EULEX liron serbët që “mashtruan” për organet
Një gjyqtar i EULEX-it, e ka konsideruar si të pabazë akuzën kundër katër serbëve të cilët dyshoheshin, se me anë të ryshfetit janë përpjekur të nxisin dëshmitarë të rremë për “tregtinë me organe të serbëve të zhdukur në të ashtuquajturën Shtëpi e verdhë” në Burrel të Shqipërisë. Aktpadia kundër tyre është ngritur në dhjetor 2009. Sipas Policisë së Kosovës, këta të akuzuar i kanë dhënë ryshfet dëshmitarëve që të pohojnë se kanë qenë viktima të tregtisë me organe. Sipas mediave kosovare mes katër të arrestuarve, dy ishin pjesëtarë të shërbimit sekret serb BIA. “Dëshmitë për këtë rast ishin të bazuara në fjalët e policëve dhe të disa dëshmitarëve me identitet të mbrojtur, por gjyqtari doli në përfundim se kjo nuk është e mjaftueshme dhe katër serbët e arrestuar u liruan, thanë avokatët e tyre. Pazaret e serbëve ishin edhe të regjistruara.