avli, e kanë goditur atë me automjetin e tyre duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje ata janë larguar dhe janë fshehur në vendin Përroi i Vishës, ku i kanë telefonuar tre shokëve të tyre, Endrit Salataj, Dijon Bushi dhe Fabjon Jahaj, të cilët udhëtonin pas tyre me automjetin me targa VL 8312 C në momentin e ngjarjes. Këta të tre e kanë marrë Mukën dhe janë larguar për në drejtim të Jalit me qëllim fshehjen e tij. Policia e Shtetit tha se po vazhdon kërkimet për kapjen e Ilir Mukës.

Asnjë i ndaluar për bllokimin e mijëra turistëve
Ndërsa Policia e Shtetit bëri të ditur dje se ka ndaluar të rinj që dyshohet se kanë kryer krimin dhe të tjerët që e kanë ndihmuar autorin e ngjarjes që të largohet, nuk ka ndaluar asnjë person në lidhje me bllokimin e rrugës për më shumë se 14 orë dhe për ndalimin e qarkullimit të mijëra turistëve. Në raste të tilla, uniformat blu kanë bërë shoqërimin e organizatorëve të këtyre tubimeve që kanë sjellë bllokim të rrugës, por këtë herë asnjë himarjot apo emigrant minoritar i ardhur nga Greqia për pushime nuk është shoqëruar. Është një nen në Kodin Penal shqiptar ku flitet për organizime të tubimeve të paligjshme dhe bllokimin e rrugëve, por siç duket, në këtë rast kjo pikë e Kodit nuk ekziston.

Kodi Penal/ Neni 262
Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme
(Shtuar paragrafi III me Ligjin Nr.8733, datë 24.1.2001, neni 59)
Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Pushimet në Himarë të kryeministrit
Vetëm një ditë para se të nisnin incidentet, në Himarë po kalonte pushimet dhe kryeministri Sali Berisha. Gjatë ditëve të pushimit të tij në bregdetin e Jugut, kryeministri bëri dhe disa dalje publike ku u takua me pushuesit dhe më drejtues vendorë. Gjithashtu ai përuroi dhe disa rrugë që lidhin bregdetin me zonat e banuara.

Sherret e tjera
Gjatë një komunikimi me median, Policia e Shtetit tha se, në të njëjtën ditë Ilir Muka, rreth orës 13:00, është konfliktuar për motive banale me disa banorë të Himarës, por kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me viktimën. Ndërkohë po punohet në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.

Greqia: Incidenti mund të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe
ATHINË - Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Gregori Delavekouras lëshoi një komunikatë ditën e djeshme ku shprehu ngushëllimet e tij më të thella për vdekjen e 35-vjeçarit Aristidh Guma dhe ngushëlloi të afërmit e tij. "Këto veprime kriminale janë të papranueshme dhe kanë për qëllim nxitjen tensioneve etnike me pasoja të paparashikueshme që mund të dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë. Incidenti duhet të dënohet nga e gjithë shoqëria shqiptare dhe përfaqësuesit e saj politikë. Qeveria shqiptare duhet të sigurojë hetim të drejtë dhe të shpejtë për këtë ngjarje, që është i përgjigja e vetme praktike për shqetësimet legjitime të minoritetit grek në Shqipëri", thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat greke nga Ministria e Jashtme helene.

Bllokohet dhe zhbllokohet disa herë rruga
Rruga nacionale Vlorë-Sarandë u bllokua që nga ora 22:00 dy ditëve më parë deri në orën 11:30 dje. Pasi u hap, 30 minuta më vonë aksi kombëtar u pengua sërish nga protestuesit nga Himara. Rruga, e cila ishte bllokuar për 12 orë, mbeti e zhbllokuar vetëm për 40 minuta. Por, rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, banorët e Himarës e kanë bllokuar sërish rrugën Himarë-Livadhë. Rruga qëndroi për mëse 1 orë e hapur dhe më pas banorët, sapo ka përfunduar ceremonia e varrimit të 32-vjeçarit Aristotel Guma, e kanë bllokuar sërish atë. Gjatë zhvillimit të ceremonisë mortore të 32-vjeçarit kanë qenë të pranishme edhe forca të shumta policie, të cilat kanë qenë në gatishmëri për ndonjë incident të mundshëm.

