E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajdet, 13 letra për Berishën

Më 27 tetor 2008, ish-presidenti Berisha, kërkoi publikisht falje për lejimin e fajdeve, ndërsa 11 vite më parë deklaronte se, paratë e shqiptarëve, janë më të pastrat në botë. Ditën kur rizgjidhej president, më 3 mars 1997, Berisha deklaronte në Kuvend se vendi kishte rritjen më të madhe ekonomike. Ndërsa vendi ishte pranë “Gërdecit” financiar”, parlamenti ende nuk merrte guximin të fliste për piramidat mashtruese, deri ditën kur, disa deputetë, kërkuan llogaridhënie nga qeveria e PD-së.

Më 27 tetor 2008, kryeministri Berisha do të pranonte se kishte bërë gabime gjatë mandatit kur ishte dy herë president i vendit, në periudhën 1992-1997, duke lejuar fajdet që shkatërruan qindra mijëra familje dhe pastaj ekonominë kombëtare. Por, 12 vite më parë, ai i kishte mbrojtur ato, duke deklaruar se, paratë e shqiptarëve, ishin më të pastrat në botë. Ishte koha kur ai injoronte thirrjet e FMN-së dhe të Bankës Botërore, të cilat, që në fillim të vitit 1995, kishin parë me shqetësim sesi firmat rentiere, që propozonin interesa shumëfish më të larta se bankat, po fitonin terren dhe qeveria ishte e paaftë, madje i inkurajonte. Por, ndërsa vendi digjej, në mars 1997 për kthimin e parave, Berisha rizgjidhej president dhe nuk përmendte në asnjë rresht fajdet, kur viti 1996, sidomos, do të ishte parajsa e mashtruesve, të cilët jo vetëm bënë ekspansion ekonomik, duke mbledhur paratë e popullit, por edhe duke blerë politikën me anë të sponsorizimeve, apo pagesave të padeklaruara, të cilave, edhe sot, nuk u dihet destinacioni. Në fillim të vitit 1997, kur gjithçka ishte pranë shpërthimit të madh, pjesa më e painteresuar për t’i paraprirë “Gërdecit” të piramidave mashtruese, ishin deputetët e shumicës në pushtet, dhe kjo dukej në seancat parlamentare. Kur filloi sesioni i dytë i legjislaturës së Kuvendit, rendi i ditës, më 20 janar 1997 dhe për periudhën, deri më 28 shkurt, ishte i mbushur me projektligje të tilla si ai për vlerësimin doganor, për inspektimin e punës në industri dhe tregti, për tatimin mbi vlerën e shtuar, apo për faljen e detyrimeve financiare të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Pra, sikur gjithçka shkonte vaj, dhe jo kur një vend i tërë kish nisur të kërkonte se ku shkuan paratë e piramidave dhe kush i mori.

I pari që e “gërvisht” plagën është deputeti Ylli Vejsiu, që kërkon të futet në rendin e ditës edhe Komisioni i Transparencës për firmat piramidale. Këtë e mbështet edhe Azem Hajdari, që kërkon interpelancë me kryeministër Aleksandës Meksi. Deputeti, Sabri Godo, thekson në ndërhyrjen e tij se: “Mua më duket se nuk është normale që ky Kuvend të heshtë para një situate të tillë, kur ka të bëjë me një shtrirje mjaft të gjerë që ka marrë ky fenomen në të gjithë vendin”. Pas shumë diskutimesh që evokojnë përpjekjet e qeverisë, PD-së dhe Kuvendit për t’i paraprirë fenomenit të fajdeve, deputetët bien dakord që të vijë në interpelancë kryeministri Meksi.Më poshtë paraqiten të përmbledhura diskutimet e deputetëve në seancat plenare, duke nisur që nga ajo e 23 janarit 1997.

