E Shtunë, 31 Tetor 2026

IFC-ja gati 100 milionë euro për Evropën Qendrore e Lindore për përballimin e huave të këqija

Uashington, 24 janar NOA - IFC-ja, anëtare e
grupit të Bankës Botërore, sot bëri të ditur se ka vendosur të investojë deri
në 100 milion euro për blerjen e kredive të këqija në Evropën Qendrore dhe
Lindore, duke punuar sëbashku me Värde Partners L.P., një firmë e specializuar
për borxhet dhe aktivet e këqija.

Projekti i propozuar i bashkë-investimit, i
cili do të përfshinte deri në rreth 450 milion euro investime, synon të
ndihmojë ekonomitë e vendeve të rajonit për t'u rimëkëmbur nga kriza përmes
trajtimit të problemit të borxheve të këqija dhe aktiveve problematike.

Ky projekt për të hequr aktivet problematike
nga bilancet e bankave, i miratuar sot nga bordi i IFC-së, ka për qëllim të
sigurojë që bankat në këto tregje në zhvillim të jenë në gjendje të vazhdojnë
të japin financime për bizneset dhe kredi për konsumatorët, të nxisin
veprimtaritë ekonomike dhe të krijojnë vende pune.

Projekti gjithashtu do të kontribuojë për
zhvillimin e një tregu transparent të aktiveve problematike, duke përmirësuar
kështu efektivitetin e tregut.

Evropa Qendrore është një nga rajonet e
prekura më shumë nga kriza financiare, që ka çuar në një rritje të madhe të
kredive të këqija të bankave. Përmes investimit në këto kredi të këqija, ne
mund t'i ndihmojmë bankat që t'i rishpërndajnë aktivet e tyre në ekonomi, duke i
dhënë një shtysë rimëkëmbjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës tha Lars
Thunell, zv/President Ekzekutiv dhe Krye Punonjësi Ekzekutiv (CEO) i IFC-së.

Kjo strategji bashkë-investimi bën pjesë në
Programin e Rikuperimit të Borxhit dhe të Aktiveve, i bërë publik nga IFC-ja
gjatë mbledhjeve vjetore të Grupit të Bankës Botërore në 2009. Ky program
mbështet stabilitetin dhe rritjen reale dhe financiare përmes ndihmës për
pastrimin e aktiveve të këqija, duke i lejuar bizneset dhe bankat të ripwrqendrohen
në veprimtari prodhuese.

IFC-ja është i vetmi institucion financiar
ndërkombëtar i përqendruar ekskluzivisht në sektorin privat, motori i
zhvillimit të qëndrueshëm në tregjet në zhvillim. Sëbashku me Bankën
Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), aktualisht, ajo po kërkon të
sigurojë rritjen e kapitalit për forcimin e aftësive të saj, për të krijuar
mundësi për të varfrit në vendet në zhvillim duke përfshirë edhe trajtimin e
problemit të aktiveve problematike.

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore,
krijon mundësi që njerëzit t'i shpëtojnë varfërisë dhe të përmirësojnë jetën e
tyre. Ne nxisim një rritje të qëndrueshme ekonomike në vendet në zhvillim,
përmes mbështetjes së zhvillimit të sektorit privat, mobilizimit të kapitalit
privat dhe sigurimit të shërbimeve këshillimore dhe të zbutjes së rrezikut për
bizneset dhe qeveritë. Investimet tona të reja arritën shumën prej $14.5
miliardë në vitin fiskal 2009, duke ndihmuar në kanalizimin e kapitalit në
vendet në zhvillim gjatë krizës financiare. Për më shumë informacion, vizitoni:
www.ifc.org.

Värde është një investitor kryesor në letra me
vlerë dhe aktive problematike si edhe në lloje të ndryshme obligacionesh me
vlerë të ulur, përfshi kredi të këqija të korporatave, konsumatorëve dhe të
pasurive të patundshme dhe borxhe me interes të lartë. E themeluar në 1993,
Värde e ka qendrën në Minneapolis, Sh.B.A, dhe ka zyra në Londër dhe Singapor.
Ajo ka një histori 15 vjeçare investimesh në aktive të këqija dhe të dyshimta
dhe në trajtimin e tyre, si edhe përvojë në përgatitjen e aktiveve në tregje në
zhvillim. Me një staf prej më shumë se 135 personash, Värde ka aktive ne
menaxhim me një vlerë prej mbi $5.0 miliardë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›