Bollano: “Vrasja, me motive nacionaliste”
HIMARË - "Sipas të dhënave, informacioneve që kemi nga dëshmitarët okularë, dje ka qenë një grindje banale me motive etnike, e cila në darkë përfundoi me gjestin kriminal të atyre djemve që ishin grindur gjatë ditës duke e goditur me makinë pas motoçikletën, siç ishte në udhëtim dhe duke e shtypur. Ne kemi informacionet e dëshmitarëve okularë që bënë dhe njohjen e personave që ishin grindur gjatë ditës, po ata persona e goditën me makinë. Situata nuk mund të jetë e qetë pas një akti të tillë kriminal. U mbajt rruga e bllokuar rreth 14-15 orë. Me konsensusin e familjes u hap rruga", - tha Bollano. Ndërsa pyetjes se a do të jenë të qetë turistët që po vazhdojnë pushimet në Himarë pas këtij incidenti, Bollano u përgjigj: "Nuk na intereson shumë. Nuk na intereson ai, bile diskutohet që mund të kalojmë dhe në ekstrem, mos të pranojmë asnjë deri në datën 15:00, të cilët kanë prenotuar ambiente në Himarë".

Kryepeshkopi Anastas ngushëllon familjen e viktimës
TIRANË - Pas aksidentit që i shkaktoi vdekjen 35-vjeçarit himariot reagoi edhe kryepeshkopi Anastas Janullatos, duke ngushëlluar familjen për humbjen e të afërmit të tyre. “Ngushëlloj me gjithë shpirt familjen e tij dhe lutem që Perëndia të preh në paqe shpirtin e tij. Veprime të tilla dhune të paargumentuar, të dënueshme pa asnjë ekuivok nga çdo person me arsye, përbëjnë kërcënim për cenimin e klimës së bashkekzistencës paqësore, për të cilën të gjithë qytetarët e përgjegjshëm të Shqipërisë kanë bërë vazhdimisht përpjekje“, - thuhet në deklaratën e tij. Më tej kryepeshkopi bën thirrje për gjakftohtësi nga ana e banorëve të Himarës, të cilët në shenjë proteste për vrasjen e 35-vjeçarit Aristotel Guma kanë bllokuar aksin Vlorë-Himarë, duke shkaktuar radhë kilometrike. Kryepeshkopi ka kërkuar që Drejtësia të hetojë për këtë ngjarje. “Në këtë moment kritik prej çdokujt kërkohet përgjegjshmëri dhe gjakftohtësi, shmangie të akteve të hakmarrjes, investigim për të vërtetën dhe imponim të drejtësisë. Për më tepër është e domosdoshme që të intensifikohen përpjekjet që të sigurohen liritë e çdo qytetari dhe në përgjithësi të të drejtave të njeriut“,- përfundon deklarata e kryepeshkopit.

Incidenti me gazetarët
Një gazetare, së bashku me operatorin Erand Haruni, kanë qenë duke filmuar dhe dy persona i kanë kërkuar kamerën. Edhe pse të rrethuar nga policët, personat kanë mundur që ta arrijnë duke e qëlluar me thikë dhe duke i shkaktuar fatmirësisht plagë të lehta. "U sulën dy veta, - rrëfen operatori, - ishim të rrethuar me policë, por gjithsesi blutë thjesht ngushtuan rrethin në mënyrë që banorët të mos afroheshin teksa duket se kishin marrë urdhër për të shmangur incidentet. Por ata nuk u ndalën dhe arritën të thyenin kamerën dhe mikrofonin. Më pas, një nga policët mori kamerën në mënyrë që banorët të shkonin drejt tij e për t'i shmangur ndaj meje. Duhet të isha larguar më parë, por mendova që do të ishte mirë ta filmoja situatën deri në fund", - rrëfen i shokuar operatori i medias vizive. Mësohet se pamjet filmike të dhunës së ushtruar ndaj Erand Haruni ndodhen pikërisht në kamerën që u thye nga banorët. Personat që sulmuan janë emigrantë në shtetin grek që kthehen gjatë verës.

14 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›