Hysen Selfo - Balli Kombëtar dënon ashpër qëndrimin e qeverisë dhe të të gjitha strukturave të shtetit ndaj problemit fajde, që përbën në thelb një shpronësim të dytë të shqiptarëve, të ngjashëm, por më të sofistikuar se shpronësimi komunist ndaj pronarëve të ligjshëm. Mbështetja, që regjimi demokratik u bëri për 4 vjet rresht kompanive rentiere, të dyshimta qysh në lindjen e tyre dhe të drejtuar nga persona të lidhur ngushtë me regjimin e kaluar, reklamimi i tyre pa kriter në televizion, garancia e dhënë se paratë e tyre janë të pastra dhe, nga ana tjetër mbështetja e këtyre firmave për PD-në në të dy fushatat e vitit 1996, tregojnë qartë se, shteti, në bashkëpunim me to, ka mashtruar rëndë popullin shqiptar, duke i marrë votën. Qeveria i bëri njerëzit e thjeshtë të besonin në mrekullitë shqiptare, duke i paraqitur ato si pionierë të kapitalizmit shqiptar, i nxiti të ëndërrojnë për një pasurim të shpejtë, ëndërr nga e cila, shumica u zgjuan me xhepa bosh…

Gjovalin Daka - Unë vij nga Lushnja, e cila, siç e dini, është e zhytur plotësisht në fajde. Ka tre vjet që puna është ndërprerë, fshatarët as kanë mbjellë, as kanë punuar, kanë therur gjithë bagëtinë, duke i depozituar kursimet e tyre te firma “Gjallica”, “VEFA”, te “Xhaferri” etj. Unë mendoj se qeveria në këtë aspekt nuk duhet të dalë jashtë përgjegjësisë. Dhe përgjegjësia kryesore është se ajo, licensat që i dha vetë, nuk i kontrolloi dhe, për këtë, mendoj se puna e dobët është e ministrit të Financave, zotit Ridvan Bode, i cili sot të mos më rrinte aty, por të jepte dorëheqjen, si dhe zoti Blerim Çela, i cili, si kryetar i Shërbimit të Kontrollit të Shtetit, s’e ka bërë as detyrën e vet.

Seanca e 26 janarit

Aleksandër Meksi - Qeveria e ka ndjekur në mënyrë të përjavshme thithjen e parave dhe ndërhyri në momentin kur ishte maksimumi i tyre, pa filluar rënia e parave të depozituara në banka, duke ditur mirë të gjitha strukturat e këtyre fondacioneve, njerëzit, vendet ku kishin punuar përpara, bindjet e tyre politike dhe synimet e tyre. Kjo qe rruga me të cilën u siguruan depozituesve në këto fondacione 300 milionë dollarë në një shifër të përafërt. Janë ngritur komisione dhe nënkomisione që kanë tashmë të qartë se kemi të bëjmë me firma me strukturë piramidale, që do të thotë: të josh të futësh një, që të marrësh dy apo tre. Dhe synimi i tyre ishte që, duke filluar nga fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit, të gjithë këto 300 milionë dollarë të dilnin për të përballuar një detyrim më tepër se 700-800 milionë dollarë, që do të thotë se, 1/3 e njërëzve, do të arrinin në datat e caktuara të merrnin paratë dhe atëherë mendohej se mund të bëhej e njëjta gjë që po ndodh këto ditë.

Gjovalin Daka - …Situata në Lushnjë është e rëndë… Tani çfarë kërkojnë njerëzit? Fjalët janë të tyre, unë vetëm sa i regjistrova dhe po i citoj këtu e dua që, urgjentisht, të realizohen ato. Së pari kërkojnë…

Pjetër Abnori - Përfundojeni diskutimin!

Gjovalin Daka - Jo, nuk do ta përfundoj se njerëzit atje mund të bëjnë edhe skandale të tjera. Prandaj, po e përfundova unë këtë fjalë, atëherë dje më tërhoqën zvarrë, sot do të më vrasin e do të më varin në litar, bashkë me të gjithë ju, ta dini. (Reagime nga salla)

Azem Hajdari - …Kryeministri, kur të vijë në Kuvend, të përgatitë fjalim me letër dhe jo të vijë me dy-tre copa letrash e të flasë për situatën që është krijuar…Unë i bëj thirrje kryeministrit shqiptar (unë për vete kam kërkuar dorëheqjen e tij): Në rast se di dhe ka mundësi ta mbrojë demokracinë. Në rast se nuk di, të na e thotë të gjithëve si ta mbrojmë kryeministrin, si ta mbrojmë Qeverinë…Shqiptarët që kanë humbur paratë janë prokurorë, janë juristë, janë policë, janë demokratë, janë republikanë, janë socialistë dhe nuk është koha të lirohet Fatos Nano dhe të fitojë Fatos Nano, por është koha të mbrohet Shqipëria.

