EULEX-i nuk lajmëroi vendorët për aksionin
Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, thotë se ka ushtruar fuqinë e tij ekzekutive me aksionin e policisë të ndërmarrë ditën e mërkurë në pronat private dhe godinën e një ministri të qeverisë së Kosovës.
Një zëdhënëse e misionit, Karin Limdal, i tha BBC-së se veprimi i policisë së EULEX-it në Prishtinë dhe jashtë saj, ka treguar funksionimin e rendit dhe të ligjit.
Policia e EULEX-it ka kryer të mërkurën bastisje në të paktën gjashtë vende në Kosovë, kryesisht në Ministrinë e Transporteve dhe pronat private të ministrit Fatmir Limaj.
Zonja Limdal tha se EULEX-i nuk ka paralajmëruar më parë autoritetet vendore për veprimet e tij, për të ruajtur fshehtësinë e aksionit policor.
Ajo këmbënguli se EULEX-i nuk po merr udhëheqjen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë dhe u bëri thirrje institucioneve vendore të rendit dhe ligjit që të vihen në krye të kësaj "lufte".
Ajo la të kuptohet se hetimet ndaj Ministrisë së Transporteve kanë filluar më herët dhe tha se materialet e mbledhura gjatë aksionit do të analizohen me kujdes nga Policia dhe Zyra e Prokurorit Publik.