EULEX-i, plan për gjetjen e të zhdukurve në Kosovë
Blerina Olldashi
Misioni i Bashkimit Europian, EULEX merr përsipër që në fillim të vitit të ardhshëm të fillojë kërkimet për varreza të mundshme masive në Kosovë. Lajmi bëhet i ditur nga zyrtarë të këtij misioni, të cilët konfirmuan se shumica e 2000 personave të zhdukur në Kosovë janë shqiptarë. Shefi i komponentës së drejtësisë, Alberto Perduca tha se gërmimet për gjetjen e mundshme të varreve të pazbuluara për momentin janë të pamundura për shkak të motit të keq. “Stafi ynë po punon në këtë drejtim dhe ne planifikojmë që në fillim të vitit të ardhshëm kur moti të na lejojë, të fillojmë operacionet në terren për varreza të mundshme masive”,- deklaroi Perduca.
Detyrat e EULEX-it
Ai theksoi se zbardhja e fatit të të zhdukurve është përparësi e punës së EULEX-it. Sipas tij është jetike që të vazhdohet me identifikimin e më shumë varrezave të mundshme, me zhvarrosjen e kufomave dhe identifikimin e tyre. “Ne gjithashtu jemi të vetëdijshëm për nevojën e përmirësimit të bashkëpunimit në nivel rajonal e sidomos me autoritetet e Serbisë. Ne po punojmë që të përmirësojmë bashkëpunimin në bazë të mirëbesimit të përbashkët”, tha shefi i sektorit të drejtësisë në EULEX, Alberto Perduca. Deklaratat e tij erdhën pas takimit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, i cili u mblodh për t’i dhënë një shtytje përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Komisioni, në përbërje të të cilit janë zyrtarë të lartë të qeverisë, EULEX-it dhe të organizatave të ndryshme joqeveritare, ka vlerësuar se vështirësitë në këtë proces mbesin të shumta. Kjo për shkak të mungesës së informacioneve për vendndodhjen e personave që mungojnë.
Reagimi i qeverisë
Zëvendëskryeministri Ramë Manaj ka shprehur shqetësimin e qeverisë për mungesën e rezultateve në këtë proces. Ai theksoi problemet me të cilat po përballen autoritetet edhe në identifikimin e 400 mbetjeve mortore të cilat ndodhen në morgun e Prishtinës. “Në kemi mbi 400 mbetje mortore prej disa vitësh në morgun e Prishtinës, përkundër analizave të ADN-së, përkundër përsëritjes së këtyre analizave, nuk përputhen me mostrat e eshtrave dhe duhet një përgjigje e ekspertëve si mund të bëhet identifikimi i këtyre mbetjeve. Ka pasur me kohë supozime se mund të ketë varreza të gabueshme, sepse opinioni tashmë e di që deri në vitin 2002 kanë ndodhur mbi dy mijë varrime pa ADN, analizën që përcakton më saktë identitetin dhe mund të ketë gabime”,- ka deklaruar zvkryeministri Manaj. Ai bëri të ditur se brenda një periudhe dyjavore, qeveria dhe EULEX-i do të përgatisin një plan veprimi, që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë për mbledhjen e informacioneve që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve. “Duhen shtuar përpjekjet, në veçanti të EULEX-it, për të marrë informacione nga Beogradi për vendvarrime të reja”,- deklaroi zëvendësshefi i qeverisë së Kosovës, Ramë Manaj.
Sejdiu dekreton themelimin e Ambasadës në Maqedoni
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka dekretuar dje themelimin e misionit diplomatik në nivel ambasade në Republikën e Maqedonisë. Selia e Ambasadës do të jetë në Shkup.
Dekretimi është bërë duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, dhe pas konsultimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës. Sejdiu ka pasur një bisedë telefonike me homologun e tij maqedonas, Gjorgje Ivanov. Të dy presidentët konstatuan se nënshkrimi i marrëveshjes për demarkacionin e vijës kufitare dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve janë akte të rëndësishme, të cilat i hapin udhë thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërshtetëror, si dhe përpjekjeve të të dyja vendeve për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Europian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare.
21 Tetor 2009