E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kirurgët japin alarmin: Spitalet, burime infeksionesh

Kirurgët e QSUT-së kanë pohuar se, një në katër pacientë, merr infeksion në spital. Shkaqet: Mungesa e higjienës dhe e materialeve

Ndodh të shkosh në spital për t’u shëruar, por përveç sëmundjes që ke mbi kurriz, mund të marrësh infeksione që i kushtojnë shumë shëndetit. Të dhëna tronditëse i pohojnë vetë kirurgët e qendrës më të madhe spitalore në vend “Nënë Tereza”, të cilët theksojnë se, një e katërta e pacientëve që operohen, marrin infeksione spitalore. Ndërsa shkak i këtyre infeksioneve mbetet mungesa e higjienës apo mangësitë në aparatura dhe materiale, këto aspak për faj të pacientëve. Të mbledhur në konferencën Mediko-kirurgjikale, kirurgët kanë dhënë alarmin, duke kërkuar që të merren masa për përmirësimin e sistemit spitalor.

Infeksionet

Infeksionet spitalore në vendin tonë janë 5 herë më të larta se në vendet e BE-së. Kështu, nëse një pacienti i duhet t’i nënshtrohet ndonjë ndërhyrjeje kirurgjikale, duhet të mendohet mirë, jo vetëm nëse operacioni do t’i rezultojë me sukses, por edhe për infeksionet e rënda që mund t’i ketë risk. “Plot 25 përqind e pacientëve që shtrohen në spital marrin të paktën 1 infeksion tjetër, përveç sëmundjes që kanë”, - pohon kirurgu i përgjithshëm në QSUT, Arben Gjata, duke shtuar se, studimi i realizuar, ka nxjerrë se gjysma e këtyre rasteve infektohen në plagën e operacionit dhe në 40 përqind të rasteve ky infeksion është stafilokoku.

Shkaqet

Nga sallat e pista, deri tek duart e palara. Duken si shkaqe banale, por janë ato që rrezikojne seriozisht jetën e pacientëve. Këtë e pohojnë vetë kirurgët e QSUT-së, të cilat theksojnë se përgjegjës kryesore i kësaj situate, është sistemi spitalor, i cili nuk funksionin normalisht. "Është problem i higjienës së pastërtisë dhe shpesh problemi i duarve të palara. Po ashtu ka edhe probleme me përdorimin e materialeve bazë disa herë, por edhe metodave tashmë të vjetëruara të sterilizimit të mjeteve", - pohon kirurgu Besim Elezi. Por kryetari i sindikatës së bluzave të bardha në QSUT, Ruzhdi Merja, ka denoncuar edhe shkaqe të tjera që kanë të bëjnë pikërisht me mungesën e menaxhimit korrekt të spitalit. Sipas tij, kirurgët fusin në salla për operacion dyfishin e asaj që ka kapaciteti normal i këtyre sallave, pa patur edhe mjetet më minimale të dizinfektimit. “Në çdo sallë kirurgjie, operohen çdo ditë, 7-8 pacientë kur ne akoma nuk kemi patur mangësi te dorezat. Madje edhe alkooli na erdhi vetëm para dy javësh. Mungon garderoba dhe mjekët vishen dhe zhvishen nëpër korriore. Para 6 muajsh, kanë ardhur bluzat e bardha dhe ende nuk është bërë shpërndraja”, - pohon Merja, duke shtuar se, pikërisht këto mangësi, po i vuajnë pacientët.

Arben Gjata

Plot 25 përqind e pacientëve që shtrohen në spital marrin të paktën 1 infeksion tjetër, përveç sëmundjes që kanë. Infeksionet spitalore në spitalet tona janë 5 herë më të larta se në vendet e BE-së

Besim Elezi

"Është problem i higjienës së pastërtisë dhe shpesh problemi i duarve të palara. Po ashtu, ka edhe probleme me përdorimin e materialeve bazë disa herë, por edhe metodave tashmë të vjetëruara të sterilizimit të mjeteve"

Ruzhdi Merja

Kirurgët fusin në salla për operacion dyfishin nga sa ka kapaciteti normal i këtyre sallave, pa patur edhe mjete më minimale të dizinfektimit. Madje, edhe dorezat dhe alkooli, vetëm para pak ditësh na erdhi dhe prapë nuk janë të mjaftueshme.

Infeksionet spitalore, ja pasojat

Janë të rrezikshme sa, në disa raste, mund të vënë në pikëpyetje jetën e pacientëve. Sipas kirurgëve të QSUT-së, infeksionet spitalore janë evidente pikërisht tek pacientët që bëjnë ndërhyrje kirurgjikale dhe rreth 12 përqind e pacientëve të operuar, marrin infeksion pikërisht në plagë, çka bën pengimin e shërimit të plagëve dhe, në disa raste, rrezikon seriozisht rezultatet e operacionit. Infeksionet spitalore, sipas kirugëve, rrisin ditëqëndrimin e pacientëve në spitale, pasi mjekimi i tyre zgjat më shumë, për faktin se ata nuk mund të shkojnë në shtëpitë e tyre. Një probelm tjetër që ka ngritur kirurgu, Arben Gjata, është pikërisht përdorimi i antibiotikëve ku, sipas tij, jo vetëm që nuk japin efekte, por në vendet e tjera, këto antibiotikë, kanë dalë jashtë përdorimit. Të ndodhur përballë kësaj situate, kirurgët bëjnë apel për përmirësimin e situatës në spitale, pasi pasojat më të rënda i vuajnë pikërisht pacientët.

5 herë më shumë infektohen pacientët në spitalet tona se në spitalet e vendeve të BE-së

25 % e pacientëve marrin infeksione spitalore në spitalet e vendit tonë, kryesisht, pacientët që operohen

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›