OKB ne alarm

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, u bëri thirrje vendeve më të pasura të botës që të veprojnë urgjentisht për të përballuar krizën globale të ushqimeve. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve Samitin e Romës, Ban Ki Mun tha se është tepër e rëndësishme që të gjithë vendet të hedhin hapa të përbashkët dhe të koordinuar. “Vetëm duke vepruar të gjithë bashkë, në partneritet, mund ta tejkalojmë këtë krizë sot dhe në të ardhmen. Qindra milionë vetë i kanë varur shpresat tek ne. Asgjë nuk është më poshtëruese se uria, sidomos kur ajo është e shkaktuar nga vetë dora e njeriut. Ajo nxit urrejtje, dezintegrimin e shoqërisë, shkakton sëmundje dhe rënie ekonomike. Në emër të objektivave të mijëvjeçarit për zhvillimin, në emër të së drejtës për t’u ushqyer dhe njerëzimit, unë ju bëj thirrje të gjithë juve që të veprojmë së bashku tani”, tha shefi i OKB-së. Ai u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që të ulin tarifat e produkteve ushqimore dhe nivelin e subvencioneve që, siç u shpreh ai, kanë qenë mallkim i botës në zhvillim. Ki Mun bëri thirrje për një fond emergjence me një vlerë afro 1.7 miliardë dollarë për të furnizuar fermerët në zonat e prekura më rëndë me farëra, plehra kimike dhe makineri bujqësore.
Në fjalimin e tij, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri thirrje për shtimin e konsiderueshëm të prodhimit ushqimor, pasi sipas tij, ky është një hap i domosdoshëm për të plotësuar kërkesën në rritje dhe për të ndikuar në uljen e çmimit të produkteve ushqimore. “Bota duhet të prodhojë më shumë ushqim. Prodhimi ushqimor duhet të rritet me 50 për qind deri në vitin 2030, për të plotësuar kërkesën në rritje për artikujt ushqimorë. Kemi një shans historik për të rivitalizuar bujqësinë, sidomos në vendet ku rritja e prodhimtarisë ka qenë në nivele të ulëta vitet e fundit”, tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. Ai vuri në dukje se rritja e çmimit të ushqimeve ka shkaktuar trazira në afro 40 vende, dhe theksoi se vendet më të varfra janë më të prekurit. FAO-ja kërkon ta shfrytëzojë Samitin e Romës si një shans për të riaktivizuar fushatën kundër urisë dhe varfërisë, si dhe për të shtuar prodhimin bujqësor në vendet në zhvillim. Drejtori i përgjithshëm i FAO-s, Zhak Diuf, përmendi disa nga prioritetet e ndihmës për bujqit në vendet më të varfra. “Janë 862 milionë vetë në të gjithë botën, që nuk kanë mundësinë për t’u ushqyer siç duhet. Ata kanë nevojë për farëra që japin prodhimtari të lartë, plehra kimike, ushqim për bagëtitë dhe pajisje të tjera që përdoren në ditët tona. Ata nuk mund të vazhdojnë ta punojnë tokën me mjete primitive si në mesjetë, në kushtet e pasigurisë dhe të ekspozimit ndaj tekave të natyrës”, tha Diuf. Në samitin që po mbahet në Romë, merr pjesë dhe presidenti i Zimbabvesë, Mugabe, prania e të cilit është kritikuar ashpër nga vendet perëndimore, të cilët e akuzojnë atë se ka zhytur miliona banorë të vendit të tij në uri. Çmimi i grurit, misrit dhe i orizit thuajse është dyfishuar brenda një viti. Bashkë me to është rritur ndjeshëm edhe çmimi i produkteve të tjera ushqimore. Kjo ka ardhur nga rritja e kërkesës për produkte ushqimore, jo vetëm nga rritja e popullsisë që parashikohet të kapë shifrën 9 miliardë nga mesi i shekullit, por edhe nga rritja e shpejtë ekonomike në dy vendet me popullsi miliardëshe: Kinë dhe Indi. Shtimi i mirëqenies në këto dy vende ka bërë që të ketë një kërkesë më të lartë për produkte ushqimore.