Spiunët e Serbisë s’kanë vend në AKI

Spiunët e Serbisë që veprojnë në veri të Kosovës, asnjëherë në jetën e tyre s’do të mundë të bëhen pjesë e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Të paktën këtë privilegj ata nuk do ta kenë nëse do të pyeten deputetët kosovarë, përkatësisht anëtarët e Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së.
Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Fadil Demaku, të mërkurën ka përjashtuar çdo mundësi që përfaqësuesit e strukturave inteligjente të Serbisë, që operojnë në pjesën matanë lumit Ibër të mund të kyçen ndonjëherë në AKI. Më këtë rast, ai tërhoqi vërejtjen se personat që kanë qenë pjesë e një shërbimi inteligjent duke i shërbyer një vendi tjetër, në asnjë mënyrë nuk mund të jenë pjesë edhe të një institucioni të sigurisë të një vendi tjetër, shkruan Zëri.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime kanë të drejtë të konkurrojnë që të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës, por njerëzit që kanë qenë pjesë e një strukture inteligjente në shërbim të një vendi tjetër, assesi nuk mund të jenë pjesë e një institucioni të një vendi tjetër, sepse natyra dhe ndjeshmëria e punës nuk lejon diçka të tillë”, ka thënë deputeti i PDK-së, Demaku, duke shtuar se pastaj agjentët e shërbimeve serbe informative mund të bëhen edhe agjentë të dyfishtë e të trefishtë. Në këtë drejtim, ai tërhoqi vërejtjen se tendencat që agjentët serbë të përshihen në strukturat e sigurisë të shtetit të Kosovës ekzistojnë gjithmonë, porse porositi institucionet shtetërore që të jenë të vëmendshme dhe në funksion të përgjegjësive të tyre, ”që njerëzit të cilët nuk janë të përshtatshëm dhe nuk i plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e institucioneve të sigurisë, në asnjë mënyrë të mos lejohen të jenë pjesë e strukturave të sigurisë, e sidomos pjesë e inteligjencës duke marrë parasysh ndjeshmërinë e punës”.
Ai nuk mohoi faktin që AKI-ja ta ketë listën e agjentëve serbë që veprojnë në veri.Një mendim të ngjashëm ka shfaqur edhe anëtari tjetër i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Burim Ramadani, i cili përjashtoi mundësinë në mënyrë kategorike që mundësia e përfshirjes së një strukture të inteligjencës së Serbisë në AKI të jetë pjesë e marrëveshjes së 19 prillit të arritur në mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq.
“Asnjë lloj gjase nuk ka që njerëzit e infiltruar në agjenturat e caktuara të Serbisë të jenë pjesë e AKI-së. Absolutisht jam i sigurt se asnjëlloj strukture e inteligjencës e Serbisë nuk është pjesë e marrëveshjes së arritur. Nuk duhet të jetë dhe nuk do të jetë. Definitivisht, kjo është tepër e qartë, sepse AKI-ja është agjenci e Kosovës”, ka thënë deputeti nga AAK-ja, Ramadani.
Ai rikujtoi se për të qenë pjesë e AKI-së duhet të kalohet nëpër të gjitha procedurat e verifikimit dhe në këtë aspekt ai beson në angazhimin dhe bashkëpunimin e partnerëve strategjikë, për të ndihmuar në verifikimin e njerëzve të caktuar, sikurse janë shërbimet informative serbe që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës.
Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërkaq, të mërkurën kanë zhvilluar një takim me Njësitin verifikues të NATO-s, takim i cili ka qenë i mbyllur për gazetarë./Indeksonline/