E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX e fton edhe “Sulltanin” të vije në Prishtinë

(E plotësuar) Mësohet se EULEX-i, fillimisht do të merret me të dyshuarit kryesor të “Grupit të Drenicës” dhe pas disa ditëve do të intervistohen edhe të tjerët, që në total janë 17 të dyshuar.

-------

Ibrahim Shala, zëdhënës në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka deklaruar për Indeksonline se, Jahir Demaku është pjesëtarë i FSK-së dhe i njëjti sot është ftuar nga EULEX-i për intervistë.

“Kolonel Demaku e ka informuar komandantin për këtë ftesë dhe në rroba civile ka shkuar në EULEX. Ne ende nuk kemi ndonjë informacion shtesë në lidhje me këtë rast”, ka thënë Shala.

-------

Burimet e Indeksonline kanë treguar se hetuesit e EULEX-it e kanë ftuar që të paraqitet në EULEX edhe Sylejman Selimin, ambasadorin e Kosovës në Shqipëri.

Ai ende nuk është paraqitur në bazën e EULEX-it, por sipas burimeve, nëse ai nuk vjen në intervistë do të shpallet flet arrest për të.

Tomë Gashi, avokat i Sylejman Selimit, ka sqaruar se, nuk është e vërtetë që është ngritur aktakuzë kundër klientit të tij, Sylejma Selimit, kinse për maltretim të civilëve në periudhën e luftës në Kosovë.

Po ashtu, sipas Gashit, nuk është e vërtetë se EULEX të ketë lëshuar urdhër-arrest kundre tij.

“Unë atë e kam informuar dhe ai do të kthehet në Kosovë për të dhënë sqarime tek prokurori apo tek gjykatësi kompetent”, ka thënë Gashi, për Indeksonline. /Indeksonline/

--------

Pas intervistimit, hetuesit e EULEX-it e kanë ndalur për 24 orë në arrest Sami Lushtakun. Ketë e ka konfirmuar avokati i tij, Arianit Koci.

Të arrestuar janë edhe Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi.

Sipas avokatit Koci, EULEX-i ende nuk ka ngritur aktakuzë, mirëpo e ka intervistuar Lushtakun për krime të supozuara te kenë ndodhur gjatë luftës në bashkëkryerje.

“Lushtaku dyshohet për shkeljen e konventave të Gjenevës, e jo për dhunim. Por, ai është pafajshëm”, ka thënë Koci për Indeksonline.

Sami Lushtaku do të paraqitet nesër në orën 15:00 përballë trupit gjykues. Deri në këtë kohë ai do të qëndroj nën masën e ndalimit policor. nesër ai do të qëndrojë i arrestuar. Prokuror i këtij rasti është Mauricio Salustro./Indeksonline/

-------

Policia e EULEX-it në bashkërendim me Njësinë e Operacioneve Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), kanë arrestuar pesë persona.

“Pesë individët janë duke u hetuar për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc (komuna e Skenderajit). Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili si krim lufte”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Arrestimet janë urdhëruar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Rasti është duke u hetuar nga një prokuror special i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).

-------

Të akuzuarit janë duke u marrë në pyetje në kampin “Alfa Bravo” te EULEX-it, në Fushë Kosovë.

Intervistimet kanë nisur rreth orës 09:00. Burimet e Indeksonline brenda EULEX-it kanë thënë se, hetuesia rreth orës 08:00 i ka ftuar të akuzuarit që të paraqiten për intervistim./Indeksonline/

------

Përveç Sylejman Selimit dhe Fadil Demakut, Indeksonline mëson se të gjithë të akuzuarit të tjerë nga “Grupi i Drenicës” janë duke u marrë në pyetje nga prokurorët e EULEX-it.

Sahit Jashari ka qenë i pari që ka shkuar në EULEX për intervistim, pas tij, Sami Lushtaku dhe të tjerët.

Inderksonline ka tentuar të kontaktoj me Sami Lushtakun, por në telefonin e tij celular është paraqitur i biri i tij. Ai ka thënë se për gjithçka duhet të kontaktohet me avokatin e Samisë./Indeksonline/

------

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë sot ndaj Sylejman Selimi, ambasador i Kosovës në Shqipëri, Fadil Demaku, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skenderajt, Shtilli -truproja i kryeministrit Hashim Thaçi, Sabit Gecit, Sahit Jashai, Ismet Haxhes, e disa të tjerëve.

Sipas burimeve të Indeksonline ata akuzohen për torturim, dhunim e keqtrajtim të popullatës civile gjatë kohës së luftës.

Zëdhënësi i Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, Blerim Krasniqi ende nuk ka një informacion që është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ai tha se është në përpjekje të kontaktojë më dikë nga prokuroria speciale.

Indeksonline kishte raportuar javë më parë se Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, ka nisur hetime kundër ish-Komandantit te Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, dhe ndaj disa ish-ushtarakëve tjerë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›