Seanca e datës 6 shkurt 1997

Seancën e paradites e fillon kryetari Arbnori, i cili lexon programin e punës dhe rendin e ditës, ku janë projektligje për transplantimin e organeve, apo tatimi mbi biznesin e vogël. (kërkon fjalën deputeti i Vlorës Dukë Muça)

Dukë Muça - Jam i detyruar të marr fjalën për të vënë në dukje situatën në Vlorë që është tejet e rënduar.

Pjetër Arbnori - Nuk është procedurë kjo. Më falni, duhet t’i bëni kërkesë kryesisë së Parlamentit për të paraqitur atë deklaratë që doni të bëni dhe unë ua jap fjalën kur duhet. …(!!!)

Vijojnë dikskutimet për sistemin e taksave në republikën e Shqipërisë.

Seanca e datës 10 shkurt 1997

Dukë Muça - Një shqetësim kryesor që ka ardhur nga Vlora dhe që unë po e prezantoj në Kuvend, është ky: pse nuk u ndalua personi i Shemsie Kadrisë, apo i ndonjë ortaku tjetër, në mënyrë që ata të hidhnin dritë për të gjithë veprimtarinë e tyre? Sepse që në protestën e parë dhe kur isha në bashkinë e Vlorës, bashkë me disa kolegë të mi, pamë që komunikuan në telefon kryetari i Këshillit të Rrethit dhe kryetari i bashkisë së Vlorës me ministrin e Brendshëm dhe i kërkuan atij administrimin e ortakëve të kësaj kompanie, për të dhënë shpjegime para kreditorëve të saj. Pra, kërkesa ka qenë bërë me kohë, por nuk është realizuar. Ata persona pushtetarë që kanë implikime në këtë kompani, duhet të japin detyrimisht e urgjentisht dorëheqjen dhe të mbajnë përgjegjësi për atë që është gatuar.

Hysen Selfo - Partia e Ballit Kombëtar përkrah pa rezerva indinjatën e popullit dhe protestën e tij, por vetëm protestat paqësore, për humbjen e parave që pësoi pas falimentimit të firmave rentiere, veçanërisht të “Sudes” dhe të “Gjallicës”, për të cilat shteti dhe qeveria jonë nuk japin asnjë lajm, asnjë shpjegim. Jemi gjithmonë me mendimin se Qeveria ka përgjegjësi të padiskutueshme për gjendjen e krijuar, prandaj është në nderin e saj të japë dorëheqjen në një kohë sa më të përshtatshme…

Bashkim Kopliku - Asnjë qeveri në botë nuk mund të thotë: “është punë e tyre, faji i tyre, unë nuk kam punë me këtë çështje”, kur pothuaj e gjithë popullsia dhe qeveria, kjo qeveri, shkon drejt disfatës ekonomike. Qoftë kur ka, qoftë kur nuk ka ligje, qeveritë në të gjithë botën ndërhyjnë. Në rastin e Shqipërisë, që në 1 mars 1996, qeveria shqiptare ka qenë e detyruar me ligj të mos lejojë, të pezullojë, të ndalojë veprimtarinë e marrjes së depozitave nga publiku, nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë, përveçse nga ata të licensuar nga bankat.

Qeveria e udhëhequr nga zoti Meksi, nuk ka zbatuar ligjin, ajo ka lejuar publikisht që të merren depozita nga persona që, jo vetëm nuk kanë pasur lejen ligjore, pra licensën për të bërë këtë veprimtari, një veprimtari e rrezikshme, por dhe ka lejuar të kryhet një aktivitet krejt publikisht me një vrull dhe çmenduri interesash prej 100 për qind në muaj. Qeveria është paralajmëruar edhe nga masmedia shqiptare, edhe nga unë personalisht, edhe nga Banka e Shqipërisë, edhe nga institucionet ndërkombëtare për të ndërhyrë efektivisht në parandalimin e një katastrofe ekonomike, me pasoja të rënda ekonomike dhe politike për çdo shqiptar…

