EULEX më 20 shtator, merr në pyetje Fatmir Limajn

Prokuroria e EULEX, ka vendosur që të marrë në pyetje ish-ministrin e Kosovës, Fatmir Limaj. Një e përditshme kosovare shkruan se Limaj do të paraqitet para prokurorëve të EULEX në datën 20 shtator, pikërisht në kohën që e ka paralajmëruar edhe kryeprokurorja në largim e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Isabelle Arnal.
Avokati mbrojtës i tij, Tomë Gashi ka shprehur haptas dyshimet se ky veprim i EULEX-it ka prapavijë politike. “Çfarë arsyeje ka misioni i EULEX-it ta thërrasë dikë në pyetje pas 16 muajve që ka bërë spektakël.
Ligji ia lejon, por nuk është normale”, ka deklaruar Gashi. Për bindjen e tij, kjo gjë është duke u bërë për të vetmin qëllim që të kërkohet nga Gjykata Supreme zgjatje të hetimeve edhe për së paku gjashtë muaj të tjerë, pasi brenda kësaj periudhe nuk është gjetur asnjë dëshmi që do ta bënte klientin e tij, fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.