Pronat e palegalizuara rrisin vlerën e letrave me vlerë, arrin në 19 për qind
Ervin KOÇI
Letrat me vlerë kanë nisur të kthehen në një prej elementëve më të shkëmbyer në tregun e kambizmit në vend, ku shkak është bërë rritja e shpejtë e vlerës së tyre. Shkak për këtë rritje të menjëhershme janë bërë pronat dhe ndërtimet e paligjshme të cilat qeveria pritet t’i legalizojë duke pranuar edhe pagesat me letra me vlerë. Vlera e këtyre bonove në treg është rritur brenda katër muajve në një vlerë të konsiderueshme, krahasuar me atë që kishin më parë. Dje vlera e tyre arriti në 19 për qind dhe prirja është që ato të vijnë e të vlerësohen edhe më. Në qershor të këtij viti, vlera e tyre ishte vetëm 5 për qind dhe madje në disa raste edhe 4,5 për qind, duke i bërë ato praktikisht të pavlefshme. Deklarata e kryeministrit, se qeveria do të lejojë që pagesat e legalizimit të banesave të bëhen me letra me vlerë, ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së tyre. Gjithashtu, qeveria e ka kthyer në vendim këtë gjë, dhe pritet që kjo të marrë edhe miratimin e parlamentit shqiptar. Në njëfarë mënyre përdorimi i letrave me vlerë bën që pronarët e banesave që do të legalizohen, ta kenë shumë më të lehtë pagesën e detyrueshme për legalizim.
Procesi
Përqindja e letrave me vlerë që pritet të përdoren në procesin e legalizimeve të ndërtimeve informale, apo siç njihen ndryshe bono privatizimi, është rritur ditët e fundit. Nga një vëzhgim i bërë një ditë më parë në tregun e lirë valutor rezulton se ato këmbehen nga 19- 20 për qind. Ky treg është rizgjuar menjëherë pas përsëritjes së disa javëve më parë të deklaratës së kryeministrit Berisha, se bonot që qytetarët kanë nëpër shtëpi do të rimarrin vlerën e tyre, pasi do të përdoren gjerësisht në procesin e legalizimeve. Por, deri tani, edhe pse një ligj i tillë nuk ekziston, madje as që dihet nëse do të kalojë në Kuvend, spekulimi me vlerën e përqindjeve të këtyre bonove ka arritur kulmin në tregun e zi valutor. Bonot e privatizimit janë rikthyen në treg me një rritje të ndjeshme të vlerës së tyre që nga mesi i muajit qershor. Këshilli i Ministrave vendosi që qytetarët shqiptarë që do të legalizojnë objektet pa leje do të kenë të drejtë që 80 për qind të vlerës së tyre ta paguajnë me letra me vlerë. Nga kjo pagesë do të përjashtohet vetëm taksa e infrastrukturës, e cila paguhet pranë pushtetit lokal. Për qytetarët, të cilët e kanë paguar vlerën njëqind për qind, në bazë të vendimit të qeverisë, do t'u rimbursohet 80 për qind e vlerës që ata do ta paguajnë me letra me vlerë. Ndërsa sipërfaqen jashtëligjore, të cilën ligji e parashikon që të paguhet me vlerën e tregut, qytetarët do ta paguajnë 50 për qind me letra me vlerë dhe 50 për qind me para. Numri i përgjithshëm i pasurive informale është rreth 350 000, me shtrirje në një sipërfaqe prej 320 000 hektarësh në shkallë vendi. Në procesin e legalizimit, përmes vetëdeklarimit vullnetar të poseduesve të ndërtimeve informale janë përfshirë mbi 270 mijë objekte.
Shpërndarja
Letrat me vlerë janë shpërndarë nga qeveria shqiptare në vitet e para të pas rënies së regjimit komunist dhe iu shpërndanë kryesisht ish-të përndjekurve dhe të persekutuarve të atij regjimi, por ato e humbën menjëherë vlerën e tyre. Qëllimi ishte që këto letra të përdoreshin në privatizimet që do të kryheshin, por në fakt ish-të përndjekurit dhe ish-të persekutuarit asnjëherë nuk fituan ndonjë gjë të madhe nga këto letra, e sigurisht edhe nga privatizimet. Vlera e tyre u bë shpejt shumë e vogël, derisa ato thuajse nuk u përdorën më askund. Në vitin 2006 qeveria shqiptare vendosi t’i fusë ato sërish në treg duke thënë se këto letra do të përdoreshin në procesin e privatizimeve të tjera. Në fakt, edhe në ato raste, letrat me vlerë sërish nuk mundën të luajnë asnjë rol. Tashmë, kur ato do të përdoren te legalizimet, vlera e tyre është rritur dhe duket se fondet e investimeve, të cilat grumbulluan pjesën dërrmuese të këtyre letrave me vlerë, do të jenë përfituesit më të rëndësishme të shtrenjtimit të këtyre letrave. Banorët e shtëpive që do të legalizohen nuk do të mbesin pas, ndonëse shtrenjtimi i tyre mund ta bëjë më të shtrenjtë për ta pagesën. Procesi i legalizimeve është në vazhdim dhe për disa kanë filluar të bëhen edhe pagesat, ndonëse ai është një proces që ecën ngadalë dhe në disa raste mes paqartësish të mëdha. Saktësisht askush nuk e di se sa banesa janë legalizuar ose për sa prej tyre është bërë pagesa e legalizimit.
Avokati i Popullit: Hipoteka nuk mund të të marrë pronën
Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim ankimimin e Avokatit të Popullit, lidhur me ligjin për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme. Avokati ka ankimuar disa nene të këtij ligji, të cilat i japin kompetencë kryeregjistruesit të anulojë të drejtën e pronësisë. Në argumentin e tij institucioni i Avokatit të Popullit shprehet se, kryeregjistruesi ka për detyrë të regjistrojë dhe jo të heqë të drejtën e pronësisë. Në këtë rast thotë Artur Lazebeu, drejtor kabineti në zyrën e Avokatit të Popullit kemi të bëjmë me tejkalim kompetencash, madje ndërhyrje edhe në të drejtën e pushtetit gjyqësorë. Pranë avokatit kanë mbërritur shumë ankesa të subjekteve fizikë dhe juridike, të cilat shprehin shqetësim lidhur me vendimet administrative të marra nga hipoteka. Ky shfuqizim i ligjit për regjistrimin e pasurive, së bashku me udhëzimin e Këshillit të Ministrave për fshirjen e regjistrimeve, në rast mbivendosje nga hipoteka janë cilësuar si antikushtetuese nga avokati ndaj kërkohet anulimi i tyre. Por Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e Avokatit të Popullit për të pezulluar këto nene të ligjit dhe udhëzimin deri në marrjen e një vendimi nga kjo gjykatë. Institucioni më i lartë gjyqësorë pritet që në ditët në vazhdim të marrë vendim lidhur me ankimimin. Ndërsa qeveria argumenton se ndryshimet ligjore janë ndërmarrë për të verifikuar ligjshmërinë e dhënies së titujve të pronësisë dhe për t’i dhënë fund abuzimeve të kryera në vite me pronat, kur për një pasuri rezultojnë deri në 6 pronarë. Sot të drejtën për të anuluar pronësinë e ka Prefekti i Qarkut, Agjencia Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe Zyra e Hipotekës. Vendimet e tre këtyre institucioneve janë të ankimueshme në gjykatë, çka do të thotë zgjatje pafund e procesit.
21 Tetor 2009