Azem Hajdari - Është hera e tretë që kryeministri vjen në parlament dhe flet, thotë ato që do, por nuk thotë ato që duhet ta mendojë dhe ta thotë. Edhe sot, po ta keni vënë re, tha tri gjëra, që unë jam plotësisht i bindur se, edhe çdo student i çdo lloj fakulteti në Shqipëri, i cili ka studiuar pa leksione dhe pa pedagogë, mund t’i thoshte. Dhe çfarë tha zoti Meksi? Ai tha që është i madh problemi inflacionit. Duhet të krijohet, tha, asambleja e kreditorëve të “Gjallicës”, dhe të rishihet problemi i rivlerësimit të atyre që kanë futur paratë. Dhe së treti, tha që duhet të bëhet politika sociale. Nuk tregoi që pronat e “Gjallicës” janë shitur në datën 15 janar 1997…problemi që duhet të bjerë Meksi është problem kombëtar. …Qeveria duhet të bjerë pse nuk bën ujësjellës, sepse nuk shtrohen rrugët, sepse nuk mblidhen paratë, as nga doganat, as nga taksat, sepse administrata është e korruptuar, sepse 80 deri 90 për qind e demokratëve e dëshirojnë një gjë të tillë..

Galip Ramodhi - …Humbja në firmën “Gjallica” ka prekur edhe Kavajën, ku nga 1285 kreditorë, janë depozituar rreth 4.5 milionë dollarë. Ajo që kërkohet nga kreditorët është transparenca totale sesi dhe çfarë ka ndodhur me këtë kompani dhe cilat janë mundësitë e minimizimit të kësaj humbjeje, si dhe mundësia e kompensimit brenda një kuadri ligjor. Duhet të bëhet transparenca dhe publikimi i personave me pushtet, apo me influencë, që në periudhën e parafalimentimit kanë marrë depozitime në këto skema piramidale.

Vili Minarolli - ..Sistemi i fajdes u kthye në një biznes nga ata që e aplikonin dhe nuk ishte thjesht një sistem huadhënës. Pse nuk u ushtrua asnjë kontroll bilanci mbi këtë veprimtari dhe nuk veproi asnjë sistem tatimor? Së dyti, si iu shit firmës “Gajllica” toka në Pojskë të Pogradecit, kur ish-pronarët progradecarë, që kanë fituar të drejtën e kthimit të pronave, presin t’u kthejnë pronat?..

3 mars 1997

Votohet për një mandat të dytë Pesidenti i Republikës, Sali Ram Berisha. Nga 118 deputetë të pranishëm votojnë pro 113 deputetë, një kundër dhe katër abstenojnë. Më pas ai betohet dhe merr fjalën, e cila i kushtohet tërësisht rrebelimit në Jug, por asnjë fjalë për fajdetë:

Sali Berisha: …Sot unë u betova për herë të dytë në këtë parlament, i bindur dhe i sigurt se vështirësitë aktuale ne do t’i kapërcejmë dhe se në vitet që vijnë, arritjet tona në të gjitha fushat do të jenë shumë herë më të mëdha se sa këto që kemi realizuar gjatë 5 viteve që shkuan… Pesë vjet më parë vendin e mbulonte mjerimi dhe zija e bukës, ndërsa sot Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i rritjes më të shpejtë ekonomike. ..Unë dua dhe njëherë t’ju siguroj se asgjë nuk më ka lëkundur e nuk do të më lëkundë vendosmërinë dhe besimin në vlerat e demokracisë e të tregut…

Në seancën e 9 prillit 1997, opozita e majtë hyn në parlamentin që kishte bojkotuar pas zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit 1996 dhe deputetët e PS-së betohen. Por, vetëm një muaj më vonë, në 9 maj, do të rihapet debati për firmat piramidale, kur përballë deputetëve të PD-së do të jenë ministra socialistë të qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Në interpelancë do të jetë ministri i Financave, Arben Malaj.

Luigj Gjoka - Zoti ministër, a i keni kuptuar më parë shenjat e një krize të madhe financiare?

Arben Malaj - Ishte e vështirë të gjeje shumë shpejt shenja, se të gjitha ato, reklama e PD-së, i nxirrte të suksesshme. Por, mund të them se, në maj 1996, në prag të fushatës elektorale, kam kërkuar dhe jam shprehur që në parlament do të kërkoj ndalimin e sponsorizimit nga kompani, të cilat merrnin hua nga populli…

Namik Dokle - Ish-guvernatori i bankës, zoti Luniku, thuhet se i ka dërguar letra qeverisë dhe presidentit për rregullimin ligjor apo mbylljen e kompanive rentiere. A mund të na e sqaroni thelbin e kësaj korrespondence dhe pse nuk u morën masa për ta zgjidhur problemin?

