E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i duhet të forcojë prezencën në veri

Temë bosht e takimit ishte Strategjia Gjithëpërfshirëse për Veriun dhe roli i Bashkimit Evropian në kuadër të zbatimit të kësaj strategjie.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se kjo strategji synon që të integrojë këtë pjesë të Kosovës, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme demokratike për vënien e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Në këtë drejtim, theksoi Kuçi përkrahja që Bashkimit Evropian mund t’i jipte implementimit të kësaj strategjie, nëpërmjet EULEX-it, është esenciale në krijimin e besimit tek të gjithë qytetarët Kosovës.

"Strategjia Gjithëpërfshirëse për Veriun nuk nënkupton asgjë më shume se strategji për demokratizimin e vendit, forcimin e rendit dhe ligjit në çdo pjesë të territorit të Kosovës, përfshirë këtu edhe veriun e vendit. Prandaj, ne kemi nevojë që Bashkimi Evropian të ndikojë tek Serbia për qasjen e saj konstruktive ndaj Kosovës”, tha Kuçi.

Nga ana e tij, Jonas Jonsson, shef i Zyrës së Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit të BE-së, theksoi se për shkak të mungesës së plotë të unitetit të Brukselit zyrtar, Bashkimi Evropian nuk mund të jap qëndrim të saktë lidhur me këtë strategji. Megjithatë, të pranishmit ranë dakord se EULEX duhet të forcojë prezencën në veri dhe duhet të krijojë ambient të përshtatshëm për normalizimin e situatës, nëpërmjet rifunksionalizimit të gjykatës, kthimit të pikave doganore dhe funksionimin e komandës policore.

Në këtë kuadër, zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se Kosova nuk kërkon asgjë më tepër nga EULEX-i sesa kryerjen e mandatit që ka, prandaj roli i EULEX-it nuk duhet të shihet nga një perspektive tjetër. Në takim u diskutua edhe për domosdonë e përshpejtimit të liberalizimit të vizave. Kuçi kërkoj nga përfaqësuesit e Këshillit të BE-së që të bëhen hapa konkretë për përshpejtimin e dorëzimit të udhërrëfyesit për procesin e liberalizimit të vizave.

Përfaqësuesit e Këshillit theksuan se nuk do të mungojë mbështetja e përfaqësuesve evropianë lidhur me këtë çështje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Po ashtu në këtë takim u bisedua edhe për modalitetet e pjesëmarrjes së Kosovës në iniciativat rajonale. Përfaqësuesit evropian, përshëndetën përgjigjen pozitive të Kryeministrit të Kosovës lidhur me Samitin që do të mbahet në Slloveni dhe siguruan zëvendëskryeministrin Kuçi, se do të bëhet ç’është e mundur që Kosova të mos bllokohet nga Serbia dhe Bosnja e Herzegovina në iniciativat e bashkëpunimit rajonal.

Përfaqësuesi evropian theksuan se nuk mund të ketë bashkëpunim rajonal dhe integrim të rajonit në Bashkimin Evropian pa pjesëmarrjen e Kosovës, prandaj Serbia duhet të luaj rolin konstruktiv dhe të tregohet më bashkëpunuese në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›