E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i i vazhdon plumbat e UNMIK-ut

EULEX-i nuk ka kohë dhe vullnet politik (guxim
jo se jo) të merret me kriminelët e Serbisë në Kosovë, dhe as me politikanët e
korruptuar. Ai nuk ka ardhur këtu as për ta hetuar pasurinë milionëshe të
udhëheqësve politikë në vendin tonë. Jo. EULEX-i ka ardhur në Kosovë të
arrestojë ushtarë të thjeshtë të UÇK-së dhe shqiptarë që kërkojnë vetëvendosje

Nga Vetëvendosje!

Sot EULEX-i e riaktualizoi procesin e montuar
politiko-gjyqësor që UNMIK-u kishte filluar kundër Albin Kurtit gjatë vitit
2007.

Ky proces ka të bëjë me demonstratën e 10
shkurtit të atij viti. Në atë demonstratë policia rumune e UNMIK-ut vrau Arben
Xheladinin dhe Mon Balajn si dhe plagosi mbi 80 demonstrues paqësorë.

Jo vetëm organizatat e mëdha ndërkombëtare për
të drejtat e njeriut, siç është, ta zëmë, Amnesty International, konkluduan se
demonstruesit ishin përbrenda kornizës paqësore të protestës, por vetë raporti
i Kryeprokurorit të OKB-së për këtë çështje, Robert Dean, megjithëse e fshehu
arsyen e vërtetë politike dhe urdhërdhënësit politikë, erdhi në përfundim se
reagimi i dhunshëm i policëve ishte gabim i shmangshëm i policisë.

Me rihapjen e rastit të Albin Kurtit, EULEX-i
ka zgjedhur paturpësisht ti vazhdojë plumbat e UNMIK-ut. Albin Kurti
padrejtësisht u mbajt në burg nga UNMIK-u për gati një vit (shkurt 2007-janar
2008) dhe me aminin e udhëheqësve politikë të Kosovës. Ai u mbajt në burg për
krimet që UNMIK-u i kishte bërë vetë më 10 shkurt 2007.

Albin Kurti, së bashku me 14 aktivistë të
VETËVENDOSJE!-s, janë njerëzit e vetëm që kanë qëndruar në burg për rastin e 10
shkurtit. Në vend që të arrestoheshin kriminelët, u arrestuan të vrarët, të
plagosurit e demonstruesit paqësorë.

Politikanët e Kosovës, si bashkëpjesëmarrës në
këtë krim, heshtnin dhe gëzoheshin. Se EULEX-i jo vetëm që po e vazhdon
misionin e UNMIK-ut por edhe krimet e tij, tregon më së miri edhe nxjerrja nga
sirtarët e pluhurosur të UNMIK-ut të këtij rasti të montuar politik kundër
udhëheqësit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

EULEX-i nuk po ka kohë të merret me gabimet e
veta: ai po mbron krimet e UNMIK-ut. Vetë UNMIK-u e ka pranuar krimin dhe e ka
mbyllur procesin. Kurse EULEX-i po e konsideron ende të përdorshëm këtë krim të
UNMIK-ut.

UNMIK-u u mbrojt nga krimi i vet: policët
rumunë u kthyen në shtëpitë e tyre, kurse Komisari i Policisë, Steven Curtis
iku nga Kosova; familjarët e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt nuk u lejuan që ta
padisin UNMIK-un në të vetmin vend ku është e mundur në Panelin Këshillues të
të Drejtave të Njeriut, të themeluar nga vetë UNMIK-u. 

Jo se ra ky rast e ne e njohëm fytyrën e
vërtetë të EULEX-it.

Ne e kemi parë këtë fytyrë gjatë vitit 2008,
atëherë kur EULEX-i pranoi që të hynte nën ombrellën e UNMIK-ut, dhe që të
vendosej nëpër Kosovë pasi pranoi kushtet e Beogradit.

Këto kushte ishin që EULEX-i të vepronte si
UNMIK i ri nëpërmjet Rezolutës 1244, meqë Serbia vetëm UNMIK-un e pranon,
UNMIK-un për të cilin dritën jeshile më 1999 e dha vetë Milosheviqi.

Dhe nuk mund të presësh mjaltë nga miza, apo
jo? Ne e pamë fytyrën e këtij misioni kur ai u pajtua të mos ia prekte
strukturat paralele Serbisë, të cilat e luftojnë dhe e pamundësojnë
sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Edhe kur ai e nënshkroi
Protokollin për bashkëpunim Policor me Serbinë gjatë vitit të shkuar. Dhe nuk
është hera e parë as e fundit që do të njohim EULEX-in gjithnjë e më shumë.
Protokolle tjera do të vijnë dhe EULEX-i do të punojë për Planin 6 Pikësh.

EULEX-i ka marrë nga UNMIK-u 1,200 dosje për
raste të veçanta. Shumica prej tyre janë dosje politikanësh të korruptuar, krim
politik e ekonomik.

Por EULEX-i i ka lënë këto dosje me një anë
dhe ka zgjedhur riaktualizimin e procesit të turpit, që rri si njolla më e
shquar e zezë në biografinë antishqiptare të UNMIK-ut, për ta treguar kaq
vendosmërisht zellin e tij proserb.

Albini është thirrur që të shkojë në gjykatë
më 15 shkurt.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›