Arben Malaj - Unë di vetëm që ka një kërkesë para dy javësh ngaprokuroria, ku ishin rreth 13 letra, që fillonin shumë herët, ku guvernatori Luniku kishte korrespondencë të plotë me presidentin e Shqipërisë, me Qeverinë dhe me Ministrinë e Financave. Pjesën e korrespondencës që i takon ministrisë së Financave e ka këkruar dhe e ka bllokuar Prokuroria.

Namik Dokle - Që në shkurt 1995, Banka Botërore ka kontaktuar për herë të parë me qeverinë, apo me presidentin për skemat piramidale. Çfarë është biseduar dhe çfarë ka kërkuar Banka Botërore?

Arben Malaj - Nuk kam informacion të plotë, por shoh në të gjitha kontaktetndërkombëtare që ajo është e prerë njëherë e mirë për të realizuar sa më parë transparencën për skemat piramidale dhe, këtë, e ka si kusht paraprak për të gjitha marrëveshjet e mëvonshme që parashikohen të bëhen.

Musa Ulqini - Përse deputetët e PD-së kërkojnë që projektligji në fjalë të formulohet në mënyrë të tillë, që të shmangen nga kontrolli kompani të tilla si, “VEFA”, “Silva”, “Kamberi”?

Arben Malaj - Unë nuk paragjykoj qëndrimin. Vetë ka kërkuar të fillojë kontrolli, pikërisht nga këto firma ekziston mundësia për tensione të reja sociale. Ato firma që falimentuan, dhanë atë tension, dhanë ato shkatërrime, ndërsa në këto firma njerëzit besojnë më shumë akoma, dhe duhet bërë kjo për t’u thënë të vërtetën: këto janë mundësitë në likuiditete, jo në aktive, por për të cilat një kompani thotë se i ka 5 miliardë, 7 miliardë apo 10 miliardë.

Erion Braçe - A ka pasur legjislacioni ekzistues kufizimin e veprimtarisë huamarrëse?

Arben Malaj - Unë them se nuk ka pasur boshllëk ligjor për të vepruar, por pse nuk është vepruar, kjo është enigma më e madhe, të cilën mund ta zbardhë edhe transparenca, duke ndjekur rrugën e të gjitha korrespondencave që personat që përgjigjen ligjërisht për këtë punë, u kanë bërë institucioneve të shtetit.

Hasan Halili -…Në të 37 takimet që kam bërë para zgjedhjeve të 26 majit, kur pyetesha për depozitimin e parave në firma, përgjigjia ime ka qenë kjo: Shteti garanton vetëm bankat, por pa u thënë prerë: mos depozitoni para në firmat piramidale, se po t’u thosha, për opinionin e krijuar në ato momente, do të më fusnin në kategorinë e njerëzve që s’kanë dëshirë të pasurohen zgjedhësit e zonës ku kandidohen…

Vijon

Sali Berisha, 3 mars 1997

… Pesë vjet më parë vendin e mbulonte mjerimi dhe zija e bukës, ndërsa sot Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i rritjes më të shpejtë ekonomike. ..Unë dua dhe njëherë t’ju siguroj se asgjë nuk më ka lëkundur e nuk do të më lëkundë vendosmërinë dhe besimin në vlerat e demokracisë e të tregut…

Hysen Selfo

Qeveria i bëri njerëzit e thjeshtë të besonin në mrekullitë shqiptare, duke i paraqitur ato si pionierë të kapitalizmit shqiptar, i nxiti të ëndërrojnë për një pasurim të shpejtë, ëndërr nga e cila, shumica u zgjuan me xhepa bosh…

Bashkim Kopliku

Qeveria është paralajmëruar edhe nga masmedia shqiptare, edhe nga unë personalisht, edhe nga Banka e Shqipërisë, edhe nga institucionet ndërkombëtare për të ndërhyrë efektivisht në parandalimin e një katastrofe ekonomike, me pasoja të rënda ekonomike dhe politike për çdo shqiptar…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›