Obama njeh Kosovën

Kushdo që të do të fitojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një gjë do të jetë e sigurt: politika amerikane ndaj pavarësisë së Kosovës nuk do të ndryshojë. Pas deklaratave të republikanit MekKein, dhe rivales së tij Klinton, pro pavarësisë së Kosovës, edhe senatori i Ilinoisit, Barak Obama, ka bërë të qartë qëndrimin e tij ndaj shtetit të ri. “Kosova është tashmë e pavarur dhe Serbia duhet të mësojë ta pranojë këtë gjë dhe të jetojë me të”, - deklaroi dje ish-i dërguari amerikan në Kosovë dhe aktualisht këshilltari i kandidatit për në Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama. Robert Gelbard tha dje për “Zërin e Amerikës”, se Serbia ka mundësinë që të ndryshojë situatën në Kosovë në interesin e saj, por nuk ka më kthim prapa. “Kosova tashmë është një shtet sovran. Qeveria e re serbe e di se duhet të jetojë me Kosovën, dhe pavarësisht të gjitha gjërave, një dialog mes Prishtinës dhe Beogradit është i nevojshëm”, - tha Gelbard, i cili përfaqësonte qeverinë amerikane gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Sipas tij, nuk i takon as Rusisë, as Indisë, Kinës dhe as Brazilit, që të diktojnë veprimet e mëtejshme për sa i përket kësaj çështjeje. Gerlbard theksoi se, si autoritetet kosovare, ashtu edhe ato serbe duhet të nisin bisedimet me njëri-tjetrin, pasi zhvillimet e mëtejshme të dy vendeve varen pikërisht nga ky afrim mes tyre. Kosova e shpalli pavarësinë në 17 shkurt të këtij viti dhe tashmë ka marrë njohjen e 43 shteteve, përfshirë këtu atë të SHBA-ve dhe pjesës më të madhe të BE-së. I pyetur se cili është qëndrimi i kandidatit demokrat, Barak Obama, ndaj Kosovës, Gelbard shpjegoi se senatori nga Ilinoisit e ka bërë të qartë vizionin e tij për të dy vendet. “Ai e ka thënë që pas pavarësisë së Kosovës, se shteti i ri i pavarur ka një përgjegjësi të madhe për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve, ndërsa Serbia duhet të përforcojë institucionet e saj demokratike”, - përfundoi Gelbard.