EULEX ka nisur punen

Shefi i Misionit Evropian për Drejtësi dhe Polici, Yves de Kermabon, njoftoi dje në fshatin Dobratin të Lipjanit, në jug të Prishtinës, se misioni i tij ka filluar vendosjen në Kosovë, për të ndihmuar dhe mbështetur institucionet kosovare. Ai tha se EULEX-i do të vendoset në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe vendbanimet me shumicë serbe, me gjithë mospajtimin e bashkësisë serbe. Yves de Kermabon u takua me banorët serbë të fshatit Dobratin, me qëllim shpjegimin e objektivave të misionit të tij. Pak kohë më parë, ai pati deklaruar se misioni i EULEX-it do të mund të shtyjë vendosjen e tij në Kosovë për shkaqe politike. Misioni i tij është kundërshtuar fuqishëm nga Beogradi zyrtar dhe serbët e Kosovës, dhe shtyrja e vendosjes së tij u bë pas kundërshtimeve të Moskës zyrtare. Bisedimet për misionet ndërkombëtare në Kosovë po zhvillohen mes BE-së dhe OKB-së dhe pritet që së shpejti, sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun, të sqarojë qëndrimin e tij. Prishtina zyrtare ndërkaq, ka deklaruar se është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e re e Kosovës dhe e ka mirëpritur misionin e ri evropian.
Thaçi, i vendosur për kalimin e kompetencave
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi dje se, pavarësisht nga paqartësitë rreth rolit të UNMIK-ut dhe vendosjes së misionit të BE-së në Kosovë, institucionet e Kosovës do të marrin përgjegjësitë që u takojnë. Sipas tij, qeveria e Kosovës me të gjitha ministritë e saj, po bën përgatitjet e fundit, që në datën 15 qershor të marrin të gjitha përgjegjësitë nga administrata e Kombeve të Bashkuara. Edhe pse akoma nuk ka një vendim të qartë se cili do të jetë roli i UNMIK-ut pas datës 15 qershor, sipas kryeministrit, institucionet pas kësaj date do të funksionojnë sipas dispozitave të Kushtetutës së re të Republikës së Kosovës. “Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përgatitura që t’i marrin të gjitha kompetencat. Këtë do ta bëjmë me përgjegjësi të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare, për funksionim të plotë të çdo segmenti në vend”, - deklaroi Thaçi. Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, duhet të fillojë mandatin edhe misioni i ri i BE-së, EULEX. Megjithatë, është ende e pasigurt nëse ky mision do të fillojë mandatin më 15 qershor, sepse më parë duhet arritur një marrëveshje ndërmjet Nju Jorkut dhe Brukselit. Kjo për faktin që rezoluta 1244 pengon vendosjen e misionit të ri evropian, mirëpo tashmë ka kohë që është hedhur ideja se UNMIK-u dhe EULEX-i do të bashkëveprojnë. Sidoqoftë, sipas autoriteteve kosovare, muaji qershor pas shpalljes së pavarësisë, do të jetë muaj shumë i rëndësishëm, sepse hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Me këtë do të krijohen edhe dikasteret tjera shtetërore, siç janë Ministria e Jashtme, dhe me këtë do të shënohet një fillim aktiv i prezencës së diplomacisë kosovare në qendrat e vendosjes ndërkombëtare.