E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedevi në Beograd: “Në anën e Serbisë për Kosovën”



Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev ka zhvilluar dje një vizitë në Serbi. Kreu i shtetit rus u takua me homologun e tij serb Boris Tadiç. Pas takimit, Medvedev e Tadiç deklaruan se i mbeten qëndrimit të tyre për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Rusia do vazhdojë të mbështesë Serbinë në çështjen e Kosovës, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Kjo mbështetje bazohet në ligjin ndërkombëtar”,- tha Medvedev. Në prag të vizitës, shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, deklaroi se “vizita do të konfirmojë unitetin në qëndrimet politike dhe mbështetjen reciproke të Serbisë e Rusisë në arenën ndërkombëtare”.Çështjet ekonomike ishin në qendër të takimit me zyrtarët e qeverisë serbe, ku mes të tjerash u konkretizua kredia ruse prej 1 miliard dollarësh për Serbinë.

Xho Bajden, vizitë 4 ditore në Europë

Zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, po zhvillon një vizitë në Europë, ku pritet të vizitojë vendet aleate, Poloninë dhe Çekinë. Zyrtarët i hedhin poshtë pohimet se zoti Bajden, është dërguar në këtë mision për të qetësuar Varshavën dhe Pragën, pas vendimit të presidentit amerikan Obama, për tërheqje nga planet për ndërtimin e sistemit mbrojtës raketor në këto dy vende, duke e zëvendësuar atë me një sistem mobil. Pas, Polonisë dhe Çekisë, zëvendës presidenti Bajden, do të vizitojë edhe Rumaninë. Turneu i tij europian do të zgjasë deri në datën 24 të këtij muaji.

Bosnjë
Fillojnë bisedimet për “Dejton 2”

Zyrtarët europianë dhe amerikanë filluan raundin e dytë të bisedimeve me udhëheqësit e Bosnjës rreth ndryshimeve kushtetuese që do ta afrojnë Bosnjën me Bashkimin Europian. Serbët e Bosnjës e kanë hedhur poshtë propozimin mbi reformat kushtetuese, por megjithatë po marrin pjesë në bisedime. Rishkrimi i Kushtetutës është jetik për integrimin e Bosnjës në BE. Të treja komunitetet në Bosnjë kanë qëndrime të ndryshme rreth reformave kushtetuese. Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik deklaroi se propozim paketa e reformave është “politikisht jokorrekte dhe bazë e papranueshme për bisedime”.

Kroaci
Arrestohen shtatë ish-ushtarakë për krime lufte

Policia e Kroacisë ka arrestuar shtatë ish-ushtarë të dyshuar për vrasjen e ushtarëve serbë në Bosnjë-Hercegovinë, në përfundim të luftës në këtë vend. Mediat lokale kanë raportuar se shtatë personat janë të dyshuar për vrasjen e pesë ushtarëve serbë të burgosur në pjesën perëndimore të Bosnjës. Vrasjet u bënë në shtator të vitit 1995, gjatë operacionit të përbashkët të ushtrive të Kroacisë dhe të Bosnjës kundër serbëve të Bosnjës, thotë raporti. Ky është një nga rastet e shumta që akuzojnë ushtarakët për vrasjet masive të civilëve.

Afganistan
Raund i dytë për presidencialet

Raundi i dytë i votimeve për zgjedhjet presidenciale afgane do të mabhet më 7 nëntor. Lajmi u bë publik nga Komisioni i Pavarur Zgjedhor. Presidenti aktual Hamid Karazai e mbështeti vendimin duke e cilësuar si “hap përpara” për demokracinë afgane. Vendimi erdhi pasi hetimet e Kombeve të Bashkuara dëshmuan “prova të qarta të manipulimit të votave” në 20 gusht. Në turin e dytë do të përballen presidenti aktual Karzai me ish-ministrin e jashtëm Abdullah Abdullah. Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton tha se priste që presidenti Karzai të pronocohej rreth kësaj çështjeje.

21 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›