E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX urdherarrest per Albin Kurtin, s'u paraqit ne gjyq

PRISHTINE- EULEX firmos urdhërarrest për Albin Kurtin, liderin e Vetëvendosjes i cili nuk është paraqitur në seancën e sotme gjyqësore ndaj tij në Gjykatën e Prishtinës.

Kurti e konsideron gjykimin si të motivuar politikisht, por gjykatësi kryesues në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka urdhëruar Policinë e Kosovës që deri në orën 12:30, kur eshte planifikuar seanca e ardhshme, ta sjellë Kurtin në gjykatë, për t’u përballur me akuzat, që kanë të bëjnë me protestat e 10 shkurtit të vitit 2007.

Në një komunikatë për median, misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka bërë të ditur se "zoti Kurti nuk është paraqitur sot në seancën dëgjimore, pavarësisht thirrjes dhe kalimit të afatit kohor ligjor”.

“Urdhëri i gjykatësit është i detyrueshëm sipas nenit 341 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. Kur i akuzuari i thirrur me rregull nuk paraqitet në shqyrtim gjyqësor dhe nuk e arsyeton mungesën, kryetari i trupit gjykues lëshon urdhrin për të sjellë të akuzuarin në gjykatë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, avokati zyrtar i zotit Kurti, i caktuar nga EULEX-i, Ramiz Krasniqi, ka përsëritur sot kërkesën për dorëheqje nga rasti, për shkak të, siç ka thënë, “natyrës politike të rastit dhe dyshimet se Kurti nuk do të ketë gjykim të drejtë nga ana e EULEX-it”.

Në letrën dërguar gjykatësve të EULEX-it, Krasniqi ka thënë se dorëheqja vjen edhe si shenjë solidariteti me kolegët e tij avokatë, të cilët para dy vjetësh kishin bojkotuar procesin gjyqësor kundër Kurtit, duke e quajtur atë si politik.

Këshilli kundër gjyqit ndaj Albin Kurtit, njofton se ka mbledhur 76 mijë nënshkrime të qytetarëve që e kundërshtojnë këtë proces.

EULEX-i ka rinisur procesin e lënë në gjysmë nga UNMIK-u kundër Albin Kurtit, i cili akuzohet për “pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e funksioneve të tyre dhe ka bërë thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues”.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›