E Diel, 1 Nëntor 2026

Kouchner: Serbia, jo në BE me Kosovën

Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner thekson se Serbia nuk ka kushte të veçanta për t'u anëtarësuar në BE, por nuk beson se kjo mund të arrihet me "Kosovën si problem brenda Serbisë".
Kushner porosit Beogradin dhe Prishtinën që të futen në bisedime, pasi një ditë këto dy vende do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian.

I pyetur nga e përditshmja e Beogradit "Veçernje Novosti", se nëse mund të gjendet një zgjidhje për prezencën edhe të Beogradit edhe Prishtinës në konferencat ndërkombëtare, Kouchner tha se angazhohet për këtë, por nuk është i sigurt.

"Ky është një proces i gjatë. Bëhet fjalë për breza, tërë historinë, kundërshtitë të cilat kanë zgjatur me shekuj. Kjo është një çështje shumë e ndjeshme, dhe unë shumë mirë i kuptoj edhe serbët edhe shqiptarët", është shprehur Kouchner.

Ndërkaq, sa i përket vendimit të autoriteteve kosovare për çmontimin e antenave të operatorëve serbë të telefonisë mobile, Kouchner tha se "kjo nuk është mirë". Ai tha se nuk do të donte që të japë "vlerësime morale", as të përzihej në çështjet e brendshme, por theksoi se "njerëzit duhet të kenë të drejtë të telefonojnë".

"Ndoshta do t'i zëvendësojnë me antena kosovare", tha Kouchner.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›